Bashkimi Evropian tha të martën se do të dyfishonte përpjekjet për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore për Iranin, pavarësisht asaj që e quajti “shkelje e rëndësishme” nga ana e Teheranit të marrëveshjes përmes fillimit të pasurimit të uraniumit në nivel të ri.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano tha të martën se veprimet e Iranit “do të kenë implikime serioze kur bëhet fjalë për mospërhapjen e armëve bërthamore.”

“Jemi shumë të shqetësuar nga masat e marra nga Irani për pasurimin e uraniumit në masën 20% . Ky veprim është shkelje e rëndësishme e angazhimit të Teheranit ndaj marrëveshjes bërthamore dhe do të ketë pasoja serioze kur flitet për mospërhapjen e armëve bërthamore.”

Zëdhënësi Stano tha se ishte në interesin e të gjitha palëve për të shpëtuar marrëveshjen e vitit 2015. Ai tha se blloku do të forcojë përpjekjet për t’u siguruar që të gjitha palët u përmbahen zotimeve të tyre.

Shefi i departamentit të energjisë bërthamore të iranit Ali Akbar Salehi tha të martën se vendi i tij mund të prodhojë deri në 9 kilogram në muaj uranium të pasuruar të gradës 20%.

“Ia arritëm të fillojmë pasurimin me 20% gjatë 24 orëve të fundit, dhe me vullnet të Zotit, çdo orë mund të prodhojmë 17 deri 20 gram. Tashmë ja kemi arritur dhe është e qëndrueshme. Mund të prodhojmë 8-9 kilogram në muaj dhe mund të arrijmë objektivin prej 120 kilogram që kërkon ligji.”

Të hënën Irani filloi pasurimin e uraniumit të gradës 20%, një hap i vogël teknik, larg prodhimit të uraniumit të shkallës së armëve prej 90% pastërtinë objektin e tij nëntokësor në Fordo.

Kjo lëvizje duket se ka për qëllim ushtrimin e presionit ndaj Shteteve të Bashkuara në ditët e fundit të administratës së Presidentit Donald Trump, i cili e tërhoqi Uashingtonin në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e Teheranit me fuqitë botërore.

Vendimi i Teheranit një dekadë më parë për pasurimin e uraniumit në nivelin e pastërtisë prej 20% pothuajse bëri që Izraeli të godiste objektet bërthamore të Iranit. Tensionet u zbutën me marrëveshjen e vitit 2015 ndërsa Irani e kufizoi pasurimin e uraniumit në shkëmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

Kryeministri izraelit e kritikoi të hënën vendimin e Iranit për pasurimin e uraniumit dhe e akuzoi Teheranin se synon të prodhojë armë bërthamore. Gjatë një konference shtypi ai theksoi se Izraeli nuk do të lejojë Iranin që të prodhojë armë të tilla.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden, inaugurimi i të cilit bëhet më 20 janar, ka thënë se ai do të ishte i gatshëm ta rikthente vendin në marrëveshje.