Zërat skeptikë dhe kritikë në media dhe në shoqërinë kosovare thonë se vendi ynë ende nuk ka një plan konkretë për furnizim me vaksinën COVID-19 dhe për rrjedhë ekziston frika që Kosova do të furnizohet shumë vonë me këto vaksina. Me vetë faktin se të gjitha shtetet tjera kanë bërë marrëveshje dhe kanë paguar për vaksinë, kjo tregon se Kosova ende nuk ka një plan konkretë në këtë drejtim.

Nga Mehmet PRISHTINA

Bashkimi Evropian filloi vaksinimin me vaksina Pfizer/BioNTech më 27 dhjetor, ndërkohë që ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, për mediat ka deklaruar se, edhe pse nuk ka një datë të saktë, vaksina në Kosovë pritet të jetë e disponueshme në muajt e parë të vitit 2021.
Tash më është bërë e ditur se vendet e pasura do të kenë akces në vaksinat kundër koronavirusit më herët se të tjerat. Ndërsa vendet e fundit ku pritet të jenë në dispozicion vaksinat anti-COVID, do të jenë kryesisht ato të Ballkanit, ku bën pjesë edhe Kosova.

Sipas një raporti të publikuar në The Economist, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pjesa më e madhe e Evropës dhe Japonisë, renditen të parët në listën e zbatimit të kësaj zgjidhjeje të supozuar për t’i dhënë fund pandemisë.

Zyrtarët e Kosovës e pranojnë se ka një garë mes shteteve të mëdha dhe të vogla në sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, por ata shpresojnë se Kosova nuk do të mbetet jashtë saj.

Specialistët kanë sqaruar se vaksinat aktuale nga Pfizer po aplikohen si urgjencë, ndonëse ende nuk është konfirmuar se për sa kohë imunizohen, ose nëse marrësi mund t’i infektojë të tjerët apo jo.

Ajo çka mbeti pa u sqaruar deri në fund ishte depërtimi i vaksinave nga Serbia në disa enklava serbe në Kosovë. Dërgesa e pare ishte rreth 5 000 doza. Sipas zyrtarëve të Beogradit, Serbia është ndër vendet e para që do të marrë vaksinën sepse ishte një nga pesë shtetet e para në botë që nënshkroi një kontratë me Pfizer dhe qysh më 15 dhjetor Serbia kishte porositur 340,000 doza të vaksinës nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech. Në Serbi ka depërtuar edhe vaksina ruse Sputnik V e cila ende po testohet.

Lidhur me këtë çështje, si edhe në raste të ngjashme më herët, institucionet e Kosovës u ndodhën të papërgatitur dhe kanë paralajmëruar se do ta hetojnë mënyrën se si kanë depërtu këto vaksina në territorin e vendit tonë. Ajo çka nuk  kërkon ndonjë sqarim shtesë është fakti se institucionet e Kosovës, megjithatë, nuk po e shtrijnë sovranitetin shtetëtor e kushtetuese në gjithë territorin dhe kjo flet për plagët e hapura që pritet të jenë preokupim i së ardhmes.

Vendet e rajonit tash më kanë nënshkruar kontrata me kompanitë farmaceutike. Përderisa Serbia ka bërë porositë e para për vaksinën kundër COVID-19, të njëjtën gjë e ka bërë edhe Maqedonia e Veriut, e cila ka nënshkruar një kontratë me kompaninë AstraZaneca për 800,000 doza të vaksinës, të cilat pritet të arrijnë në fillim të vitit 2021.

Në anën tjetër, Kosova shënon ngecje në këtë drejtim. Ajo pret që të marrë vaksina për 20 për qind të popullatës nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, ndërkaq pjesën tjetër do ta blejë vetë.

Siç bëhet e ditur, programi COVAX, sipas një hulumtimi të Reuters, deri më tani ka krijuar marrëveshje furnizimi jodetyruese me kompanitë, AstraZeneca, Novavax dhe Sanofi për një total të rreth 400 milionë vaksinave, me mundësi të porositjes së qindra miliona dozave shtesë.

Mirëpo, ndërkohë janë paraqitur problem shtesë, për arsye të tria kompanitë janë përballur me vonesa në testimet e tyre, çka mund të shtyjë procesin e miratimit të vaksinave nga rregullatorët deri në gjysmën e dytë të vitit 2021 apo edhe më gjatë.

Kjo është edhe arsyeja që në Kosovë gjithnjë e më tepër dëgjohen zëra skpetikë dhe kritik në adresë të institucioneve shëndetësore, përfshi edhe Ministrinë e Shëndetësisë, aq më tepër kur iniciativa e OBSH-së për shpërndarjen e vaksinave për vendet e varfra, ende nuk ka marrë zotimin e vendeve të pasura që ato të ndajnë vaksinat.

Mospërballimi financiar i shteteve të varfëra për të siguruar vaksinat ka detyruar BE-në të ndajë 500 milionë euro nga buxheti i saj dhe i shteteve anëtare për të siguruar mbi 1 miliardë doza vaksinash përmes programit COVOX. Nga ky buxhet, Kosova do të përfitoj 20 për qind të vaksinave që do t’i merrfalas.

Zërat kritikë në media dhe në shoqërinë kosovare thonë se vendi ynë ende nuk ka një plan konkret për furnizim me vaksinënCOVID-19 dhe për rrjedhë ekziston frika që Kosova do të furnizohet shumë vonë me këto vaksina. Me vetë faktin se të gjitha shtetet tjera kanë bërë marrëveshje dhe kanë paguar për vaksinë, kjo tregon se Kosova ende nuk ka një plan konkretë në këtë drejtim.

Si duket, vaksina anti-covid që pritet të përdoret, përpos efektit imunizues tek njerëzit, po shpërfaq edhe një (d)efekt tjetër, por në drejtim të kundërt. Ajo po dëshmon se sa të brishta janë shtetet, përfshi edhe Kosovën, të cilat përpos pafuqisë financiare, po nxjerrin në sipërfaqe edhe mungesën e kapaciteteve për të hartuar strategji më efikase që lidhen me situata të jashtëzakonshme, siç është rasti me pandeminë aktuale.
A do të mjaftojnë këto dobësi për të nxjerrë mësime në të ardhmen?

Prishtinë, 4 janar, 2021