“Ballkani Perëndimor ka bërë progres të madh”

Gjermania nuk pranon ta mbajë për vete faturën e dështimit të përpjekjeve për çeljen de fakto të negociatave të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë presidencës së saj.

Në një intervistë dhënë për DW, ministri jashtëm gjerman, Heiko Maas, thekson se Gjermania bëri të gjitha përpjekjet e duhura që ky proces të finalizohej, por se ishin marrëdhëniet bilateral mes Bullgarisë dhe Maqedonisë ato që bën të pamundur suksesi gjatë këtij viti.

“Ne jemi të fundit që frenojmë në BE për këtë temë. Në thelb në bllokadë bëhet fjalë për marrëdhënien bilaterale të Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut. Si presidencë gjermane e BE ne u përpoqëm me një intensitet të madh të ndërmjetësonim një zgjidhje. Për fat të keq ende pa sukses”.

Ai pranon se vendet ballkanike që aspirojnë të bëhen pjesë e unionit kanë bërë përparimin e duhur, ndaj i takon BE-së që të mos i zhgënjejë ato me premtimet e pambajtura.

““Partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor kanë bërë progres të madh në vitet e fundit, sidomos Maqedonia e Veriut. Njerëzit aty e shohin të ardhmen e tyre në BE. Prandaj ata duhet të mund ta ruajnë besimin tek premtimet tona, ndryshe do të heqin dorë nga BE. Perspektiva e BE është një impuls i rëndësishëm për reforma politike dhe të shtetit ligjor, që janë thelbësisht edhe interesat tona”.

Por pavarësisht pamundësisë për të finalizuar me sukses këtë proces, ministri Jashtëm, Heiko Maas, nënvizon se Gjermania është e angazhuar për të gjetur një zgjidhje edhe pas presidencës së saj që mbaron pas pak ditësh.