Të premten, autoritetet serbe kanë marrë vendim që të lehtësojnë disa masa kundër pandemisë së koronavirusit para Festës së Vitit të Ri.

Shtabi i Krizës për luftimin e pandemisë COVID-19, vendosi që për fundjavë (26 dhe 27 dhjetor) të gjitha objektet e ushqimit dhe dyqanet do të jenë të hapura deri në orën 20:00.

“Stafi i Krizave ka pranuar propozimin e qytetit të Beogradit dhe Odës Ekonomike Serbe që orët e punës të hotelierisë dhe objekteve me pakicë gjatë fundjavës së ardhshme të jenë deri në orën 8:00 pasdite”, njoftoi nënkryetari i Bashkisë së Beogradit, Goran Vesiq.

Ai shtoi se qëllimi i kësaj mase është që ekonomia të funksionojë dhe që të ruhen vendet e punës.

Vesiq gjithashtu njoftoi se pjesa e ekspertëve shëndetësorë të Shtabit të Krizave ishin kundër këtij vendimi për të zbutur masat.

Vendimi i fundit në fakt zgjati masat e miratuara nga Qeveria e Serbisë më 21 dhjetor, kur u vendos që të zgjaten orët e punës të objekteve hotelierike, qendrave tregtare, dyqaneve, si dhe aktiviteteve të shërbimit, deri në orën 20:00

Ky vendim ishte i vlefshëm deri më 25 dhjetor.

Imunologu dhe anëtari i Shtabit të Krizës, Sërgja Jankoviq tha më 22 dhjetor se anëtarët e shtabit që vijnë nga fusha mjekësore kanë vlerësuar se nuk kishte kushte për lehtësimin e masave dhe se orari i punës i disa bizneseve u zgjat me kërkesë të Odës Ekonomike të Serbisë dhe nënkryetarit të Bashkisë së Beogradit, Goran Vesiq.

Në Serbi gjatë 24 orëve e fundit janë regjistruar 4.091 raste me koronavirus dhe 49 viktima. Numri i përgjithshëm i viktimave ka arritur në 2.882, njoftoi ministria e Shëndetësisë e Serbisë më 24 dhjetor në ora 15:00.

Imunizimi i popullsisë së Serbisë, i cili sipas statistikave zyrtare është pak më pak se 7 milionë, filloi simbolikisht të enjten, më 24 dhjetor.

Vaksinat e para kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer/BioNtech u shpërndanë në shtëpitë e pleqve në Beograd dhe Novi Sad.

Tri vaksinat e para u morën publikisht para kamerave nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq dhe anëtarët e Shtabit të Krizës, Darija Kisiq Tepavçeviq dhe Predrag Kon.