Transporti i vaksinës së parë kundër koronavirusit ka sjellë disa sfida të veçanta sepse ajo duhet të ruhet në kushte ultra të ftohta. Transporti i vaksinës së kompanisë Pfizer ka bërë që të shtohet në masë të madhe kërkesa për akull të thatë.

Akulli i thatë është formë e ngurtë e dioksidit të karbonit dhe mund të arrijë temperatura deri minus 78 gradë celsius. Harry Gehm është pronar i një kompanie që prodhon akull të thatë në Ohajo.

“Kjo është një copëz akulli që do të përdoret. Dhe siç shihet po nxjerr tym. Ky është akulli i thatë.”

Kompania e tij prodhon akull të thatë prej disa dekadash. Ai thotë se gjatë javëve të fundit është rritur kërkesa për akullin e thatë. Kjo për faktin se akulli i thatë përdoret për të mbajtur në temperaturë ulta të ftohtë, -70 gradë celsius, vaksinën e kompanisë Pfizer kundër koronavirusit.

Pfizer e transporton vaksinën në një kuti të posaçme që kërkon rimbushjen me akull të thatë çdo pesë ditë. Julie Swann është eksperte për rrjetet e furnizimit.

“Një sfidë është se kutia nuk mund të hapet shpesh. Nëse hapet kutia, akulli i thatë konsumohet më shpejt pasi rritet temperatura.”

Problemi tjetër është se niveli i lartë i dioksidit të karbonit mund të jetë vdekjeprurës. Kryesisht në bordin e avionëve. Delmer Billings është specialist i çështjeve të trasportit për të mirat materiale.

“Avionët riciklojnë një sasi të caktuar ajri ndërsa fluturojnë. Nuk mund të kemi një sasi të madhe akulli të thatë në avion që tejkalon aftësitë e avionit për të ricikluar dhe pastruar oskigjenin në nivelet e duhura.”

Pavarësisht rritjes së kërkesës për akull të thatë, ekspertët thonë se ka plot. Richard Gottwald drejton shoqatën e gazit të kompresuar.

“Kemi besim të plotë se mund të përmbushim kërkesat e duhura.”

Alternativa e vetme ndaj akulli të thatë janë frigoriferët special ulta të ftohtë. Disa spitale dhe qendra kërkimore të rëndësishme kanë frigoriferë të tillë. Kompanitë që prodhojnë këta frigoriferë thonë se janë shtuar kërkesat. Dusty Tenney drejton kompaninë Stirling Ultracold.

“Kemi shtuar me rreth 50% numrin e punonjësve. Kemi shpenzuar 2-3 milion dollarë në materiale që t’u paraprijmë kërkesave. Kërkesat aktualisht janë më të larta se kishim menduar fillimisht.”

Vaksina të tjera për koronavirusin janë më pak problematike. Vaksina e firmës Moderna mund të transportohet në temperaturën -20 gradë celsius. Kjo e bën atë më të lehtë për t’u transportuar në zonat e largëta.