Sipas një projektligji të ri të Bashkimi Evropian, shkelësit e të drejtave të njeriut do të përballen tani me ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e udhëtimeve. I ashtuquajturi ligji Magnitsky do të vërë në shënjestër ata që janë të përfshirë në krime që nga gjenocidi tek torturat dhe ndalimet arbitrare.

Kazinotë e Kanës. Portet luksoze të Mesdheut. Butikët e Parisit dhe Milanos. Janë këto disa nga destinacionet e preferuara ku super të pasurit investojnë paratë e tyre. Por së shpejti ato mund të bëhen të paarritshme për zyrtarët e korruptuar dhe oligarkët e akuzuar për abuzime të të drejtave të njeriut.

Bashkimi Evropian e nënshkruan zyrtarisht ligjin e ashtuquajtur ‘Akti Magnitsky’ më 10 dhjetor – Dita Botërore e të Drejtave të Njeriut. Ligji i lejon BE-në të vendosë ndalime udhëtimi dhe ngrirjen e pasurive të shkelësve të të drejtave të njeriut.

Financieri Bill Browder, i cili ka bërë fushatë për ligje të ngjashme në vende të ndryshme të botës, thotë se miratimi i këtij ligji në Evropë është një moment historik.

“Evropa ka vende që duan t’i vizitojnë diktatorët dhe kleptokratët. Ata shkojnë në jug të Francës, në Sardenjë, në Spanjë. Pra, ka diçka Evropa që ata e lakmojnë. Nëse Akti Magnitsky i BE-së zbatohet dhe zbatohet gjerësisht, mund të ketë një ndikim dramatik në sjelljen e shkelësve të të drejtave të njeriut në të gjithë botën”, thotë zoti Browder.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Kanadaja e kanë miratuar tashmë ligjin Magnitsky. Ai mban emrin e Sergei Magnitsky-it, avokatit të zotit Bill Browder, i cili vdiq në një burg të Rusisë në vitin 2009 pasi zbuloi një mashtrim me taksat prej 230 milionë dollarësh të zyrtarëve shtetërorë. Megjithatë, ligji i BE-së nuk do të mbajë emrin e Magnitsky-it pasi qeveria holandeze argumentoi se asnjë vend nuk duhet të ndihet i shënjestruar.

Udhëheqësi kryesor i opozitës ruse – Alexei Navalny – i cili u helmua në fillim të këtij viti por arriti të shpëtojë – foli me ligjvënësit e BE-së përmes një video konference.

“Pyetja kryesore që duhet t’i bëjmë vetes është përse këta njerëz helmojnë, vrasin dhe malipulojnë? Dhe përgjigjja është shumë e thjeshtë: për para. Bashkimi Evropian duhet të verë në shënjestër paratë dhe oligarkët rusë. Jo vetëm oligarkët e vjetër, por edhe të rinj si ata të rrethit të ngushtë të zotit Putin. Ata duhet të jenë objektivi i vërtetë i sanksioneve”, tha zoti Navalny.

Presidenti rus Vladimir Putin ka mohuar përfshirjen në helmimin e Navalny-it nga një agjent nervor.

Përveç atyre që janë përgjegjës për vrasjen e vetë Sergei Magnitsky-it, ka shumë të tjerë që janë objektiva të qartë të ligjit të ri, thotë zoti Browder.

“Kësaj liste duhet t’i shtohen 19 sauditët dhe princi i kurorës Mohammed Bin Salman, si vrasës të gazetarit të Washington Post-it Jamal Khashoggi. Zyrtarët kinezë të përfshirë në gjenocidin e ujgurëve. Zyrtarët kinezë të përfshirë në shtypjen e protestave në Hong Kong. Regjimi i Lukashenkos. Zyrtarët birmanezë të përfshirë në gjenocidin e pakicës rohinga. Këta janë vetëm disa shembuj”.

Kritikët thonë se është ende e mundur që secili vend anëtar i BE-së t’i verë veton çdo mase të propozuar sipas ligjit të ri dhe vendet me lidhje më të ngushta me Kremlinin, të tilla si Hungaria dhe Qiproja, mund t’i bllokojnë sanksionet.