Sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut është duke u përgatitur për vaksinimin për Covid-19.

“Do të jetë një ndër operacionet më të mëdha logjistike që duhet të zbatohet”, ka thënë Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në një postim në rrjetin social Facebook.

Ai ka shkruar se vaksinimi do të zbatohet nga mjekë dhe infermierë që në këtë moment nuk janë të angazhuar me covid-pacientët. Për javën e ardhshme, për mbarëvajtjen e këtij operacioni, është caktuar një stërvitje në terren.

Autoritetet e shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, duke bërë bilancin javor të situatës, kanë njoftuar për rënie të numrit të të infektuarve të rinj dhe rritje së numrit të të shëruarve.

Shqetësuese vazhdon të mbetet shifra e pacientëve që humbin betejën me Covid-19. Vetëm gjatë javës së kaluar janë shënuar 206 raste të vdekjeve, kryesisht nga grupmosha mbi 60 vjeç, por sipas raportit, i madh është edhe numri i rasteve fatale të grupmoshës nga 30 deri 50 vjeç.

Në raportin më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, që kryesisht publikohet vonë natën, u njoftua për 1069 raste të reja me Covid-19 dhe për 29 viktima.