Shqipëria dhe Italia firmosën marrëveshjen që i hap rrugë ngritjes së një komisioni të përbashkët ekonomik 10 vjet pas nënshkrimit të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Dokumenti u firmos në Tiranë nga Kryeministri Rama dhe Ministri i Jashtëm Italian, Luigi Di Maio.

Për kreun e qeverisë tre janë sektorët e përcaktuar si strategjik në këtë bashkëpunim.

“Ne duam të nxisim dialogun në fokusin e temave të bashkëpunimit mes dy vendeve mbi planin e investimeve për Ballkanin, i cili ka tre shtylla kryesore transport dhe infrastrukturë dhe energji e dixhitalizim”.

Sipas Ministrit Di Maio, komisioni pritet të rrisë mundësinë tregtare dhe investimet në të dy vendet.

“Ky komision do të ngrejë një formë dialogu dhe ballafaqimi për mundësi tregtare dhe investimi për të dy vendet tona si dhe për të zgjidhur pikat kritika mes dy vendeve në kuadrin ekonomik”.

Kryeministri nënvizoi edhe faktin se Italia ka luajtur një rrol të rëndësishëm për sigurimin e vaksinës anti-Covid.

“Dëshoroj ta falenderoj ministrin për gatishmërinë për të qenë krejtësisht i hapur dhe i gatshëm në funksion të sigurimit të vaksinës”.

Premtimin për ta ndihmuar Shqipërinë për marrjen e vaksinës anti-Covid Di Maio ia bëri edhe kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Tema të tjera të diskutuara sipas Bashës ishte çështja e hapjes së negociatave dhe bashkëpunimi mes dy vendeve. Gjatë vizitës në Tiranë kryediplomati italian u prit edhe nga Presidenti i Republikës Ilir Meta.