“Lockdown” është shpallur fjala e vitit 2020 nga “Collins Dictionary”, pas një rritje të mprehtë të përdorimit të saj gjatë pandemisë.

Ajo “përmbledh përvojën e përbashkët të miliarda njerëzve nëpër botë” – shkruan Collins. Leksikografët regjistruan përdorimin e fjalës ‘lockdown’ më shumë se 250.000 herë gjatë 2020, nga 4,000 herë vitin e kaluar.

Fjalë të tjera të lidhura me pandeminë në listën e dhjetë fjalëve më të përdorura përfshijnë: “furlough” (pushim nga puna); “key worker” (punonjës kyç, i rëndësishëm); “self-isolate” (vetizolim); “social distancing” (distancim social) si dhe “coronavirus” (koronavirus).

“Lockdown” hyri në përdorimin e përditshëm kur qeveri nga e gjithë bota morën masa strikte në fillim të vitit 2020, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Fjalët që nuk lidhen direkt me virusin pasqyrojnë tronditjen sociale dhe politike në vitin 2020.

Helen Newstead, konsulente mbi përmbajtjet gjuhësore të Collins, tha: “Gjuha është një pasqyrim i botës rreth e qark nesh dhe 2020 është dominuar nga pandemia globale.

“Lockdown” ka prekur mënyrën se si punojmë, studiojmë, bëjmë pazar dhe socializohemi. “Me kaq shumë vende, që po futen në një ‘lockdown’ të dytë, nuk është një fjalë për t’u ekzaltuar, por një fjalë që sintetizon vitin për pjesën më të madhe të botës”.

Fjala e vitit të kaluar ishte “Climate strike”, një vit gjatë të cilit, 17-vjeçarja Greta Thunberg drejtoi një lëvizje mjedisore në mbarë botën.

10 fjalët e Collins Dictionary për vitin 2020

Coronavirus (koronavirus) – cilido nga grupet e viruseve që përmbajnë ARN, që mund të shkaktojë sëmundje infektive të rrugëve të frymëmarrjes,përfshirë COVID-19. Quhen kështu për shkak të formës së tyre të ngjashme me një kurorë në mikrografitë elektronike.

Furlough (pushim nga puna) – një pushim i përkohshëm nga puna i punonjësve, pasi nuk ka punë të mjaftueshme për t’i mbajtur.

Key worker ose keyworker – një punonjës në cilido nga profesionet që cilësohen jetike për funksionim e shoqërisë, për shembull mësuesit, punonjësit e policisë, shëndetësisë, ata nëpër dyqane etj.

Lockdown – Vendosja e kufizimeve të rrepta në lëvizje, ndërveprim social dhe qasje në hapësirat publike.

Megxit – Tërheqja e dukës dhe dukeshës së Sussex-it nga detyrimet mbretërore, njoftuar në janar të 2020.  Fjala është formuar nga Meg(han) – dukesha e Sussex-it dhe (e)xit nga Brexit.

Mukbang – një video apo webcast ku i ftuari ha një sasi të madhe ushqimi për të kënaqur spektatorët. Rrjedh nga fjala: meogneun (ha) dhe bangsong (transmetim).

Self-isolate  (Vetizolim) – qëndrimi në karantinë nëse jeni infektuar apo dyshoni se keni një sëmundje ngjitëse.

Social distancing (distancim social) – Mbajtja e një distance të caktuar me personat e tjerë për të parandaluar infektimin nga një sëmundje.

TikToker – një person që ndan apo shfaqet rregullisht në video në TitTok.

Fjalët e viteve te kaluara

2019: Climate strike

2018: Single-use

2017: Fake news

2016: Brexit

2015: Binge-watch

2014: Photobomb

2013: Geek

Burimi: The Guardian