Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pritet të shpallë sot një task-forcë këshilltarësh për të luftuar pandeminë e koronavirusit.

Biden e bëri të qartë në fjalimin e tij të fitores më 7 nëntor, se trajtimi i pandemisë do të jetë prioriteti kryesor i tij.

“Puna nis menjëherë”, tha Kate Bedingfield, zëvendësmenaxhere e fushatës së Biden, të dielën, për kanalin NBC.

Sondazhet e kryera gjatë zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit treguan se trajtimi i pandemisë nga ana e presidentit aktual, Donald Trump, është shqetësimi kryesor i shumë votuesve.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i të infektuarve me koronavirus në SHBA është gati 10 milionë.

Ekipi i Bidenit paralajmëroi se do të bëhen më shumë teste dhe se qytetarëve do t’iu kërkohet të veshin maska.

Përveç pandemisë, prioritete të Bidenit janë edhe rimëkëmbja ekonomike, barazia racore dhe çështja e ndryshimeve klimatike, thuhet në ueb-faqen e tij për tranzicionin.

Janë edhe rreth dhjetë javë deri në inaugurimin e Bidenit, më 20 janar. Kjo periudhë përfshin takimin e Kolegjit Zgjedhor në dhjetor, kur fitorja e Bidenit pritet të finalizohet.

Biden sinjalizoi se planifikon të lëshojë disa urdhra ekzekutivë, që nuk kërkojnë miratim nga Kongresi, menjëherë pasi të inaugurohet.

Në mesin e tyre janë vendimi për t’iu ribashkuar Marrëveshjes së Parisit për luftimin e ndryshimeve klimatike dhe një tjetër marrëveshje për sistemimin e refugjatëve që ikin nga luftërat. Biden po ashtu synon të shfuqizojë një vendim për ndalimin e udhëtimit, që shënjestron kryesisht vendet myslimane.

Presioni mbi Trumpin për të pranuar humbjen dhe për të njohur fitoren e Bidenit vazhdon, por nuk ka asnjë tregues se ai do ta bëjë këtë.

Trump, pa sjellë asnjë provë, tha se ka pasur mashtrime të përhapura në votime dhe kërcënoi se do të ndërmarrë veprime ligjore.

Shumë zyrtarë zgjedhorë, megjithatë, thanë se ndonjë rinumërim i mundshëm i votave nuk ka gjasa të ndryshojë rezultatin dhe se ka pak prova konkrete për t’i mbështetur paditë potenciale të Trumpit.

Në një seri postimesh në Twitter, të dielën, Trump tha se “këto zgjedhje janë vjedhur”.

Sipas ekipit të tij ligjor, Trump planifikon të paraqesë një varg padish, nisur nga sot.

Por, ish-presidenti George W. Bush – republikan sikurse Trumpi – tha se “rezultati është i qartë” dhe shtoi se i ka telefonuar Bidenit dhe nënpresidentes së zgjedhur, Kamala Harris, për t’i uruar.

Bush, ish-presidenti i vetëm republikan që jeton, tha përmes një deklarate se “populli amerikan mund te këtë besim se këto zgjedhje ishin thelbësisht të drejta”. Tani, vendi “duhet të bashkohet për hir të familjeve dhe fqinjëve tanë”, tha ai.

Disa republikanë dhe këshilltarë të Trumpit i hodhën poshtë pretendimet e tij për mashtrime.

Senatori republikan, Mitt Romney, tha se Trump ka të drejtë të kërkojë rinumërim, por parashikoi se përpjekjet e tilla nuk do të ndryshojnë rezultatin përfundimtar.

“Kur thoni se zgjedhjet janë korruptuar, vjedhur ose manipuluar, kjo, për fat të keq, është një retorikë që përdoret nga autoritarët në botë. Unë mendoj se e dekurajon besimin në procesin tonë demokratik”, tha Romney për NBC.

Zgjedhjet i vlerësuan edhe dy senatorë të tjerë republikanë: Lindsey Graham nga Karolina e Jugut dhe Ted Cruz nga Teksasi.

Graham tha në Fox News se Trump nuk duhet ta pranojë humbjen derisa të numërohen të gjitha votat, ndërsa Cruz tha se duhet të lejohet kohë për zhvillimin e procesit ligjor.