Numri i rasteve të infektimeve me koronavirus sërish është në ngritje kudo në botë, por paniku i shkaktuar nga ngritjet e reja të rasteve dhe hospitalizimeve përbën një gjë krejtësisht tjetër.

“Lodhja pandemike”, për të cilën e përditshmja amerikane “Wall Street Journal” kishte raportuar në fillim të kësaj jave, është përhapur botërisht dhe, pas shtatë muajve të tërë të shmangies së kontakteve fizike dhe vendeve publike, njerëzit kanë filluar t’i anashkalojnë masat e mbrojtjes.

Sipas raportimit të gazetës, derisa 84 për qind e amerikanëve kishin thënë gjatë prillit se i shmangin tubimet me numër të vogël të njerëzve, kjo shifër që atëherë ka rënë në vetëm 45 për qind syresh. Përqindja e njerëzve që shmangin restorantet dhe vendet e tjera publike kësisoj ka rënë nga rreth 80 në 53 për qind, transmeton KOHA.

Ky fakt padyshim e reflekton përzgjedhjen e njerëzve për të filluar daljet në vendet e frekuentuara, por që ngërthejnë shkallë më të vogël rreziku. Megjithëkëtë, “New York Times” kishte raportuar në fillim të këtij muaji se “nëse pranvera ishte e karakterizuar nga tmerret, vjeshta do të shndërrohej në një gërshetim të heqjes dorë nga masat dhe kthimin në dalje”.

Kjo gjë, sipas këtyre dy gazetave, është tregues se “lodhja pandemike” është gjë reale.

Elissa Epel, profesoreshë në Departamentin e Psikiatrisë dhe Shkencave të Sjelljes në Universitetin e Kalifornisë në San Francisco, ka thënë për gazetën “WSJ” të ketë vërejtur se stresi, lodhja, ankthi dhe depresioni janë në rritje.

Një studim i kohëmëparshëm ka treguar se shkalla e rasteve të raportuara me depresion është trefishuar gjatë pandemisë dhe se në të shumtën e rasteve ato përfshijnë problemet me ankthin, depresionin, por edhe abuzimin me substanca narkotike.

Epel ka thënë po ashtu që telashet me ankthin psikologjik jo domosdoshmërisht janë çrregullime psikiatrike, në kuptimin klasik të fjalës.

“Është një përgjigje normale ndaj asaj që po ndodh kudo në botë”, ka thënë ajo për gazetën.

Efektet e pafavorshme të shëndetit mendor janë të lidhura me ballafaqimin me një situatë kronike stresuese, veçanërisht për njerëzit jeta e të cilëve tashmë është rënduar si pasojë e sëmundjes COVID-19, shtrëngimit financiar dhe telasheve në punë të gjeneruara nga pandemia.

“Sistemet botërore duhet të gjejnë mënyra për t’i ndihmuar njerëzit që të rimarrin përnjëmend veten dhe të kenë më shumë kohë për kujdes”, ka thënë ajo. Ndërsa ka shtuar se lloji i lodhjes nëpër të cilën popullsia e përgjithshme botërore është përballur në kohën e pandemisë mund të jetë i lidhur drejtpërsëdrejti me kushtet e shëndetit fizik, por edhe situatat stresuese të kohës.