Kosova ka vendosur masa të reja për të frenuar përhapjen e mëtejme të koronavirusit.  Ndër masat e reja janë ndalimi i punës së qendrave tregtare nga ora 21:00 deri në ora 05:00. Në të njëjtin interval kohor, të ndaluar aktivitetin e kanë edhe bizneset e sektorit të gastronomisë, përveç shërbimit “merre me vete”.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se për ta ndalur hovin e infeksionit me COVID-19, janë ndërmarrë masa shtesë.

Zemaj këto vendime i ka bërë të ditura pas takimit të Komitetit për vlerësimin dhe koordinimin e situatës rreth COVID-19, i cili ka shqyrtuar sot situatën epidemiologjike në vend lidhur me virusin Corona.

Ministri Zemaj tha se numri i madh i infektimeve dhe rastet e reja i kanë detyruar të veprojnë menjëherë.

Ai tha se është e domosdoshme të reduktohet numri i stafit në institucionet e nivelit qendror dhe lokal.

“Me kapacitete të plota do të punojnë institucionet shëndetësore dhe Policia. Personat mbi moshën 60 vjeçare dhe ata me sëmundje kronike  do të lirohen nga paraqitja në punë, ata do të punojnë online”.

Personave mbi moshën deri 65 vjeçare dalin jashtë prej 06 deri në orën 10:00 dhe nga ora 16:00 deri në 19:00.

“Të gjitha qendrat tregtare do t’u ndalohet veprimtaria nga ora 21:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Gastronomisë i ndalohet puna nga ora 21:00 deri në 05:00, përveç ‘take away’ “.

Ai tha se edhe ligjëratat në Fakultet të mbahen online kurse provimet dhe ushtrime sipas rekomandimeve.

Konviktet dhe mensa do të punojmë duke respektuar masat e IKSHP-së.

“Do të ndërmerren masa të rrepta brenda institucioneve shëndetësore, duke bërë dezinfektimin e shpeshtë”, tha Zemaj.

Zemaj, ka thënë se nuk do të ketë kufizim të lëvizjes, por ka bërë thirrje të evitohen daljet e panevojshme.

“Shpresojmë që qytetaret do të zvogëlojmë daljet e panevojshme sepse s’ka kufizim të daljes, do të mbetet në ndërgjegjen e tyre.” Ai tha se është në diskutim kontrolli në pikat kufitare.

Vendimi hyn në fuqi pas nënshkrimit nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe vlen për dy javët e ardhshme, deri në vlerësimin e radhës të situatës me COVID-19.

Së fundmi, Kosova ka regjistruar rritje të rasteve të reja me koronavirus. Vetëm të premten, më 30 tetor, janë regjistruar 418 raste të reja – shifër rekorde që prej fillimit të pandemisë.

Që prej 13 marsit – kur u regjistruan rastet e para me koronavirus në Kosovë – Kosova ka regjistruar 19,328 raste me koronavirus.

Prej tyre, 678 kanë vdekur ndërsa 15,434 janë shëruar. Raste aktive vazhdojnë të jenë 3,126.