Rezultati i garave elektorale për në Senatin amerikan më 3 nëntor mund të jetë çelësi për zbatimin e axhendës së fituesit të zgjedhjeve presidenciale. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, njofton nga shteti i vogël amerikan Iowa, ku gara për Senatin pritet të jetë e ashpër.

Në vitin 2016, Presidenti Donald Trump e fitoi shtetin Iowa me 9 përqind më shumë.

“Ne e zgjodhëm që të arrijë rezultate dhe ai po bën pikërisht çfarë pati thënë se do të bënte”, thotë Dan Zumbach, fermer dhe senator i këtij shteti.

Katër vite më vonë, pandemia globale dhe lufta tregtare ndikuan tek ekonomia bujqësore e shtetit Iowa dhe rezultuan në një garë të ngushtë mes Presidentit Donald Trump dhe sfiduesit demokrat Joe Biden.

“Mendoj se do të ishte shkatërrimtare nëse do të prisja edhe katër vite të tjera të administratës Trump”, thotë Doug Thomson, fermer në pjesën veriore të shtetit Iowa.

Ky shtet ndoshta do të përcaktojë edhe nëse republikanët do ta mbajnë apo do ta humbasin shumicën në Senat. Senatorja republikane në mandatin e saj të parë Joni Ernst, shkaktoi habi kur u vu në siklet me një pyetje rreth çmimeve të produkteve bujqësore, gjatë një debati me sfiduesen e saj demokrate, menaxheren e pronave të patundshme Theresa Greenfield.

Senatorja Ernst: “Mendoj se pyetët për misrin. Varet nga prurjet, por ndoshta (çmimi) është 5.50 dollarë“.

Moderatori: “Mendoj se keni gabuar me disa dollarë“.

Disa momente më vonë, zonja Greenfield nuk pati vështirësi t’i përgjigjej një pyetjeje të ngjashme.

Theresa Greenfiled: “Një shinik misër është diku tek 3.68, 3.69 dollarë sot“.

Fermeri Dan Zumbach, i cili dikur pati shërbyer në Senatin e shtetit Iowa së bashku me zonjën Ernst, thotë se debati la një përshtypje të padrejtë për të.

“Bënë shumë zhurmë për asgjë. Dhe, Senatorja Ernst e kupton bujqësinë”, thotë ai.

Fermeri Doug Thomson mbështet zonjën Greenfield, dhe thotë se lufta tregtare e administratës Trump me Kinën, luftë të cilën e mbështet zonja Ernst, ka ulur çmimet e drithit dhe e ka dëmtuar atë financiarisht.

Suksesi apo dështimi i saj bazohet në suksesin ose dështimin në Iowa të Presidentit Trump“, thotë fermeri Thomson.

Iowa është ndër shtetet kryesore amerikane që prodhojnë misër, mish derri dhe vezë. Anketimet tregojnë se ekonomia në këtë shtet është çështja më kryesore për votuesit.

Shumë analistë presin që demokratët të shtojnë radhët e tyre në Senat. Pyetja është: me sa vende?

“Janë të paktën mbi dymbëdhjetë gara kur republikanët duken më të prekshëm këtë radhë. Iowa duket se është ndër këto shtete”, thotë Timothy Hagle, profesor i shkencave politike, në Universitetin e Iowa-s.

Profesori i Universitetit të Iowa-s thotë se votuesit e pavarur, pra rreth një e treta e elektoratit të Iowa-s, janë vendimtarë për garën Ernst – Greenfield.

“Është vendimtare mënyra se si do të votojnë këta votues pa parti, këta të pavarur, të cilët mund të ndërrojnë kah. A janë ata vërtet të interesuar për këtë luftë të brendshme, apo mos kjo po i mërzit?”, thotë profesori Hagle.

Disa prej banorëve të këtij shteti po ushtrojnë të drejtën e votimit të hershëm.

“Vota ime gjendet në kuzhinë, duke pritur që ta firmos”, thotë fermeri Thomson.

Në mesin e pandemisë, votimi i hershëm në Iowa është rritur me 97% krahasuar me vitin 2016.