Pushimorja e fëmijëve “Pishat e Deçanit” vazhdon të mbetet e uzurpuar dhe e pa shfrytëzuar, ngase politika ndërkombëtare është vënë në ndikimin e politikës së manastirit. Janë disa vite që ushtarët e Forcës paqeruajtëse ndërkombëtare (KFOR) që kanë lëshuar objektet e këtij resursi të madh turistik. Edhe pse, ka vite që është biseduar që përgjegjësia për menaxhim dhe shfrytëzim të kalon tek institucionet vendore, kjo nuk po ndodhë për arsye tashmë të njohura politike. Deçani është duke pësuar humbje të mëdha nga mbajtja peng e këtyre objekteve që kanë mbi 550 shtretër për turist. Hapësirat e këtij resursi të njohur në botë, nuk lejohen të shfrytëzohen ngase nuk jepet pëlqimi nga personeli i manastirit. Forcat paqeruajtëse nuk lejojnë hyrjen në zonën ku janë objektet e kësaj pushimore, qoftë edhe për vizitë të shkurtër të marrjes së pamjeve nga mediat apo vizitave tjera të karakterit zyrtar. Edhe kur ishte kërkesa për të marr pamje të shpejta që lidheshin me dokumentarin për drejtorin e saj, Osman Tolaj, përkundër kërkesës zyrtare, nuk është lejuar.
I ndjeri, Osman Tolaj, në vazhdimësi thoshte:
“Pushimorja është e fëmijëve. Është e të rinjve. E qytetarëve. Nuk është për tu mbajtur e mbyllur. Nuk është që të mbetet peng e politikës. Është për zhvillimin e turizmit”. Përderisa i kujtoj fjalët e tij, më v’ie të them se është gjynah të mos shfrytëzohen pishat e këtij vendi. Mos të merret ajri i pastër i kësaj zone. Është turp të mos lejohet shfrytëzimi i saj. Është turp!

( Pushimorja “Pishat e Deçanit” është e ndërtuar rrëzë “Bjeshkëve të Nemuna”. Ka një ambient shumë të bukur malor, me lartësi mbidetare prej 670 m dhe ka një klimë të përshtatshme, e cila ndikon për të mirë në shëndetin e njeriut, sidomos të fëmijëve.
Kjo pushimore ka filluar të punojë qysh më 1932. Ky kompleks turistik, me kapacitete prej 550-600 shtretërish, ka pesë objekte banimi me të gjitha objektet e tjera përcjellëse (salla, kuzhina, terrenet sportive, ambulancën shëndetësore, amfiteatrin e hapur, etj). Në hapësirat e pushimores së fëmijëve, brenda një viti mund të pushojnë rreth 14.000 fëmijë, me shërbime tradicionalisht të mira, me kuzhinë moderne, me të gjitha objektet përcjellëse për sport dhe rekreacion, me amfiteatër të hapur për aktivitete kulturo-argëtuese. Këto objekte mund të përdoren edhe për manifestime të ndryshme, qofshin kulturore-sportive, apo edhe manifestime të tjera, pa marrë parasysh sezonin, veror apo dimëror.
Hapësirat e këtij objekti turistik, që nga vitet ’90-të nuk mund të shfrytëzohen nga qytetarët e këtushëm, si rrjedhojë e zhvillimeve politike. Fillimisht, këtu ishin instaluar masat e dhunshme të Qeverisë së Serbisë (1990-1999), e më pastaj edhe janë vendosur forcat paqeruajtëse të KFOR-it italian. Edhe pse këto forca ushtarake janë të vendosura në Kampin “Bellopojë”, këto hapësira turistike mbesin peng i politikës, e ndikuar nga Manastiri i Deçanit. Mosshfrytëzimi i kompleksit “Pishat e Deçanit” ishte temë e kundërshtimeve të shumta të institucioneve komunale dhe të qytetarëve, ngase konsiderohet se kësaj komune po i shkaktohen humbje të mëdha).