UEFA (organi më i lartë i futbollit europian) po mendon të shkurtojë me 4% të drejtat televizive dhe shpërblimet që u takojnë 55 skuadrave pjesëmarrëse në Champions League dhe Europa League.

E gjithë kjo, për shkak të koronavirusit, që ka goditur rëndë bilancet e institucionit të futbollit, në një shifër që vërtitet rreth 666.4 milionë dollarë (514 milionë paund).

Lajmi është publikuar në të përditshmen britanike “The Times” dhe konfirmohet edhe në fjalët e Andrea Agnelli, president i European Club Association, i cili e kishte paralajmëruar UEFA muajin e kaluar. Presidenti i Juventus pati deklaruar që klubet europiane mund të përballen me një rënie të të ardhurave në 4 miliardë dollarënë dy vitet e ardhshme (679 milionë dollarë vetëm nga reduktimi i të drejtave televizive). Duke marrë për bazë të tilla konsiderata, UEFA është duke hartuar një plan, që do të shkurtojë me 4% të drejtat televizive dhe bonuset, por të shpërndarë në pesë sezone.

“Telegraph” shkruan se, megjithatë, UEFA mund të rrisë numrin e skuadrave pjesëmarrëse në UEFA Champions League. “Union of European Football Associations” po mendon që numri i skuadrave që do të garojnë për Kupën më të lajmuar në Kontinentin e Vjetër të rritet në 36.

Ky propozim, i cili mund të nisë në sezonin 2024/25,po merret në shqyrtim nga UEFA që vlerëson dy mundësi. E para, parashikon 6 faza grupesh me 6 skuadra, me ndeshje vajtje-kthim, ndërsa e dyta konsiston në eliminimin e fazës së grupeve nëpërmjet një sistemi me 10 ndeshje për skuadër, kundër kundërshtarëve që do të përcaktohen nga kompjuteri (shake-up).