Nuk është që të gjithë politikanët kosovar janë hajdutë, por edhe jo pa të drejtë në opinionin kosovar është krijuar bindja se të gjithë politikanët janë hajdutë!
Kjo bindje e keqe është krijuar nga keq-qeverisjet e pas pavarësisë, ku asnjëra qeveri nuk ka arritë ta përbyllë me suksese mandatin kushtetues pa u përfshirë në afera korruptive dhe kriminale.

Varësisht prej nivelit qeverisës dhe shkathtësisë vjedhëse dallojnë edhe hajdutëritë e qeveritarëve kosov(r)arë

Zanafilla e hajnisë apo e abuzimit me buxhetin e shtetit është e hershme, ajo daton që nga themelet e para të shtetit, përkatësisht nga “Qeveria e Bukoshi”, siq është quajtur qeveria e parë e Republikës së Kosovës në ekzil.
Abuzimi me buxhetin e shtetit fillon me fondin e “3 përqindëshit”, pason me fondin “Vendlindja Thërret” gjatë periudhës së luftës çlirimtare,…për të vazhduar edhe pas përfundimit të luftës, ku bartësit e këtyre dy fondeve bëhen bashkë në qeverisjen e vendit.

Pa dashur të merrem me emra të përveqëm, “stafeta” e abuzimeve me buxhetin e shtetit është bartur dhe trashëguar me besnikëri nga njëra qeveri tek tjetra, nga njëra parti tek tjetra, nga njëri politikan tek tjetri deri në ditët e sotme.

Si rezultat i kësaj, sot nuk e kemi asnjë parti politike që nuk është e përfshirë në afera korruptive të zhvatjes së buxhetit të shtetit. Mirëpo çuditërisht nuk e kemi asnjë politikan të profilit të lartë që është dënuar për vjedhje të buxhetit të shtetit, anipse disa figura të larta politike kanë qenë të akuzuar për vjedhje të dhjetra e qindra milion eurove nga aferat tenderuese.

Të gjitha aferat korruptive janë zhvilluar para syve të drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare (EULEX), madje këta të fundit, hajnat në majat e shtetit i patën cilësuar si “peshq të mëdhenjë”, për të cilët paten premtuar se do t’i vënë prapa grilave…

Kur drejtësia merrë anën e parasë

“Shpeshherë drejtësia e merrë anën e parasë”, e thotë një fjalë e urtë daneze. Edhe pse disa prej politikanëve të profilit të lartë kanë kaluar nëpër filtrat e drejtësisë vendore, arritën të dalin të pandëshkuar nga drejtësia në “mungesë” të provave, anipse provat më bindëse janë pasuritë qindra milionëshe dhe miliardëshe të tyre.
Kur është në pyetje abuzimi me djersën e popullit, përkatësisht me buxhetin e shtetit, hajdutët e ndihmojnë njëri tjetrin pavarësisht ngjyrave partiake për bartjen e mjeteve financiare nga njëra llogari tek tjetra, nga njëra bankë në tjetrën deri në të ashtuquajturat “Parajsa Fiskale”, ku mjetet financiare fshihen me numra fiskal, duke mos u bërë i ditur emri i personit fizik apo juridik.
Të gjitha hajdutëritë e politikanëve janë të përcjellura me patriotizëm folklorik, me maskarada mashtruese dhe spektakle televizive, kinse janë duke e luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Ndëshkim për mbrojtësit e parasë publike, shpërblim për ndihmësit e hajdutëve

Të gjithë ata që i kanë përcjellë abuzimet serike të pushtetarëve të pas luftës, para çdo vjedhje skandaloze të buxhetit të shtetit, politikanët shesin moral politik tek qytetarët, duke u paraqitur si engjuj dhe shpëtimtar të këtij populli.
Deri më sot nuk ka ndodhë në Republikën e Kosovës të dënohet dikush për vjedhje qindra milionëshe. Të rrezikuar janë vjedhësit e vegjël dhe hajdutët ordinerë, për të cilët drejtësia i hapë sy e vesh, ndërsa kur janë në pyetje shumat e mëdha të parave të vjedhura, prokurorët dhe gjykatësit nuk shohin dhe as dëgjojnë, ndërsa vendimet gjyqësore parashkruhen në dobi të hajdutëve dhe kriminelëve.
Në këtë rast, risku (rreziku) bie mbi ata që kanë ngritur aktkauzën apo ndaj atyre që kanë bërë publik abuzimin e buxhetit të shtetit, siq ishte rasti vjedhjes në një bankë, ku zyrtari bankar largohet nga puna për shkak të bërjes publike të vjedhjes së mjeteve financiare.
Në të gjitha abuzimet e mëdha financiare dhe aferat skandaloze ka pasur edhe shpërblime me poste të larta shetetërore për ata (ato) që kanë ndihmuuar në vjedhje dhe abuzim të buxhetit të shtetit.
Andaj, edhe ne rastin e fundit, rrezikon të dënohet dhe ndëshkohet nga “drejtësia” ai i cili i pari e bëri publik lajmin për avullimin e 2 milion eurove nga thesari shtetit!
Emrat e të shpërblyerve nga kjo vjedhje skandaloze do t’i mësojmë në qeverisjen e radhës!