Bashkimi Evropian vendosi të enjten sanksione ndaj kreut të zbulimit ushtarak rus Igor Kostjukov dhe një personi tjetër rus, të cilët i akuzon për vjedhje të mesazheve elektronike të Kancelares Angela Merkel në një sulm piraterie të vitit 2015 ndaj parlamentit gjerman.

Në muajin maj, Rusia i mohoi akuzat duke i quajtur një “histori e harruar” dhe tha se BE nuk kishte prova.

Sanksionet ndaj kreut të agjencisë së zbulimit ushtarak GRU, pasojnë një masë të ngjashme për ngrirje pasurish dhe ndalime udhëtimesh të vendosura javën e kaluar kundër disa zyrtarëve të afërt me Presidentin Vladimir Putin, për helmimin e dyshuar nga Rusia të kritikut të Kremlinit Aleksej Navalni.

Masat e reja u njoftuan nga Gazeta Zyrtare e BE-së.

Përveç Kostjukovit, masat venë në shënjestër personin tjetër, Dmitri Badin, i akuzuar si hakeri që orkestroi sulmin, si dhe të ashtuquajturën Qendra Kryesore 85 e GRU-së, e cila vuri në zbatimin planin.

“Një sasi e konsiderueshme të dhënash janë vjedhur dhe janë prekur gjithashtu llogaritë e postës elektronike të disa deputetëve si dhe të kancelares Angela Merkel,” tha Gazeta Zyrtare për sulmin.

Kostyukov, shefi i shtabit të përgjithshëm të GRU, ishte përgjegjës për shënjestrimin e sistemit të informacionit të parlamentit gjerman, tha Gazeta Zyrtare.

Badin akuzohet se ka qenë pjesë e grupit të hakerëve të njohur si APT 28, ose Fancy Bear, që Shtetet e Bashkuara gjithashtu e kanë akuzuar se vuri në shënjestër Partinë Demokratike gjatë fushatës zgjedhore presidenciale të vitit 2016.

Sanksionet e reja dhe ato të mëparshme të vendosura për çështjen Navalni, shënojnë një forcim të përgjigjes së BE-së ndaj asaj që i quan përpjekje ruse për të destabilizuar demokracitë e bllokut.

Gjermania ka deklaruar se zoti Navalni u helmua në Siberi me një agjent nervor të ndaluar.

Qeveria ruse i ka mohuar akuzat.