Franca, një nga fuqitë ushtarake më të mëdha të Evropës, do të arrijë këtë vit objektivin prej 2% të shpenzimeve për NATO-n, të kërkuar nga Shtetet e Bashkuara, tha aleanca të mërkurën, por shumica e vendeve anëtare mbeten prapa në plotësimin e këtij synimi.

NATO-ja tha në një raport se Franca vlerësohet të shpenzojë këtë vit për mbrojtjen 2.1% të prodhimit të saj ekonomik, duke arritur objektivin e vendosur nga udhëheqësit e aleancës në një samit të vitit 2014, pas aneksimit nga Rusia të gadishullit ukrainas të Krimesë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se 2020-a do të jetë

viti i gjashtë radhazi i rritjes së shpenzimeve të mbrojtjes nga aleatët evropianë dhe Kanadaja, deri në 4.3% në shifra reale.

“Ne presim që kjo prirje të vazhdojë,” u tha ai gazetarëve.

Ndërsa Francës iu bashkua Norvegjia duke arritur për herë të parë 2%, pavarësisht krizës së koronavirusit që i ka rënduar ekonomitë, vetëm 10 nga të 30 aleatët do ta arrijnë objektivin këtë vit, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, thuhet në raportin e NATO-s.

Italia, Spanja dhe Belgjika janë ndër vendet që shpenzojnë më pak.

Shpenzimet e mbrojtjes nga anëtarët e NATO-s ka të ngjarë të mbeten një problem për Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor, thonë diplomatët, zyrtarët dhe ekspertët.

Ngurrimi evropian për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen, megjithë faktin që disa vende mbajnë trupa amerikane, ka qenë një ndër ankesat kryesore të Presidentit Donald Trump, i cili ka venë në dyshim haptazi vlerën e NATO-s për Uashingtonin.

Vetëm Shtetet e Bashkuara, Britania, Greqia, Polonia, Letonia, Lituania, Estonia, Franca, Norvegjia dhe Rumania do të shpenzojnë 2% ose më shumë për mbrojtjen në vitin 2020, megjithëse Turqia, Bullgaria dhe Kroacia janë afër këtij objektivi.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, është zotuar ta arrijë objektivin para vitit 2031.