Debati i ardhshëm presidencial në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe kundërshtarit të tij demokrat, Joe Biden do të realizohet me mikrofona që do të mund të fiken, ashtu që kandidatët të flasin pa u penguar nga njëri-tjetri ka njoftuar Komisioni Presidencial për Debate më 19 tetor.

Ky Komision është duke bërë ndryshime për të shmangur ndërhyrjet që kanë dominuar gjatë debatit të parë, duke përfshirë edhe sulmet verbale dhe ofendimet.

Sugjerimi për fikje të mikrofonave ka ardhur pothuajse menjëherë pas debatit të parë, pasi Komisioni që organizon këto debate ka dhënë shenja se ndryshimet mëtojnë të rikthejnë dinjitetin në debatin e ardhshëm, që do të zhvillohet më 22 tetor.

“Komisioni shpreson që kandidatët do ta respektojnë kohën e njëri-tjetrit, gjë e cila do ta avancojë diskursin civil në të mirë të publikut”, ka thënë Komisioni përmes një deklarate.

Debati i ardhshëm do të jetë i fundit që do ta shohin votuesit para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Teksa votimet e hershme përmes postës veçse janë hapur, më shumë se 30 milionë amerikanë është raportuar të kenë votuar, gjë e cila pritet të kufizojë kapacitetin e Trumpit për të riformësuar këtë proces zgjedhor, ndërkohë që synon të tejkalojë Bidenin nëpër sondazhe.

Fikja e mikrofonave do t’i mundësojë secilit kandidat që të deklarohet për dy minuta pa u penguar në 15 minutat e parë të secilit segment të debatit. Pas kësaj kohe, të dy mikrofonat do të hapen për diskutim.

Fushata e Trumpit ka thënë se kundërshton këto ndryshime, mirëpo prapë se prapë, Trump do të marrë pjesë në debat.

“Presidenti Trump është i përkushtuar për të diskutuar me Joe Bidenin pavarësisht ndryshimeve të minutës së fundit nga një komision paragjykues dhe tentimet e tij të fundit që të ofrojë përparësi për kandidatin e tij favorit”, ka thënë Bill Stepien, menaxheri i fushatës së presidentit aktual në Shtetet e Bashkuara.

Fushata e Bidenit nuk ka komentuar ndryshimin e ri.

Temat për të cilat do të diskutojnë Trump dhe Biden janë luftimi i koronavirusit, familjet amerikane, raca në SHBA, ndryshimet klimatike, siguria kombëtare dhe udhëheqësia, ka thënë Komisioni Presidencial për Debate më 16 tetor.

Fushata e Trumpit ka reaguar pas publikimit të temave për debatin e ardhshëm, duke thënë se fokusi duhet të jetë më i madh në fushën e politikës së jashtme, si dhe është ankuar që komisioni – grup jopartiak – ka më shumë prirje drejt Bidenit.

Fushata e Bidenit ka thënë se të dyja palët janë pajtuar që moderatorët të zgjedhin temat e diskutimit.

Zyrtarët të fushatës së kandidatit demokrat kanë thënë se Trump dëshiron t’iu ikë diskutimeve që lidhen me menaxhimin e pandemisë së koronavirusit nga ekipi i tij.

Kristen Welker gazetare e kanalit NBC News, që raporton për kohë të gjatë nga Shtëpia e Bardhë, është caktuar si moderatore e debatit.

Dy kandidatët ishte planifikuar që të debatonin edhe më 15 tetor, mirëpo Komisioni pati ndryshuar rregullat duke mundësuar debat virtual, pasi presidenti Trump kishte rezultuar pozitiv në testin për koronavirus.

Trump nuk ka pranuar që të jetë pjesë e një debati të tillë, andaj kandidatët kanë mbajtur takimet e tyre të ndara me një pjesë të votuesve, në kohë e njëjtë, por në kanale të ndryshme televizive./VOA