Kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern fitoi të shtunën zgjedhjet e përgjithshme të vendit me një diferencë të thellë, duke arritur një shumicë absolute.

Me dy të tretat e votave të numëruara, Partia e saj e Punës e qendrës së majtë kishte siguruar më shumë se 49% të votave dhe pritej të siguronte afërsisht 64 vende në parlamentin me 120 anëtarë të vendit.

Shifra ishte aq e lartë saqë udhëheqësja e opozitës Judith Collins e pranoi humbjen dhe e telefonoi zonjën Ardern për ta uruar.

“Urime për rezultatin tuaj sepse është, besoj, një rezultat i jashtëzakonshëm për Partinë e Punës. Ka qenë një fushatë e vështirë,” tha zonja Collins në qytetin e Auckland-it.

Partia e saj Kombëtare konservatore pritet të marrë rreth 35 vende në atë që duket të jetë rezultati më i dobët i kësaj partie në zgjedhje në gati 20 vjet.

Asnjë udhëheqës politik nuk ka siguruar një shumicë absolute që kur Zelanda e Re miratoi një sistem votimi proporcional në vitin 1996, duke sjellë si rezultat disa qeveri të koalicionit.

Rezultati i zonjës Ardern është më i mirë se sa pritej dhe ka të ngjarë t’i japë Laburistëve fitoren e tyre më të fortë që nga viti 1946.

Ajo u vlerësua shumë për udhëheqjen e saj gjatë pandemisë së koronavirusit, e cila shkaktoi vetëm 25 vdekje në vendin me 5 milion banorë.

Ajo tregoi ndjeshmëri dhe vendosmëri për kontrollin e armëve pasi një supremacist i bardhë i armatosur vrau 51 myslimanë në një sulm ndaj xhamive vitin e kaluar.

Zonja Ardern gjithashtu shfaqi një udhëheqje të fortë në trajtimin e pasojave të një shpërthimi vullkanik në Ishullin e Bardhë, i njohur gjithashtu si Whakaari, që vrau 21 vetë dhe la dhjetra të plagosur në dhjetor.