Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, M. Lajçak, kërkoi që, për t’i hapur rrugë krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Republika e Kosovës duhet të ndryshojë kushtetutën e saj. Jo vetëm kaq, por ai deklaroi se gjatë takimeve të shumta, që pati në Prishtinë, asnjë nga bashkëbiseduesit e tij nuk e quajti të pamundur ndryshimin e kushtetutës. Sepse, theksoi ai, kushtetuta nuk është bibël.
Me përjashtim të Vjosa Osmanit, askush në Prishtinë nuk u distancua nga deklaratat e Lajçakut. Ku janë Hashim Thaçi, Avdullah Hoti, etj., që zhvilluan takime kokë më kokë me emisarin e BE-së? Përse nuk guxojnë t’i hedhin poshtë deklaratat e Lajçakut, apo edhe vetë ata janë dakord me idenë për ndryshimin e kushtetutës së Kosovës, sipas orekseve të Beogradit? Përse nuk bëjnë transparencën e takimeve me të huajt, duke e lënë opinionin në terr informativ, ose në mëshirën e copëzave të shkëputura të informacionit që ofrojnë këta të fundit?
E vërteta e hidhur duket se është ajo, sipas së cilës, pushtetarët tanë, të tjera gjëra flasin me emisarët e huaj dhe krejt të tjera u thonë qytetarëve të vet. Kjo qasje e papërgjegjshme e tyre na sjell para të papriturave të tilla, kur në vend që të kërkohet ndryshimi i kushtetutës serbe për ta hequr Kosovën nga preambula e saj, si pjesë përbërëse e Serbisë, kërkohet ndryshimi i kushtetutës sonë me qëllim përjetësimin e pranisë së Beogradit në Kosovë, nëpërmjet nivelit të tretë të pushtetit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ja deri ku degradoi procesi i bisedimeve me Serbinë!