Grupi i 20 kombeve, që përfaqëson ekonomitë më të mëdha në botë, ka miratuar zgjatjen e pagesës së borxhit për gjashtë muaj të tjera, duke synuar të mbrojë vendet më të prekshme në luftimin e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi nga G20, afati i ri është caktuar për në fund të qershorit të vitit 2021. Përndryshe, mbi 14 miliardë dollarë në pagesa borxhi u ndërprenë deri në fund të këtij viti.

G20 po ashtu njoftoi se afati i pagesës do të zgjatet më tej deri në fund të vitit të ardhshëm pasi të takohen Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore pranverën e ardhshme, ku anëtarët e G20-tës të shqyrtojnë situatën ekonomike dhe financiare të vendeve.

“Duke pasur parasysh shkallën e krizës COVID-19, dobësitë e konsiderueshme të borxhit dhe përkeqësimin e perspektivës në shumë vende me të ardhura të ulëta, ne pranojmë se trajtimet e borxheve mund të kërkohen rast pas rasti”, tha G20.

Grupi në parim u pajtua për një Kuadër të Përbashkët për Trajtimet e Borxhit jashtë Nismës së Pezullimit të Shërbimit të Borxhit, si dhe presin miratimin e kornizës nga anëtarët, në varësi të procedurave të tyre të miratimit të brendshëm.