Gjatë fushatës që Princi britanik William ka bërë për ngrohjen globale, së fundmi është përhapur lajmi i përfshirjes së këngëtares kolumbiane me famë botërore, Shakira, në këshillin e ‘Earthshot Prize’, një ekip që përbëhet nga individë të ndryshëm me influencë të angazhuar për politika mjedisore.

Lajmin për pjesëmarrje e ka shpërndarë në Instagram edhe vetë Shakira, ku shkruante se kishte zhvilluar një bisedë me Princin William.
“Një bisedë shumë e këndshme me Princin William për @earthprizeshot. Më frymëzon pasioni dhe dedikimi i tij në luftën kundër ngrohjes globale dhe përmirësimin e mjedisit. Të mos përmendim dhe entuziazmin për punën e palodhur. Jam shumë e nderuar dhe e lumtur që do të jem pjesë e panelit”.
Gjatë video-telefonatës së tyre, Princi William u shpreh: “Të dy në kemi fëmijë të vegjël dhe jemi dëshmitarë të pasionit që ata kanë kundrejt çështjeve me rëndësi si mjedisi. Përse mendon se edukimi është kyç për mbrojtjen e planetit?”
Shakira më pas shpjegoi se çdo prind kërkon që një fëmijë të rritet në një ambient të sigurt e të pastër dhe pohoi se dhe vetë fëmijët e saj janë treguar shumë entuziastë në përkujdesjen ndaj ambientit.
E kemi në ADN”, u shpreh 43-vjeçarja.
“Earthshot Prize” synon të mbështesë financiarisht 50 ambientalistë në projektet e tyre për të përmirësuar atmosferën në planet.