Bibliotekat e Republikës së Kosovës do pasurohen me librin më të ri të historianit, shkrimtarit tashmë të njohur, Jusuf Buxhovi. Libri, “Dardania-antika, mesjeta”, do shpërndahet nëpër çdo bibliotekë, falë donacionit të Milaim Avdullahu, drejtor i firmës farmaceutike “Santefarm” në Kosovë. Aksioni për shpërndarjen e librit “Dardania-antika, mesjeta”, ka filluar në Komunën e Gjakovës dhe të Deçanit, e që do vazhdon edhe nëpër komunat tjera të Kosovës. Pasurimi i bibliotekës “Ibrahim Rugova” të Gjakovës me veprën më të re të Buxhovit, u përshëndet nga Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, si dhe drejtori i Bibliotekës së qytetit, Engjëll Berisha. Me rastin e dorëzimit të ekzemplarëve, nga autori dhe botuesi, Ramiz Tafilaj, drejtor i “Jalifat Publishing”, kryetari Ardian Gjini, ka çmuar lartë punën e palodhshme të veprimtarit Jusuf Buxhovi, veprat e të cilit tashmë janë vendosur në një kënd të veçantë, që quhet “këndi i autorit”. Në prononcimin e tij për media, kryetari Gjini ka thënë se: “nga autori i Kosova, Dardania, Maqedonia, Dosja B, Dushkaja, dhe shumë veprave tjera historike, letrare e shkencore, presim edhe mëtej të shkruan dhe të boton, ngase është personi i duhur që mund të zbardhë historinë tonë kombëtare”, është shprehur kryetari i Gjakovës, kryetari i Komunës së Gjakovës, i cili ka premtuar përkrahje të vazhdueshme për bibliotekën “Ibrahim Rugova”. Ndërsa, Engjëll Berisha, drejtor i Bibliotekës “Ibrahim Rugova”, është shprehur se “këndit të autorit”, apo këndit me veprat e Jusuf Buxhovit, po i shtohen edhe titujt tjerë, që edhe më shumë po e pasurojnë fondin që është në dispozicion për 6 mijë anëtarët e kësaj biblioteke, në mesin e tyre edhe kryetari Ardian Gjini dhe fëmijët e tij. Gjithnjë sipas Berishës, këndi të ngjashme të autorit janë ndarë edhe për shkrimtarët Ali Podrimja, Din Mehmeti dhe Teki Dervishi.
E, për ata që nuk kursejnë xhepin për të financuar punimet e Buxhovit dhe të tjerëve, është diçka e paktë që bëjnë për kombin, për historinë shqiptare, që nga koha e pellazgëve e këndej. Njëjtë, si Tafilaj, ashtu edhe Avdullahu, janë shprehur se nuk do kursejnë asnjëherë mundin dhe buxhetin e tyre, për të përkrahur botime që janë në të mirë të historisë, kulturës dhe shkencës shqiptare.
Komplete të ngjashme të librave janë dhuruar edhe për Shoqatën e Intelektualëve “Jakova”, me rast ishte zhvilluar edhe një debat i hapur me intelektualët gjakovar. Në këtë debat, Buxhovi pos tjerash kishte deklaruar “se promovimi i librit “Dardania – antika, mesjeta”, fillon pikërisht në një ambient kulturor, që nga aspekti historik dhe shpirtëror, paraqet ADN-në e shqiptarizmës, që për fat të keq, gjatë këtyre njëzet viteve të fundit është degraduat shumanshëm. Libri im paraqet një thellim të mëtutjeshëm të çështjeve të parashtruara te “Kosova” në tetë vëllime, ku pretendohet që rolin e Dardanisë si mbretëri e rëndësishme e antikitetit, e minimizuar ose e anashkaluar qëllimisht nga historiografia jonë institucionale me ngarkesa ideologjike dhe limitet e historiografisë serbe, të rikthehet në vendin që i takon dhe e meriton , pra si qendër e antikitetit dhe bërthamë e identitetit shtetëror arbëror-shqiptar nga mesjeta e këndej. Po ashtu, Dardania, trajton edhe aspektin tjetër, të mbetur pezull ose të keqinterpretuar nga historiografia jonë institucionale në Tiranë dhe Prishtinë, rreth krishterimit dhe rolit të ortodoksisë si pjesë e trashëgimisë sonë shpirtërore, e përvetësuar nga politika hegjemoniste serbe, e cila krishterimin ortodoks e ka konvertuar në kishë ortodokse serbe, madje me autoqefali nga shekulli XIII, gjë që është një gënjeshtër, ngaqë autoqefalia e kishës ortodokse serbe është siguruar në vitin 1923, pra pas shtatë shekujsh pasi që të jetë formuar shteti hegjemon jugosllav i pranuar në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1920. Ky falsifikim, ka ndikuar, që shteti i Kosovës, me pakon e Ahtisarit, t’ia dorëzojë “tapitë historike” Serbisë! Në pjesën e Shtojcës, paraqiten faktet dhe dokumentet e shumta bizantine dhe të tjera, që tregojnë për falsifikimet e historiografisë serbe, qoftë duke i konvertuar Tribalët në serbë dhe Rashkën Nemanjane tribale në Serbi, qoftë duke konvertuar krishterimin ortodoks, me çka shqiptarët përjashtohen dhunshëm nga hisja e tyre e madhe në të, që për pasojë ka edhe shkëputjen nga trugu i tyre historik! Theksimi i këtyre fakteve në librin “Dardania” ngre çështjen e demistifikimit të gënjeshtrave të historiografisë serbe rreth Kosovës djep të shtetit mesjetar serb, që lidhet me Rashën dhe Nemanjajt tribalë, siç ngre edhe kërkesën imediate që historiografia institucionale në Tiranë, Prishtinë dhe gjetiu, të lirohet nga këto gënjeshtra, në mënyrë që t’i rikthejë tapitë e identitetit shoqëror dhe politik arbëror-shqiptar nga mesjeta të cilat gjenden pikërisht në hapësirën e Dardanisë dhe të Maqedonisë në rrethanat kur Bizanti po shthurej, ndërsa strukturat autonome po formësoheshin, ndër të cilat Rasha dhe Nemanjajt tribalë ishin pjesë e rëndësishme e këtij zhvillimi. Heshtja apo injorimi i këtyre fakteve doemos, historiografinë tonë e sjell në rolin e zëdhënësit të historiografisë hegjemoniste serbe, ndërkohë që identitetin historik të shteteve shqiptare (Shqipërisë dhe Kosovës) e vë para rrezikimit të sprovave ekzistenciale”.
Komplete të ngjashme janë dhuruar edhe në Deçan, për Bibliotekën e qytetit dhe Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur, gjë që ishte mirëpritur nga drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Leonora Ukëhajdaraj, e cila është shprehur se “Deçani, përkatësisht lexuesit deçanas, janë të nderuar pasi që në vitrinat e bibliotekës janë të vendosura edhe librat që trajtojnë historinë tonë, që nga koha pellazge”.