Nga : Tahir Bezhani

Largoi stinët nga fytyra jote, poezi, 2020, SHB.Muzgu =

Do ta ziej mishin e shpirtit tim
Në vorbën e lëkurës time të mbyllur

Poeti i mirënjohur tropojan, Zenun Hysenukaj, ka disa vite që ka bërë emër në letrat shqipe,duke botuar poezi të nivelit të lartë artistik,të cilat,avullojnë të kristalta nga shpirti i tij krijues.Duke shfletuar librin e tij më të ri me poezi, Largoi stinët nga fytyra jote”, por edhe botimet e mëhershme ,duhet të pranojmë se kemi para vetes një poezi e poet modest, të sinqertë, largpamës, me ndjeshmëri të thellë njerëzore e shoqërore, ku plagët e kohës kanë lënë e do lënë me lehtësi gjurmë të thella në shpirtin dhe mendjen e tij. Secilën libër të poetit ZenunHysenukaj të marësh për ta lexuar, në radhë të parë do ndjesh kënaqësinë e vargut, me rrjedhën melankolike të vargëzimit,ku lehtë bie në sy një vlerë e veçantë artistike, si një puhizë flladitëse, më stil dhe formë,ku impresionon veçanerisht mendimi artistik poetik.
Një karakteristikë dalluese nga shumë poetë të Malësisë së Gjakovës, që e dallon poetin ZenunHysenukaj, padyshim se është modestia krijuese e njerëzore. Një poet që me lezet shkrin pendën e mendjen, në të gjitha sferat e jetës, duke dëshiruar të jetë pjesë e pandashme e shpirtit të secilit person, në gëzime dhe hidhërime të kohës, vendlindjes së tij, kudo. Këtë e dëshmojnë vargjet e këtij krijuesi në këtë vepër poetike ku dashuria, dhimbja ,varfëria, koha e historia ,janë temat tabu që enden si gaca nëpër unazat e vuajtjes jetësore.
Në jetën e tërësishme të poetit Zenun Hysenukaj ,që nga fëmijëria, çdo dukuri negative e kohës,ka lënë gjurmë të paharruara në kujtesën e tij,të cilat reflektojnë dhimbjen e një jetë me shumë skamje. As burgimi i tij dhe ndarja nga e dashura,nuk kanë mbetur si dukuri,por si një zjarr që e përcjell ngadalë deri në pleqëri. Rrudhat e ballit janë stoli të kohës dhe përjetimeve të rënda ,porse poeti, gjithmonë në heshtje ka vuajtur, në heshtja ka bartur peshën e kohës plot tmerr. Duke i ndjerë plagët e kohës së shfrenuar ,të një diktature të paparë në vendin e tij, nuk është aspak befasuese vetmia e cekur sa e sa herë në vargjet e këtij poeti, nga se i kishte humbur besimi edhe në hijen e vetvetes, karshi një regjimi diktatorial.
Në poezinë Qytet prej gjaku, vargjet dëshmojnë gjithë katrahurën e një kohe, kur shpirti i poetit ngërthen aq prekshëm me këto vargje:
O heshtje e shekujsh/Mbi krye po të lë kohën,/të gjurmojë kohën/E shoh dhembjen e ngjyer me harresë/Lotët në qepallë ,flokët thinjur. Janë psherëtima vitesh.
Tek poeti nostalgjik dhe me ndjeshmëri të skajshme,dhimbja është plagë me dregëz që gjithmonë gjakoset nga e kruaja e kohës. Ja se si poeti me talent,vargëzon situata të tilla shoqërore:
Çuditem/Punojnë për atdheun/ata që skanë shtëpi/Ecin me këpucë të shqyera/Ata që ndërtojnë rrugë/Fluturojnë me avion/Ata që vranë zogj në fëmijëri….
Përmes një realiteti të përjetuar si poet me shpirt të madh, qëndron forca kohezive e vizionit njerëzor ,i cili si i tillë, ndikon në ndërgjegje unike, mendoj edhe në karaktere njerëzish me botëkuptime aventuriere në shoqëri. Do them lirshëm se pesha e vargjeve të poetit Zenun Hysenukaj, ka forcën poetike të ujtmanizuar dhe peshën e vlerës njerëzore të pakrahasuar. Në shumë raste,në poezitë e poetit Zenun Hysenukaj, hetojmë ndikimin e poetëve të mëdhenj të Rilindjes kombëtare, si të Mjedës, Shirokës ,Çajupit etj. Por brenda shpirtit të poetit ,vlon thelbi i shpirtit migjenian, i cili shfaqet edhe si protestë e ashpër shoqërore në raste të caktuara.
Malli ndaj vendlindjes është pesha më e rëndë në shpirtin e poetit .Poeti Zenun Hysenukaj ,ka vite që jeton në Tiranë. Ngjarjet e kobshme të vitit 1997 ndikuan në lëvizjen demografike të qytetarëve në tërë Shqipërinë. Duke u strehuar në kryeqytetin shqiptar, mungesa e bukurive të vendlindjes, poetin e therin thellë, zemra i rrah vetëm te çerdhja e hershme, te e bukura Tropojë . Gjithmonë poeti e bart në zemër si peshë ngarkuar,mallin e Kerrnajës,kodrat dhe lisat e gjatë,ajrin e freskët nga pishat e bjeshkëve përreth. Si gjithë poetët e mëdhenj ,edhe poeti Zenun Hysenukaj, i këndon me zjarr malli vendlindjes ,fshatit Kerrnajë,i cili për poetin ka metaforën e dhimbjes:
Loti qenka më i madh se njeriu.
Pra,Kerrnaja,një lot i varur në bebëza malli….Vendi i duket shkretë,ngase tani nuk takon moshatarët e tij të fëmijërisë,rinia ka ikur në botën e jashtme dhe poeti ngërthen ne vargje
: Sa rrugë jetime o Zot!/Ka rrugë pa njerëz/Ka njerëz pa rrugë/Asgjë nuk mendoj/ Koka më behët e rëndë, ose vargu tjetër akoma më peshues: Jetadhe vdekja kanë dal në shëtitje/Ndonjëherë krah për krah/Ndonjëherë ballë për ballë/Jeta e vdekur dhe vdekja e gjallë.
: Por më burrë më bëjnë plagët/Sa herë kthehem tek kjo shtëpi e vjetër/Ndoshta edhe më i mençur/Por më i dashur pa tjetër…
Të kësaj natyre me vargje të fuqishme e prekëse janë edhe shumë poezi të autorit nga libri i lartcekur, ku buron i gjithë pellgu i mallit, i larë në lot e dhimbje për vendlindjen e tij të dashur, Kerrnajen në nënsqetullat e alpine.
Nën presionin e psikozës krijuese,nën rrahjen e damarëve që vlon nga vargu meditativ i poetit rebel, momentet e hedhin në mëdyshjet e jetës ,mes valëve valëvitëse të kohës, që ikën në heshtje,si heshtje e poetit pëlcitës. Në poezinë Të hesht a të flas, gulçojnë vargjet:
Rrëzohem e bie për tu ngritur prap / Po asgjë smë tërheq për shpëtim/O malet e Shqipërisë e lisat e Naimit/Përhapeni kudo ju zërin e tim,dhe si porosi,nga se është i larguar nga aty,thotë:
Larg si një lum që se njeh vetveten/I tharë mizorisht nga kjo stinë….

Një motiv me kaq peshë frymëzuese e gjejmë edhe në librin prozaik te sapo përuruar këto ditë, Kujtimet të fjetura(letra, ese, kujtime), ku në fq.52,shkrimi Shtëpi e braktisur, si prozë poetike, poeti ka trajtuar të njëjtin motiv, por akoma edhe më mallshëm se vargjet poetike të lartcekura. Me rastin e vizitës në Shtëpinë e braktisur,shkruan:
Kaloj nga një dhomë në tjetrën dhe ndërsa dyert kërcasin si kocka pleqësh, sytë më bëjnë vetëm terr”.
Duke shëtitur faqeve të librit në fjalë. ”Largoi stinët nga fytyra jote, por edhe në librat tjerë me poezi si Ku ikën ti vetja ime?etj. na mbërthen kënaqësia se kemi para vetes një poet me një botë poetike shumë të pasur, ku subjekti poetik është vetë njeriu ,fatet e tij ,rrokullisjet e jetës greminave të paparashikuara, largimi nga atdheu i rinisë ,lëvizjet demografike të qytetarëve për një jetë më të mirë e shumë aspekte tjera, të cilat poeti Zenun Hysenukaj, me një talent të rrallë ia ofron lexuesit si pasuri letrare e artistike. Poezinë e bëjnë të lexueshme dhe atraktive elementet e saj, si metafora, ndërtimi i vargut, pasuria gjuhësore etj. të cilat, tek poeti ZenunHysenukaj, kanë gjetur vendin e duhur në përdorim poetik.
Padyshim dhe me mburrje e them se poezia e poetit tropojan, Zenun Hysenukaj, është një pasuri, një risi poetike që duhet të lexohet dhe trajtohet me kujdes nga studiues të mirëfilltë dhe të ngrihet në vendin e duhur te poetëve me vlera kombëtare.

Gjakovë, 04/09/2020