Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas ka zhvilluar sot një vizitë në Greqi ku është takuar me homologun e tij Nikos Dendias dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë greke.

Në fokus të vizitës së tij ka qenë pikërisht tensioni mes Greqisë dhe Turqisë për Mesdheun Lindor.

Ministri gjerman është treguar i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij, kur ka thënë se Gjermania dhe Bashkimi Europian qëndrojnë në anën e Greqisë.

“Qëllimi kryesor i vizitës time, dhe me këtë nuk zbuloj ndonjë sekret, është situata e tensionuar në Mesdheun Lindor. Përshkallëzimi i situatës ka shkaktuar shqetësime të mëdha për ne, anëtarët e tjerë të BE-së dhe NATO-s. Unë do të vazhdoj udhëtimin tim për në Ankara për të vazhduar bisedimet për Mesdheun Lindor. Jam sot këtu me dy mesazhe. E para, Gjermania dhe BE qëndrojnë fort në anën e Greqisë. Dhe mesazhi i dytë është se ajo që nevojitet tani është vullneti për dialog mes palëve”.

Kreu i diplomacisë gjermane i ka dërguar një mesazh të qartë Turqisë, që një incident sado i vogël mund të shkaktojë katastrofë.

“Situata në Mesdheun Lindor është si të luash me zjarrin. Shkëndija më e vogël mund të çojë në një katastrofë. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të mos lejuar që kjo të ndodhë. Është një pamje e paimagjinueshme që nuk i përshtatet shekullit XXI”.

Maas theksoi se Gjermania do të bëjë gjithçka për të mundësuar dialog mes Greqisë dhe Turqisë, çka do të sillte uljen e tensioneve në Mesdheun Lindor.