Rrjeti social Facebook ka arritur një marrëveshje me Francën, sipas të cilës do t’i paguajë shtetit francez 106 milionë Euro taksa që i ka detyrime të prapambetura.

Në këtë mënyrë zgjidhet edhe ngërçi mes kompanisë amerikane dhe shtetit francez, që ka kërkuar nga kompanitë teknologjike të paguajnë më shumë taksa.

Detyrimet e prapambetura të Facebook për aktivitetin e saj në Francë datojnë që prej vitit 2009. Pjesë e marrëveshjes së arritur me palëve është edhe pagesa e 8.46 milionë Eurove nga ana e Facebook si taksë mbi të ardhurat për vitin 2020, 50% më shumë se në vitin 2019.

“Ne i paguajmë taksat që i kemi borxh çdo shteti në të cilin kemi aktivitet. I marrim seriozisht detyrimet tona tatimore dhe punojmë ngushtë me autoritetet në të gjithë botën për të qenë korrekt me ligjet dhe detyrimet tatimore”, tha një zëdhënëse e Facebook.

Edhe gjigandë të tjerë të teknologjisë siç janë Google, Apple dhe Amazon kanë arritur marrëveshje të ngjashme me autoritetet tatimore franceze.