Që nga zgjedhjet e para parlamentare të vitit 2001 e këndej, çështja e zgjedhjes së presidentit është bërë pengesë serioze e lidhjes së koalicioneve qeverisëse dhe shkaktar i prishjes së tyre. Të gjithë liderët partiak pa dallim, ngritjen në piedestalin politik e fillojnë me kandidaturat për postin e kryeministrit dhe e dëshirojnë ta përfundojnë me atë të presidentit.
Zgjedhja e presidentit nga populli, kërkesë prej dy dekadash
I vetmi lider partiak në hierarkinë e shtetit që është ngritur si president dhe e ka mbaruar karrierën në të njëjtin post është presidenti historik Ibrahim Rugova.
Duke i parë vështirësitë dhe prapaskenat e zgjedhjes së presidentit, Ibrahim Rugova ishte ndër të parët që kishte kërkuar zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejt nga populli, e jo të mbetet objekt i pazareve politike.
Edhe përkundër kërkesave të vazhdueshme të shoqërisë civile, qytetarëve dhe medieve të pavarura për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejtë nga populli,  vazhdon të mungojë vullneti i partive politike për marrjen e iniciativës për amandamentimin e ligjit për zgjedhjen e presidentit nga populli.
Pazaret zinxhirore per postin e presidentit
Pazaret më të theksuara politike për zgjedhjen e presidentit janë shfaqur pas shkuarjes në amshim të presidentit historik Ibrahim Rugova, respektivisht pas rrëzimit të presidentit Fatmir Sejdiu përmes kushtetueses, derisa është detyruar të ndërhyjë edhe bashkësia ndërkombëtare përmes “Zarfit” famoz, i cili Kosovës i solli presidenten Atifete Jahjaga nga radhët e Policisë së Kosovës (7 prill 2011-7 prill 2016).
Mirëpo edhe kjo ndërhyrje amerikane nuk i ndërpreu pazaret politike për presidentin.
Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014, në marrëveshjen politike për bashkëqeverisje mes PDK-së dhe LDK-së u fut në pazar edhe posti i presidentit, me ç’rast LDK-ja e fitoi për herë të parë postin e kryeministrit në këmbim të postit të presidentit për Hashim Thaçin, i cili e pasoj zonjen Atifete Jahjaga me 7 prill 2016.
Edhe pse kanë mbetur edhe nëntë muaj deri në fund të mandatit kushtetues të presidentit Thaçi, janë ndezur motorët për pasuesin e ri.
Njëri nga partnerët e koalicionit aktual qeverisës tashmë e ka bërë publike kërkesën për zgjedhjen e liderit të saj për president të shtetit, kërkesë kjo legjitime e AAK-së dhe dëshirë personale e Haradinajt.
Mbase kjo kërkesë e parakohshme e AAK-së do të bëhet “mollë sherri” për prishjen e koalicionit qeverisës, për arsye se lideri aktual i LDK-së, Isa Mustafa e ka akoma dëshirë jetësore marrjen e postit të presidentit të vendit.
E quajta të parakohshme edhe për faktin se, as presidenti aktual ende nuk e ka thënë fjalën e fundit për rikandidim apo jo pas intervistimit nga Gjykatën Speciale në Hagë!
Dëshirat legjitime pa legjitimitet qytetarë
“Unë kryeministër”, “Unë president”, është logjikë e kushtëzimit nga e cila nuk lirohen lehtë shqiptarët e uritur për pushtet!
Vetëm forca e ligjit mund t’i ndaloj epshet e sëmuara për pushtet të liderëve partiak.
Prandaj, me urgjencë dhe sa më parë kjo Legjislaturë e Kuvendit duhet të inicojë ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht ndryshimin e ligjit për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejt nga populli, i cili do të pamundësonte futjen në pazar të postit të presidentit gjatë marrëveshjeve të ardhshme për koalicion të ri mes subjekteve politike.
Ligji për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejtë nga populli, do të bënte që muaji Maj i vitit të ardhshëm ta gjejë Kosovën me një president të ri të votuar nga populli, e jo të kontrabanduar sikurse deri më tani.
Kosova duhet të bëhet në kuptimin e plotë të fjalës shtet ligjor dhe demokratik, në të kundërtën rrezikon të shndërrohet në anarki totale, ku të fortët e politikës vendosin se kush do të jetë kryeministër dhe president i këtij vendi, duke i përdorur zgjedhjet vetëm si dekor dhe mashtrim për elektoratin.
Demokracia përveq lirisë së shprehjes nënkupton barazinë e qytetarëve para ligjit, të drejtën e zgjedhjes dhe për të qenë i zgjedhur.
Vetëm në këtë mënyrë mund të shfaqen dëshirat e secilit dhe të kërkohet besimi nga qytetarët e vendit. Dëshirat janë legjitime, por pa legjitimitet qytetarë mbetën dëshira për ata që kandidojnë dhe iluzione për ata që nuk e meritojnë postin e presidentit.
Ndryshe, nuk mund të jetë ligjore dhe as demokratike të kërkesa ultimative “Unë president” ose ndryshe nuk bën!”
Në momentin që të krijohen kushtet për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejtë nga populli, ka të drejtë secili qytetar i vendit të paraqesë kandidaturën për president, por jo edhe të thotë “Unë president” pa e marrë besimin e popullit.
Marrëveshja e fundit politike që na e solli presidentin aktual ishte “Unë president, ti kryeministër”, dhe me gjasë e njëjta formulë do të zgjasë derisa të zgjidhet presidenti drejtëpërdrejtë nga populli i Kosovës e jo nga votat e deputetëve në Kuvend!
Alternativa e re politike, shpresa e fundit për ndryshim
Nga ato që ceka më sipër dhe zhvillimet e ditëve të fundit, janë dëshmi e mjaftueshme për nevojën imediate të ngjizjes së një alternative të re politike, të pandikuar nga partitë aktuale.
Lindja e një alternative të re politike do të ringjallë shpresat e qytetarëve për jetë në këto troje. Vazhdimi i “status quos” me të njejtat parti dhe lider që thyen shpresat për jetë në këtë vend, do t’i  bëjë qytetarët akoma më të pa interesuar për të dalë në zgjedhje dhe për të qëndruar në atdheun e tyre.
Nuk është koha për akuza dhe kundër akuza, as për sharje e fyerje, as per heshtje dhe stagnim, por për meditim, reflektim, vetëdijësim dhe ndërgjegjësim qytetarë, është koha per besim në zot dhe atdhe, për dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, për unifikimin e forcave progresive për çlirimin e shpirtërave të robëruar nga mashtruesit e intrigantët, demagoget dhe diktatorët e veshur nën petkun e demokracisë.
Elektorati kosovarë i shpërndarë në subjektet eksistuese janë qytetarë të ndershën të këtij vendi, janë vëllëzërit e motrat tona gjithandej Kosovës dhe në Diasporë .
Ky elektorat i shpërndarë në subjektet ekzistuese nuk duhet të përdoret edhe më tutje për llogari të partive të dështuara politike dhe për interesa meskine të liderëve partiak dhe grupeve tjera të interesit.
Të mos bëhemi mbështetës dhe as simpatizant të partive të dështuara politike. Do të jetë e pafalshme për ne, nëse i mbështesim në garën për pushtet këto parti dhe këta liderë matrapaz që kontrabanduan vullnetin tonë për 2 dekada rresht, nga njëra parti tek tjetra.
Fundi i politikanëve të korruptuar dhe politikanëve mashtrues me kauza të rrëjshme, për aq sa varet nga vetëdija qytetare, varet edhe nga organizimi i elitës intelektuale dhe mobilizimi i mërgatës tonë.
21.08.2020