Poet, drejtues, autor i teksteve të këngëve folklorike, publicist dhe studiues në etnokulturë.

Lindi në Kurbnesh. Ka botuar poezi që në rininë e hershme në shtypin e kohës. I ndalohet e drejta e botimit dhe e studimeve të larta për motive politike. U mor me qëmtimin dhe lëvrimin e këngës popullore dhe lëvizjen amatore në Mirditë, duke u bërë autor i një varg lirikash, që u kënduan në festivalet folklorike kombëtare.

Ka botuar tre vëllime poetike dhe një libër me publicistikë e studime për etnokulturën. Është zgjedhur kryetar i Komunës Selitë (1992-96 e 2000-2003). Ndërkohë ka kryer Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Në këtë kohë, si rrallë drejtues të pushtetit vendor, mbështeti intensivisht nismat kulturore në Mirditë dhe botimet e disa autorëve.

Nga viti 2004 e në vijim, ka punuar në Këshillin e Qarkut Lezhë, si specialist i politikave të zhvillimit dhe zëdhënës i këtij Këshilli.

Pas viteve ’90 e në vazhdim, krijimtaria e tij si poet i këngës mori përmasa mbarë kombëtare edhe në poezinë e këngëve të Grupit të Burrave Mirditë, si dhe të Ansamblit Mirdita, si “Fryj moj erë e Evropës”,’’Tokën tonë e bekoi Zoti’’, “Udha jonë është udha e zotit”, “Qesin pushkë djemtë e Selitës’, “S’të harron Mirdita kurrë”-kushtuar legjendës së Grupit te Burrave Fran Vorfi, “Nji bilbili të shqiptarisë’’(Gjok Beci)”, “Prengë Markola , derë e parë”, “Qielli i Arbrit plot me yje”-kushtuar atdhetarit Prenge Mark Prenga, si dhe lirikat: ‘’Brigjeve të Urakës’’, ‘’Shtegut të bjeshkës’’, ‘’Falmi Zot edhe dy sy’’, ‘’Tringëllojnë e tringëllojnë’’ etj.

Është fitues i Çmimit Letrar Kombëtar “Serembe” (2012), për poezi dhe redaktor i shumë vëllimeve poetike e monografive.