Ndërsa koronavirusi mbetet një ndër shqetësimet kryesore në nivel botëror

  • Sipas një sondazhi mujor të IPSOS, në maj koronavisuri mbetet një nga shqetësimet kryesore në nivel botëror
  • Por papunësia i zë vendin COVID-19 si shqetësimi kryesor në gjashtë vende

Shqetësimi për papunësinë është rritur në pesë vjet në maj, kur kriza e koronavirusit kaloi në fazën tjetër. Ndërkohë që COVID-19 mbeti shqetësimi më i shpeshtë i artikuluar, sipas një sondazhi mujor nga IPSOS, papunësia renditet e dyta dhe kapërcen shqetësimin prej pandemisë, duke zënë vendin e parë në gjashtë vende.

Tregjet e goditura të punës

Politikëbërësit, të cilët në fillim u përqendruan në mosperhapjen e virusit, për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish, tani po e kthejnë vëmendjen te pasojat ekonomike të shkaktuara nga lockdown dhe masat e tjera, të cilat shkaktuan paralizë, në pjesën më të madhe të ekonomisë botërore. Sipas parashikimeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD),  aktiviteti ekonomik global do të ulet me shumë gjasa me 6% në vitin 2020, ndërsa papunësia do të rritet në 9,4% nga 5,4% në vitin 2019.

“Rimëkëmbja, pas një rifillimi të vrullshëm të aktivitetit, do të kërkojë kohë për të sjellë prodhimin në nivelet para pandemisë, dhe kriza do të lërë gjurmë për një kohë të gjatë” – shkruan OECD. “Humbja e vendeve të punës në sektorët më të goditur si turizmi, hotelet dhe argëtimi, do të godasë në veçanti punonjësit më pak të kualifikuar, të rinj dhe informalë”.

Nuk është e habitshme që niveli më i lartë i shqetësimeve për papunësinë është regjistruar te disa nga vendet e prekura më shumë nga COVID-19. Në Spanjë, 66% e të anketuarve u përgjigjën se ky ishte shqetësimi i tyre kryesor, ndjekur nga Italia, 65%. Shqetësimet për papunësinë në mbarë botën janë rritur në 42%, ky është niveli më i lartë i regjistruar në 5 vjet.

Ndërkohë që koronavirusi mbetet shqetësimi më i madh, shqetësimi për të ka rënë krahasuar me muajin prill. Në nivel botëror, 55% përmendën pandeminë si shqetësimin kryesor në maj, në rënie me tetë pikë përqindje krahasuar me një muaj më parë. Shqetësimi ishte më i madh në Malajzi me 74% që e cilësuan si shqetësimin kryesor, ndjekur nga Japonia, 73%, dhe Britania e Madhe, 71%.

COVID-19 ishte shqetësimi më i madh në 18 nga 27 vende të marrë në vëzhgim, duke lënë pas papunësinë në Argjentinë, Itali, Afrikën e Jugut, Korenë e Jugut, Spanjën dhe Turqinë. Sondazhi u krye te njerëz të rritur në 27 vende të botës, në periudhën 24 prill – 8 maj.

*Emma Charlton, Senior Writer, Formative Content
Burimi: World Economic Forum