Rimëkëmbja e futbollit na lejon të arrijmë ngadalë në një vlerësim më të saktë të ndikimit të koronavirusit te financat e klubeve. Ekipi i KPMG, Football Benchmark, ka punuar gjatë këtyre muajve për të identifikuar sfidat kryesore me të cilat duhet të përballet sektori.

Në mes të marsit, KPMG vlerësoi humbjet potenciale për Ligat kryesore europiane të futbollit, ndërsa në muajin maj ilustroi se si COVID–19 mund të kishte goditur vlerën e tregut të futbollistëve mbi bazën e dy skenarëve potencialë: pezullimin përfundimisht të sezonit që po zhvillohej ose përfundimin e sezonit me ndeshje me dyer të mbyllura.

Është e padiskutueshme që pandemia ka ndikuar edhe në vlerat e klubeve, por ndikimi i menjëhershëm dhe specifik në nivelin e korporatave nuk mund të jetë sasior, pasi bilancet për sezonin aktual të futbollit do të publikohen në muajt e ardhshëm.

E sigurt është se flukset e të ardhurave të klubeve janë ndikuar nga mungesa e të ardhurave në stadium, dhe nga pezullimi ose reduktimi i të ardhurave komerciale ose nga të drejtat televizive. Në anën tjetër, kostot operative (kryesisht pagat e lojtarëve) janë reduktuar me të njëjtin ritëm, me pasoja negative te fitimet dhe likuiditetin e klubeve.

Në lidhje me vlerën në treg të futbollistëve, rimëkëmbja na jep mundësinë të bëjmë një vlerësim më të saktë. Sipas KPMG, vlera totale e të gjithë 4183 lojtarëve në 10 kampionate europiane të marrë në analizë do të ishte ulur me një total thuajse 10 miliardë euro në rast të ndalimit përfundimtar dhe 6,6 miliardë euro në rast të rifillimit.

Shifra më e afërt me realitetin është e dyta, duke pasur parasysh që vetëm Ligue 1 dhe Eredivisie (përveç Jupiler Pro League) i kanë dhënë fund kampionati të tyre. Me pak fjalë, në klubet franceze dhe holandeze, vlera e tregut të lojtarëve ka rënë më shumë: Lione është në krye me -27,5% dhe PSG e dyta, me -25.4%.

Ndër 32 klubet e renditura nga KPMG në bazë të Enterprise Value të tyre – ndër ato që kanë rinisur të luajnë, Schalke është klubi, vlera e skuadrës të të cilit ka rënë më pak, 11,9%, kurse Galatasaray është klubi që ka humbur më shumë, -23,3%.

Në mesin e klubeve kryesore, sipas KPMG, Barcelona ka humbur rreth 20,5% të vlerës së saj. Në vend të dytë, Real Madrid, me 19,1% dhe në të tretin, Manchester United, me 13,8% – kjo është humbja më e ulët në përqindje në mesin e dhjetë klubeve të para në klasifikim sa i përket vlerës së biznesit (Enterprise Value).