Një pronar restoranti në Vilnus të Lituanisë ka dalë me një ide mjaft krijuse, duke vënë manekinë elegantë nëpër tavolina për të joshur klientët por edhe për t’i ndihmuar ata që të përshtaten me realitetin e ri të distancimit fizik. Kjo ide, gjithashtu e bën restorantin të duket më komod ndërsa i jep nxitje edhe industrisë lokale të modës.Korrespondentja e Zërit të Amerikës Julie Taboh sjell më shumë hollësi.

Manekinët e veshur me rroba elegante kanë zënë karriget nëpër restorante në kryeqytetin e Lituanisë. Ideja është për të tërhequr klientët pas mbylljes nga pandemia dhe ndihmuar në mbajtjen e distancës fizike.

Veshjet e tyre vijnë nga butikët përreth dhe janë krijuar nga stilistët vendas. Bernie Ter Braak është pronar i restrorantit “Cozy”.

“Dje, kur manekinët ishin vendosur në karriget e tyre, për një moment dukej se restoranti ishte plot dhe i dha gjallëri më të madhe lokalit. Ky ishte qëllimi kryesor i të gjithë projektit dhe u ndjeva se tashmë po funksionon.”

Edhe restorantet e tjera në qytet i janë bashkuar nismës. Odeta Plakiene është kliente në “Cafe Sugamour”.

“Tani e di me siguri se ku mund të ulesh dhe ku nuk mundesh. Kjo të jep një humor të mirë dhe me të vërtetë dolëm me buzëqeshje në fytyrat tona.”

Koncepti i përdorimit të manekinëve për të mbushur restorantet po ndodh edhe në vende të tjera.

Në Amerikë, manekinë të veshur me rroba të modës së viteve 1940 po ashtu po ndihmojë që distancimi fizik të mos duket jo aq i largët në restorantin e famshëm “The Inn at Little Washington” në shtetin Virxhinia.