Google njoftoi se do të rihapë zyrat nga 6 korriku për punonjësit që kanë nevojë apo ata që dëshirojnë të rikthehen, transmeton Business Insider: “Duke nisur nga 6 korriku, duke supozuar se rrethanat e jashtme do ta lejojnë, ne do të hapim më shumë zyra, në më shumë qytete” – shkruan CEO i kompanisë, Sundar Pichai, në një letër dërguar punonjësve, e publikuar në blogun e kompanisë.

“Kjo do t’u japë Googlers, të cilët kanë nevojë të shkojnë sërish në zyrë apo atyre që dëshirojnë – nëse rrethanat janë të favorshme – mundësinë të rikthehen, në një numër të kufizuar dhe me rotacion (për shembull një apo dy ditë në javë). Pichai shtoi se do të ketë “masa të rrepta shëndetësore dhe sigurie” për ata që vendosin të kthehen, dhe se “zyra do të ketë një tjetër ndjesi nga ajo para se të shkëputeshin”.

Për momentin, plani i Google është të rikthejë në zyra rreth 30% të punonjësve në shtator,por në letër Pichai pranoi se gjithçka varet nga kushtet e jashtme, të cilat mund të ndryshojnë. Pichai tha se Google po nxit punonjësit, të cilët mund të punojnë nga shtëpia, të vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë, por shtoi se një “numër i kufizuar” njerëzish në pozicione të caktuara duhet të kthehet në zyrë në vitin 2020. CEO i kompanisë njoftoi se ata do të njoftohen më10 qershor. Për punonjësit që do të vijojnë të punojnë nga shtëpia, Google do të japë 1000 dollarë për shpenzime për pajisjet e zyrës.