Boksieri legjendar ka lënë gjurmë në historinë e boksit me jetën e tij dedikuar luftës kundër racizmit në SHBA.

I cilësuar si boksieri më i mirë i të gjitha kohërave, legjenda Muhammad Ali po përkujtohet katër vjet pasi ndërroi jetë, jo vetëm për talentin e tij në ring, por edhe për trashëgiminë në luftën kundër racizmit dhe diskriminimit në SHBA, shkruan Anadolu Agency (AA).

Ali lindi si Cassius Marcellus Clay Jr. në Louisville, Kentucky, më 17 janar të vitit 1942.

I rritur në një familje afro-amerikane të klasës së mesme, jeta e Cassius-it ndryshoi kur iu vodh biçikleta kur ishte 12 vjeç.

Në komisariat, ai u tha oficerëve se dëshironte të rrihte hajdutin. Njëri prej tyre, që njëherësh ishte edhe trajner i boksit, e inkurajoi atë të merrej me sport.

Muhammad Ali u stërvit nga trajneri Chuck Bodak për katër vitet e ardhshme dhe fitoi çmimet amatore “Doreza e Artë” në turne të shumta rajonale, duke triumfuar në 95 nga 100 ndeshjet e zhvilluara.

I konsideruar si një nga boksierët më të mëdhenj që ka jetuar ndonjëherë, ai fitoi medaljen e artë në kategorinë e peshës së rëndë të lehtë (light heavyweight) në Lojërat Olimpike të vitit 1960 në Romë.

Pas kthimit të tij nga Roma, Ali hodhi medaljen e tij të artë në lumin e Ohios pasi atij iu refuzua shërbimi në një restorant për shkak të ngjyrës së lëkurës së tij, siç thuhet në autobiografinë e tij, duke shprehur revoltë të fuqishme kundër diskriminimit racor të institucionalizuar në kohën e Lëvizjes së të Drejtave Civile në SHBA.

Në Lojërat Olimpike të Atlantës në vitin 1996, atij iu dha medalja e artë zëvendësuese.

Mposhti rivalin në ndeshjen debutuese

Pasi mposhti Tunney Hunsaker-in në përballjen debutuese profesionale më 29 tetor 1960, Ali fitoi popullaritet me triumfiet e mëdha kundër disa rivalëve të rëndësishëm, siç ishin Tony Esperti, Jim Robinson, Donnie Fleeman, Alonzo Johnson, George Logan, Willi Besmanoff, Lamar Clark, Doug Jones dhe Henry Cooper.

Ali fitoi 15 nga 19 ndeshjet e tij të para me nokaut në tre vitet e para të karrierës së tij profesionale të boksit, duke tërhequr vëmendjen e komunitetit të boksit me ngritjen e tij drejt suksesit.

Ali kundër Liston-it

Në Kampionatin Botëror të Peshave të Rënda në Boks në Miami, Florida, Ali më 25 shkurt 1964 u përball me Sonny Liston-in në një nga luftimet më të famshme në historinë e këtij sporti.

Duke e rrëzuar Liston-in në raundin e shtatë, Ali fitoi titullin e tij të parë në peshën e rëndë në moshën 22 vjeç.

Në Lewiston, Maine, ai u përball përsëri me Liston-in në një ndeshje tjetër më 1965.

Ali e rrëzoi Liston-in brenda dy minutave të raundit të parë me një grusht të paparishikuar që u njoh në historinë e boksit si “goditja fantazmë”.

56 fitore në 61 ndeshje

Ali theu edhe një rekord tjetër duke fituar 161 nga 167 ndeshjet amatore në karrierën e tij.

I mundur vetëm pesë herë në 61 ndeshje profesionale, ai u bë kampion botëror me 56 fitore, prej të cilave 37 me nokaut.

Konvertimi në Islam

Boksieri më i ri botëror i peshave të rënda përqafoi Islamin në moshën 22-vjeçare në vitin 1964, pas fitores së tij ndaj Liston-it.

Duke ndryshuar emrin e tij në Muhammad Ali, ai shfaqi interesim në këtë fe kur iu bashkua lëvizjes afro-amerikane të njohur si Kombi i Islamit që u themelua në vitet 1930 nga Wallace D. Fard Muhammad.

Ali fillimisht ishte i lidhur me Kombin e Islamit dhe kishte marrëdhënie të ngushta me aktivistin musliman të të drejtave të njeriut Malcolm X për të promovuar Islamin dhe për të mbrojtur të drejtat e personave me ngjyrë në SHBA.

Ai ishte në qendër të debatit edhe gjatë Luftës së Vietnamit, këtë herë jo për sukseset e tij në boks, por për kritikën e tij publike për përfshirjen e SHBA-së në këtë vend.

Ali refuzoi shërbimin ushtarak dhe u dënua me pesë vjet burg, u gjobit me 10 mijë dollarë dhe u pezullua nga boksi për më shumë se tre vjet.

Ishte viti 1971 kur ai fitoi apelin në Gjykatën Supreme të SHBA-së.

Ali kreu ritualin e haxhit në Mekë dy herë gjatë jetës së tij, më 1972 dhe 1988.

Tri herë kampion i botës

Ali njihet si boksieri i parë që ka fituar tri herë titullin e kampionit në peshën e rëndë, ndërsa ndeshjet më të njohura janë ato me Joe Fraizer dhe George Foreman.

Muhammad Ali humbi ndeshjen e parë kundër Fraizer-it, të njohur si “Lufta e Shekullit”, në vitin 1971, ndërsa fitoi dy ndeshjet e radhës më 1974 dhe 1975.

Ndërkaq, përballja e njohur si “Gjëmimi në Xhungël” kundër Foreman-it për titullin e kampionit të botës u zhvillua në tetor të vitit 1974, kur Ali fitoi me nokaut në raundin e tetë.

Legjenda e boksit i dha fund karrierës në vitin 1981.

Sëmundja e Parkinsonit

Pas pensionimit, Ali mbështeti rizgjedhjen e presidentit amerikan Ronald Reagan.

Ai u takua me ish-presidentin e Irakut Saddam Hussein për të negociuar lirimin e 15 pengjeve amerikane gjatë Luftës së Gjirit në vitin 1991.

Si Ambasador i Paqes i OKB-së, Ali vizitoi kryeqytetin e Afganistanit Kabul në vitin 2002 për një mision treditor për të ngritur ndërgjegjësimin për aktivitetet e OKB-së në vend.

Ai ishte gjithashtu pjesë e një grupi të të ftuarve specialë që shoqëruan flamurin olimpik në stadium në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike të Londrës në vitin 2012.

I martuar katër herë dhe baba i nëntë fëmijëve, Ali ndërroi jetë në moshën 74 vjeç, më 3 qershor të vitit 2016, në një spital në Phoenix, Arizona, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Parkinsonit.

Jeta e boksierit të famshëm u pasqyrua edhe në një film të vitit 2001 me titullin e “Ali”, me rolin kryesor të luajtur nga ylli i Hollywood-it Will Smith.