Shkalla e kursimeve personale të Shteteve të Bashkuara, e cila tregon se sa të ardhura iu mbeten njerëzve pasi paguajnë taksat dhe shpenzojnë para, arriti në një nivel historik prej 33 për qind në muajin prill, pasi Covid tronditi ekonominë.

Të dhënat e publikuara nga Zyra e Analizave Ekonomike të SHBA treguan se tepria e kursimeve u rrit rreth 20 për qind në vetëm një muaj dhe arriti nivelet më të larta që nga fillimi i regjistrimeve në vitet 1960. Shkalla e tanishme është pothuajse dy herë më e lartë sesa ishte gjatë recesionit 1973-75, kur u regjistrua rekordi i mëparshëm mbi 17 për qind.

Rritja e kursimeve, edhe pse duket e mirë për familjet individuale, mund të ketë efekte të mëdha në ekonomi në tërësi. Ndërsa njerëzit kursejnë para dhe harxhojnë më pak, mund të jetë e vështirë të ringjallin aktivitetin ekonomik, i cili është dëmtuar rëndë nga pandemia. Me njerëzit e mbyllur në shtëpi për shkak të kufizimeve të koronavirusit, shpenzimet e konsumatorit u ulën mbi 13 për qind në prill.

Kursimi i pashembullt vjen në një kohë kur numri i të papunëve ka shkuar në nivele të pa para që nga Depresioni i Madh. Më shumë se 40 milionë amerikanë kanë parashtruar kërkesën për përfitime papunësie gjatë 10 javëve të fundit.

Megjithë largimet masive të shkaktuara nga kufizimet dhe masat e tjera për të parandaluar virusin, të ardhurat personale të disponueshme u rritën me 12,9 për qind, sipas Zyrës së Analizave Ekonomike.

Covid ka pasur një ndikim shkatërrues, ku Shtetet e Bashkuara pësuan tremujorin më të keq që nga kriza financiare e vitit 2008, pasi prodhimi i brendshëm bruto u ul pesë për qind në tre muajt e parë të vitit 2020./RT