Nuk e di se kur por e di se në një film që e kam parë në shkollën e mesme bëhej fjalë për një shoqëri të çmendur dhe të mbizotëruar nga demonët dhe djajtë. Në botën e atij filmi, në tokën e atij filmi, që mund ta quajmë asgjëkundi, jetonin një grup demonësh humanoid të cilët nuk kishin pune tjetër përveç që ta hanin apo ta vrisnin çdo gjë të gjallë që u dilte para vetes dhe, në fund, të vriteshin nder vete duke u munduar t’ia merrnin gjahun njeri tjetrit.

Dhe tash, pas gati katër dhjetë vjetësh, kemi ardhur në një situatë që është fare e ngjashme me situatën e filmit për të cilin ju fola. Në këtë vend të varfër nuk mund të gjëshë një pulitkan të vetëm për të cilin nuk ekziston një tregim për veprat e tij kriminale. Nuk gjënë një politikan aktual, sidomos për krahun e luftës, për të cilët nëpër kafene, nëpër fshatra, neper rajonet nga të cilët vijnë ata politikanë, nuk dëgjon rrëfime makabre mbi veprat kriminale të tyre. Dhe këto vepra kriminale janë të llojeve dhe të niveleve të ndryshme. Për dikë flasin se ka vrarë këtë e atë njëri, për dike flasin se ka dhunuar këtë vajzë a këtë grua, për dike flasin se e ka uzurpuar apo e ka vjedhur këtë pasuri apo pasurinë tjetër të këtij vendi, flasin e flasin njerëzit me emër e mbiemër, për emrat e ‘vrasësve’ dhe të ‘dhunuesve’, për emrat e ‘plaçkitësve’ dhe ‘hajnave’, për emrat e të vrarëve dhe për emrat e të dhunuarve, për emrat e të rrahurve dhe për emrat e të sakatosurve.

Dhe, në fund, po këta njerëz, po këta folës të kafeneve, po ky popull që di gjithçka për secilin politikan, del në zgjedhje dhe, për çudi, voton mu këta njerëz të cilët i akuzon gjithë ditën e gJatë dhe për të cilët rrëfen tregime nga më të tmerrshmit.

Kjo sepse, në fund, të pakontestueshëm mbesin vetëm viktimat ndërsa që ‘kryesit’ e ‘të dyshimtët’, demonët e krimeve për të cilat flitet, gjithmonë dalin të larë nga gjyqi dhe nga politika se ose shpallen të pafajshëm, ose votohen në mënyrë të çuditshme nga njerëzit.

Dhe këta njerëz vijnë në krye te vendit dhe e krijojnë këtë vend, në Kosovë kurrgjë nuk është e jashtëzakonshme, gjithçka është normale në tragjikomedinë e fatit të mbrapshtë të këtij vendi.

Këtu një president nuk iu përmbahet rregullave të shtetit në situatë pandemie edhe pse kancelarja gjermane dhe kryeministri britanik, qoftë pse kishte një kontakt apo pse ishte infektuar, izolohen me vetdëshirë ashtu siç kërkonin rregullat të vendit të tyre. Këtu presidenti akuzohet se ka kontrabanduar ilegalisht ish presidentin vetëm që ai të mund të merrte pjesë në një seancë të parlamentit edhe pse, sipas rregullave të këtij shteti, ai do të duhej të mbyllej në karantinë për 14 ditë. Presidenti akuzohet, gjithashtu, që të njëjtin e kontrabandoj përsëri drejt Shqipërisë për t’i ikur skandalit politik. Tash po ky president, njeriu qe e përfaqëson unitetin e popullit, del në mbrëmje dhe e akuzon një parti politike se qenka një organizatë kriminale dhe, bile, i ‘fton’ përfaqësuesit e saj në njëfarë dueli kanunor tek shtëpia e tij.

Del, pastaj, ish presidenti, ish zv. kryeministri, ish ministri i jashtëm, më i pasuri i Kosovës, dhe, pasi e organizon kthimin e tij pompoz me aeroplanin e tij privat, në kohën kur hapësira ajrore e vendit është e mbyllur dhe është ndaluar çdo fluturim komercial, kthehet në Kosovë duke thyer një varg rregullash të vëna nga shteti. Për të mos mbetur me kaq, ky dashamiri i këtij vendi të cilit nuk ia solli asnjë të mirë asnjëherë por nga i cili privatizoi gati gjysmën e pasurive, ky ish president, ky ish zv. kryeministër dhe ish ministër i jashtëm, e akuzon vendin e tij, pra shtetin e tij, se ky shtet mund të kryente akt terrorist ndaj tij dhe aeroplanit të tij. Ky njeri dhe ky patriot e akuzon shtetin e tij për terrorizëm duke ua dhënë shansin qindra mediumeve nga vendet jo dashamirëse që ta  citojnë dhe komentojnë deklaratën e tij në dëm të Kosovës.

Dhe derisa në Distopinë kosovare, politikanët e polarizojnë popullin deri në përmasa të një lufte civile virtuale, njëkohësisht e humbin fuqinë dhe respektin e tyre ndërkombëtar duke u konsideruar të paaftë, të paditur, të pandreqshëm dhe njerëz që janë në gjendje që për t’i shpëtuar bythët e tyre, mund ta dëmtojnë edhe vendin. Përfundimisht, në kohë demonësh politikë të Kosovës, po vdesin gradualisht të gjitha parimet dhe filozofitë politike mbi të cilat janë ndërtuar partitë politike dhe politikanët.

Ne, fatkeqësisht, kemi politikanë që ndjekin interesat ditore të klaneve dhe klasave të tyre. Kemi politikan që dje ishte ministër i jashtëm e sot e akuzon për terrorizëm shtetin e tij. Kemi politikanë që dje i akuzonin për vrasës kundërshtarët politikë dhe sot i lusin me përvuajtje ‘vrasësit’ e tyre. Kemi politikan, që është president, që ruan unitetin e popullit, dhe që e akuzon një pjesë të tij për krim dhe kriminalitet. Kemi deputetë që kanë vëllezër të vrarë, që kanë baballarë të vrarë, që kanë axhallarë dhe kushërinj të vrarë, e që e japin votën e tyre për ata që i akuzuan për ‘vrasës’, kemi asi politikanësh që iu përjargen ‘vrasësve të tyre’ për t’i rehatuar ata apo të afërmit e tyre në vende me vlerë pushtetore. Kemi edhe politikanë që vetë janë viktima dhe sot ua japin votën xhelatëve të tyre

Në fatkeqësisht, pa na shtyrë askush, e kemi demoniazuar vendin tonë. E kemi shndërruar atë nga një viktime me rreth 13000 të vrarë, 20000 gra të dhunuara, me 250000 shtëpi dhe ekonomi familjare të shkatërruara, në një agresor politik të cilin po tentojnë ta dënojnë dhe ta ‘mbysin’ miqtë dhe armiqtë.

Kjo vetëm për faktin se Kosova nuk ka klasë politike që i intereson atdheu, por ka një klasë politike që e ka cak pushtetin me çdo kusht, edhe me kushtin e lirisë, edhe me kushtin e territorit, edhe me kushtin e ndarjes se vendit, edhe me kushtin e tradhtisë.

Krejt kjo me çon në deklarimin e një mikut tim evropian në Bruksel para dy vitesh i cili, kur ra fjala për dy vendet problematike te shqipeve, me tha se Evropës dhe Amerikës më shumë i konvenon një problem se dy probleme shqiptare. Ishte shaka por brenda kishte një të vërtetë, ç‘shtetëzimin e Kosovës. Dhe kjo ka simptomë demonizimin ndërkombëtar të viktimës Kosovë me ushqimin e tërë kësaj çmendurie e cila mund të na sjell në situatën që Kosova të zhbëhet si shtet dhe si entitet dhe, si mbetje e pazareve, t’i bashkohet si zorrë qorre Shqipërisë.

Nëse Kosovën e kemi bërë një lloj dystopie nga filmat apokaliptikë, të tillë e kemi bërë ne duke i ushqyer demonët dhe djajtë e këtij vendi.