Vendimi i sotëm i Gykatës Kushtetuese pezulloi deri më 29 maj zbatimin e dekretit të presidentit Thaçi. Kjo vlen deri në vendimin përfundimtar të gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pezulloi përkohësisht zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë së re Kosovës. Kjo vlen derisa Gjykata të shqyrtojë lëndën e dërguar nga partia Vetëvendosje, lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit.

Kjo masë e pezullimit është në fuqi deri më 29 maj  dhe rrjedhimisht këtë të shtunë nuk do të ketë seancë për votimin e qeverisë së re, siç e patën kërkuar 61 deputetë të koalicionit të ri qeveritar të kryesuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje njëkohësisht kërkoi nga Gjykata edhe vendosjen e masës së përkohshme për çka Gjykata i dha të drejtë.

“Gjykata Kushtetuese me shumicë votash, vendosi: Të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij vendimi si dhe të pezullojë menjëherë zbatimin e dekretit të presidentit të Republikës së Kosovës , nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën një të këtij diapozitivi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më tej në vendim thuhet se “gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar”, thuhet në njoftim duke sqaruar se  “komentet përkitazi me meritat e kërkesës”, palët duhet t’i dorëzojnë në Gjykatë deri më 8 maj.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, menjëherë pas pezullimit të përkohshëm të dekretit të tij tha se do ta respektojë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe u bëri thirrje partive politike që të sillen me maturi ndaj Kushtetutës së Kosovës.

“Si President i Republikës së Kosovës do ta respektoj në plotëni këtë vendim. Kosova ka tashmë një përvojë të çmueshme në respektimin e të gjitha vendimeve dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo përvojë është një dëshmi e fuqishme e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Si President i Republikës së Kosovës i ftoj të gjithë politikanët dhe subjektet politike në vend, që të sillen me maturi në respektim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thotë në reagimin e tij Presideti Thaçi.

Edhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, deklaroi të premten para shpalljes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese se partia e tij do të respektojë çdo vendim që merr Kushtetuesja për këtë çështje.

“Në qoftë se merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese ne nuk do të lëvizim në Kuvend fare, por do ta presim që ajo ta marrë vendimin përfundimtar, ne nuk do ta shkelim asnjë rast as një procedurë të Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Isa Mustafa.

Kryeministri i qeverisë së Kosovës në detyrë, Albin Kurti në reagimin e tij, thotë se “qeveria konsideron që vendosja e masës së përkohshme është në interesin publik dhe gjithashtu i shërben administrimit të drejtësisë”.

Kosovo | Pristina (DW/V. Cerkini)

Seanca për votimin e kabinetit të ri qeveritar nuk do të mbahet

Megjithatë sipas tij, “është e nevojshme të kujtojmë që ky pezullim nuk e prejudikon vendimin përfundimtar të Gjykatës. Kështu që është tejet e rëndësishme që të mos entuziazmohemi, të rrimë të fokusuar në drejtim të qëllimit tonë për menaxhimin sa më të mirë të situatës me pandeminë COVID-19”, thuhet në reagimin e Albin Kurtit.

Të enjten që shkoi, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nënshkroi dekretin për mandatarin e ri për kryeministër, që është Avdullah Hoti nga LDK. Menjëherë pas kësaj kjo parti kërkoi që seanca për votimin e kabinetit të ri qeveritar të mbahet të shtunën datë 02.05.

Por kjo seancë tash pas pezullimit të përkohshëm të dekretit të presidentit nuk do ta mbahet këtë të shtunë. Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur marrëveshje të re koalicioni me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës AAK, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e pakicave, duke siguruar shumicën e votave nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.

Qeveria e Albin Kurtit ku ishte pjesë edhe LDK-ja, u rrëzua me mocion mosbesimi më 25 mars, mocion ky i inicuar nga vet LDK-së, pas përplasjeve dhe mospajtimeve që kishin me Vetëvendosjen dhe liderin e saj Albin Kurti.

Ky i fundit, pas rrëzimit të qeverisë së tij në parlament po kërkon zgjedhje të reja, ndërsa tentimin  për krijimin e një qeverie të re pa partinë fituese në këtë rast Vetëvendosjen po e cilëson antikushtetuese./DW