Një në katër amerikanë të moshës madhore thotë se dikush në familjen e vet ka humbur vendin e punës si rezultat i koronavirusit. Por shumica e amerikanëve besojnë se këto vende pune do të rikthehen sapo të kapëcehet kriza e pandemisë. Të dhënat janë mbledhur nga një anketë e agjencisë së lajmeve “Associated Press” dhe Qendrës për Hulumtime Publike NORC të Universitetit të Çikagos.

Pasojat ekonomike nga COVID-19 janë të qarta. 29.4 milionë amerikanë kanë humbur vendet e punës gjatë pesë javëve të fundit. Ndërkohë që miliona amerikanë po shtyjnë pagesat e kredive për shtëpitë, qendrat që shpërndajnë ushqime falas po shohin rritjen e turmave të njerëzve në pritje, që në disa raste janë disa kilometra të gjata.

46 përqind e amerikanëve thonë se familjet e tyre kanë përjetuar një lloj humbje të të ardhurave si rezultat i humbjes së vendeve të punës, reduktimit të orëve apo reduktimit të rrogës.

Jeremy Miller humbi vendin e punës në një bar të famshëm në Charlotte të shtetit të Karolinës së Veriut.

”Do të preferoja që të mos përjetoja pasigurinë e këtyre katër javëve në pritje se nga do të vijë buka e gojës. Është një eksperiencë e tmerrshme. Ndjehem shumë keq për njerëzit që e përjetojnë këtë çdo ditë.”

Megjithatë, anketa tregon se shumica e amerikanëve ende ndihen pozitivë mbi gjendjen e tyre ekonomike.

Një arsye e mundshme është se mes familjeve që kanë përjetuar humbje të vendit të punës, 78 përqind e tyre besojnë se vendet e punës do të rikthehen.

Tjetër shenjë pozitive është se përqindja e punonjësve që thonë se dikush në familjen e tyre ka humbur vendin e punës, nuk ka ndonjë ndryshim të dukshëm me javët para se të ndodhte kjo.

Shtatëdhjetë përqind e amerikanëve tani e përshkruajnë ekonominë kombëtare si të varfër, nga 60 përqind tre javë më parë dhe 33 përqind e amerikanëve në muajin janar.

Në të njëjtën kohë, 64 përqind e amerikanëve e cilësojnë situatën e tyre financiare si të mirë, numër ky që mbetet i pandryshuar që nga fillimi i shpërthimit të virusit.

Në një farë mënyre, kjo prirje mund të jetë ndikuar nga paketa e shpëtimit prej 2.2 trilion dollarë e miratuar nga Kongresi. Paketa në fjalë mbulon përfitimet për të papunët, kreditë për bizneset e vogla dhe ofron të ardhura nga fondet e qeverisë për shumicën e amerikanëve. Këto burime financiare kanë ndihmuar në stabilizimin e financave për për disa familje amerikane.

Pasi humbi punën e saj në një kioskë në aeroportin e Karolinës së Veriut, Connie Boyd varet nga ndihma sociale dhe pagesa stimuluese e qeverisë. Ajo thotë se ndodhet në një situatë mjaft të vështirë.

“Nëse nuk mund të paguajmë faturat, çfarë do të ndodhë pas kësaj.”

Opinionet janë të ndryshme, nëse ekonomia do të përmirësohet vitin që vjen. 45 përqind e amerikanëve mbeten optimistë, ndërsa 37 përqind mendojnë se ekonomia do të përkeqësohet. 17 përqind mendojnë se situata do të mbetet e njëjtë.

Sipas anketës, shumica e amerikanëve mbështesin urdhërat për të qëndruar në shtëpi dhe përpjekjet e tjera për të ndaluar përhapjen e virusit.

Ndërsa 61 përqind e amerikanëve mbështesin përpjekej, 26 përqind thonë se ato nuk janë të mjaftueshme, megjithëse këto veprime kanë detyruar mbylljen e shumë bizneseve.

Familjet me të ardhura të ulëta dhe ato më pak të arsimuara duket se janë goditur rëndë nga humbja e vendeve të punës. 29 përqind e këtyre familjeve fitojnë më pak se 50 mijë dollarë në vit, krahasuar me 22 përqind të familjeve që kanë të ardhura më të mëdha.

28 përqind e familjeve pa arsim të lartë kanë patur dikë që humbi vendin e punës krahasuar me 19 përqind të familjeve me arsim të lartë.