Janë ngritur në këmbë gjithë enveristët dhe karrieristët në Amerikë, Tiranë, Prishtinë e ngado nëpër Europë dhe po kërcënojnë deri me zhbërje të lirisë e pavarësisë së Kosovës dhe jo vetëm me coptim të saj, ose me rikthim në gjendjen e para 1999, nëse nuk rri në pushtet Albin Kurti me VV.

Po na e shfaqin gogolin e të keqes aq të keq dhe po na thonë se vetëm një shpëtim keni – Albinin! Vetëm ai e kap kulshedrën dhe ia përdredh kokën.

Po nxjerrin nga pluhuri i arkivave të medias botërore dhe po ripërkthejnë në gjuhën shqipe artikuj që kanë qenë kundër luftës së Amerikës për ta larguar Serbinë prej Kosove.

Natyrisht që ka patur e ka njerëz e media në botë që kanë qenë e janë me Serbinë e jo me shqiptarët e as me Amerikën.

Ka patur gazetarë, shkrimtarë politikanë, por edhe plehra shqiptare që internacionalizmin e çmonin më shumë dhe flisinin për të na bindur se ne jemi të keqij jo serbët dhe ndjeheshin mirë në Kosovë kur në pushtet ishte Serbia.

Këta enveristë guxojnë kaq shumë dhe kërcënojnë kaq rëndë sa flasin në emër të Amerikës, vrasin e presin në emër të Amerikës dhe duan ta bindin edhe zotin në qiell se këta enveristë janë ata që vendosin për fatin e presidentit të Amerikës dhe emisarëve të tij që ngarkon nëpër botë.

Flasin për Amerikën si ekspertë të saj lloj lloj kryetari kooperative apo sekretari byroje që jetojnë si veshka mes dhjami në Amerikë dhe lëvdojnë Enver Hoxhën e nga ana tjetër japin ultimatume për çfarë duhet bërë në Kosovë, nxijnë kë duan e ndrijnë kë duan dhe shkruajnë në duart e tyre të pista fatin e Kosovës.Sikur Amerika është sa një katund dhe harrojnë gjithmonë se ajo është kontinent dhe ka 53 shtete. Kur flasin për misionarë apo zyrtarë amerikanë flasin si për zyrtarë shqiptarë duke harruar me dashje se një zyrtar amerikan është si një zyrtar i gjithë Europës nëse Europa do të ishte një shtet si Amerika.Ose për ta bërë më të lehtë për enveristët e shoqatave të Enverit që trashen në Amerikë, Sekretari amerikan i Shtetit është sa gjithë ministrat e jashtëm të gjithë shteteve të Europës, nëse po kuptohem drejt.

Duan të na bindin se Kosovën e ka vu përpara e keqja dhe ajo do të shpërbëhet nga Amerika që na qenka penduar pse e çliroi dhe pavarësoi Kosovën, dhe bile bile edhe pse ia krijoi ushtrinë Kosovës para dy vitesh kjo Amerika e tanishme.

Veç një shpëtim ka sipas enveristëve dhe atyre strategëve leninistë të protestës që duan ta përgatisin protestën e re me leje të Albinit për të na bërë ta harrojmë marsin e dhunshëm të 2004 në Kosovë, dhe ky shpëtim e ka emrin Albin.

Vetëm Albini, ani se pak autoritarist… mundet me ia thye hundët Serbisë e Amerikës e Grenellit dhe kujtdo. Vetëm ai nuk lejon me e prekë askush asnjë copë Kosove. Të tjerët të gjithë janë tradhëtarë, hajna, spiuna, të poshtër….

Askush nuk ka investuar për Kosovën dhe lirinë e pavarësinë e saj sa Amerika dhe askujt nuk i dhimbset investimi i vet sa Amerikës dhe askush nuk e mbron atë që ka bërë edhe për krenari e dinjitet shtetëror sa e mbron Amerika dinjitetin e vet pasi në Amerikë një administratë nuk shemb e varros ato që ka bërë administrata paraardhëse, dhe Amerika nuk e vën shtetin e vet në shërbim të asnjë komunisti, enveristi apo neokomunisti që ka gjetë strehë në Amerikë dhe hedh helm demokratik nga atje në Kosovë.

Publikimet e shkrimeve të hershme kundër luftës për Kosovën, citimet nga libra të ndryshëm të frazave të shkëputura nga konteksti qëllimshëm, janë doza të mjaftueshme helmi për të helmuar turmat që të ngrihen dhe të kërkojnë shpëtimin tek lideri që shpartallon Serbinë nëpër fjalime dhe bie në gjunjë para saj në veprime…

Dy dekada kanë qenë të mjaftueshme që Amerika ta shprehte pendesën shtetërore pse krijoi shtet të ri të dytë shqiptar në botë. Ndërkohë ajo vazhdon të jetë në këtë shtet garante e jetës dhe mbrojtjes së tij.

Çdo kërcënim enverist, komunist, marksist, leninist, stalinist, maocedunist, çeguevarist, putinist, ramist, albinist dhe të lloj lloj këshilltari e morri të paemër që ngatërrojnë dhe thirren në emër të Amerikës nga janë e nga s’janë udhëve të Europës e skelave ku punojnë, që ëndërrojnë përçarje të diplomacisë së botës, pra çdo kërcënim që synon të trembë njerëzit dhe i fton që të ngrihen në mbrojtje të Albinit se ai na shpëton nga Serbia dhe ai ndalon coptimin e Kosovës është përrallë me mbret.

Askush, asnjë shqiptar nuk e mbron Kosovën me shumë se sa e mbron Amerika. Këtu kemi qenë shqiptarët që para dreqit, por Serbinë prej Kosove e largoi veç Amerika. Shqiptsrët veç kanë derdhe gjak për lirinë që nuk e fituan dot kurrë vetëm pa Amerikën.

Ato artikujt që enveristët, marksistët, leninistët, këshillonjësit e liderit revolucionar po i nxjerrin nga thellësite e arkivave të pluhurosura, artikuj që bëjnë me turp sot ata që i kanë shkruar kur shohin Kosovën shtet funksional vital, mblidhini ato artikuj, bëjini libra të trashë se i shërbejnë historisë dhe pasardhësve të revolucionareve që të mësojnë mos të deformohen nga pesha e inferioritetit të rëndë, nga hakmarrjet për deshtimet në jetë për fajin e tyre apo të baballarëve e gjyshërve të tyre që nuk mundën në jetë të qëndrojnë vertikal…