Malësia e Gjakovës për shekuj ka qenë djep i patriotizmit, nderit e trimërisë. Kontributi i kësaj krahine kreshnike të shqiptarizmës nuk mund të shprehet me fjalë. Por, këtu dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për rolin e Malësisë së Gjakovës në Betejën e Koshares.

Djemtë e Malësisë së Gjakovës janë rreshtuar me armë në radhët e Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe kanë luftuar burrërisht në vijat e para të frontit. Malësia e Gjakovës i dha dëshmorë Kosovës nënë në Koshare, i dha Heronj të Kosovës. Nga luftëtarët tanë tropojanë kemi edhe të plagosur. Me një fjalë, suksesi i Betejës së Koshares lidhet drejtpërdrejt me angazhimin e Malësisë së Gjakovës.

Oficerët e kësaj treve, përveç tjerash, i kanë stërvitur luftëtarët tanë edhe në përdorimin e tankseve, për të qenë të gatshëm që në rast të marrjes së tankseve nga armiku, fuqinë e zjarrit të këtyre tankseve t’ia drejtojmë armikut.

Gjatë Betejës së Koshares, Spitali i Bajram Currit është shndërruar në spital fushor të Brigadës sonë. Janë bërë pjesë e strukturës sonë ushtarake. Tërë personeli i këtij spitali ka qenë në dispozicion 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, për t’i shëruar ushtarët e plagosur në front. Mjekët dhe personeli tjetër i këtij spitali kanë shpëtuar jetën e shumë ushtarëve tanë.

Kam shumë për të thënë për kontributin e shquar të Malësisë së Gjakovës në Betejën e Koshares. Fjalët nuk mjaftojnë.

Banorët bujarë të Malësisë së Gjakovës kanë strehuar në shtëpitë e tyre mbi 40.000 civilë nga Kosova, të larguar me dhunë gjatë luftës.

Faleminderit Malësi e Gjakovës! Faleminderit Shqipëri!