Letrat që po ia dërgon Albin Kurtit janë presion.
Janë edhe qesharake, edhe djaloshare, ato letra krejt i kanë veç zyrtare s’janë, sepse zyrarisht nuk çohen tri letra me të njejtën përmbajtje, përveç nëse je tuj ja lyp zemrën dikujt e jo mandatarin.

Meqenëse nuk janë letra zyrtare por janë sugjestive, konsiderohen si presion, dhe si të tilla ato letra nuk duhet të pranohen.

Edhe Presidenti mund të rrokatet, duhet m’i nejt gati se as Havelli nuk i ka shkru më shumë letra Olgës nga burgu sesa ky Albinit.

Mendoj se dikush duhet ta mbrojë popullin nga Presidenti, i cili Albinit po i bën presion, e popullin po e çon në depresion.
Se, njëherë thirri në llugë, që policia të çohet kundër qeverisë, por kaloi pa therrë n’kēmbë, si zakonisht.

Nëse letrat e Presidentit nuk janë presion, atëherë pse Presidenti nuk e çon veç një letër, pse nuk e shfrytëzon të drejtën e tij ligjore (nëse e paska) me ja dhënë mandatarin Ardhmërisë sonë, Profesorit Isa Mustafa, por po e lutë Kryeministrin Albin Kurti m’u bë Kryeministër, me zor.

Ndoshta presioni i Presidentit është ‘lutje’. Për mua qind për qind është ‘lutje’ nën presion.
Pranoje ti kërkesën time m’u bë president edhe një herë, e unë bëj qysh do ti, nuk ia jap mandatin Ardhmërisë sonë.

Me qenë në vend të Albinit ia kisha plotësu dëshirën, mbasi që edhe vetë Albini thotë se Presidenti është veç për ceremoni, si ato nuset n’divanhane.

Përndryshe letrat e tij nuk kanë logjikë, dhe veç pse përsëriten nuk janë serioze.

E Profën këtyre ditëve e kam fshi prej tefteri, ashiqare s’është kah ia rrokë truni (si në luftë dy UÇK-ja, njëra UÇK origjinale, tjetra Made in LDK), tash do të bëjë qeveri paralele…

…kqyre mirë qysh u bë, si do meshkuj të kqij që derisa e kanë gruan në shtratin e vdekjes tuj dhënë shpirt, e gjejnë gruan tjetër rezervë, e nuk e kuptojnë se dy të vdekur e ruajnë të gjallin.

Profesori ka kapitullu, ka lu’, shikojeni dhe lexojeni me vëmendje, atij nuk i shihet për të madhe…
ama Hashim Thaçi është i kthjellët dhe e di mirë se veç me zbulu vaksinën e koronavirusit se ndryshe s’ka shans m’u bë simpatik edhe një herë për shqiptarët.
Sepse, e ka tepru me cinizëm dhe me arrogancë.

Mundet m’u nxjerr prej situate edhe nëse e lejon Albinin me luftu korrupcionin kështu me ‘llabud’ qysh ja ka nis..

Definitivisht po duket se Albin Kurti ju ka dalë ‘hajdar’.
Po duket se është edhe i paparashikueshëm dhe i lodh ‘armiqtë’, duke i detyru me ia çu nga tri letra n’gjim’ me të njejtën lutje.

Se kur ra qeveria Haradinaj, Presidenti Thaçi nuk e kishte asnjë dilemë, na çoi në zgjedhje.
E tash ka vendosur të ketë dilema.

‘Mac’ ?.

Presidenti Hashim Thaçi është lojtar shumë i zoti dhe për herë të parë e ka gjetur një bashkëlojtar, Albin Kurtin.
Është gëzim i madh kur e gjen dikë që të ‘pariron’, se bashkëlojtar nuk e ka pasur Ibrahim Rugovën, se Rugova nuk ka lujt lojna politike, sepse nuk i ka pëlqyer rivaliteti, ose ndoshta askënd nuk e ka konsideruar si akran të vetin.

Ne nuk kemi nevojë që asnjëri prej tyre të bien e të dështojnë, as Albini as Hashimi (neve na pëlqen që ata të punojnë bashkë për të mirën tonë) por nëse bash duhet me zgjedh, rinia e zgjedh Albinin si viktimë e mafisë politike, sepse presioni që po i bëhet qeverisë Kurti gati- gati s’është njerëzor.

Homo homini lupus est, po, por madje as ujku nuk e han ujkun e as sorra nuk ja nxjerr sytë sorrës.

P.S. Përndryshe, nëse krejt kjo lojë po ndodh që të nënshkruhet marrëveshja e gatshme
antishqiptare me Serbinë, sipas kërkesës së Grenellit, mos vet, nëse shkojmë pas Atij Presidentit që krejt bota po habiten me të, pse nga joserioziteti, arroganca e nga padija e tij e çoi popullin amerikan në tragjedi.

Pse? Veç pse ju ka tek mos m’i marrë vdekjen dhe kinezët seriozisht.
Nuk i lë ekspertët me dhënë ilaçe, por i kombinon ilaçet vetë e pastaj vdesin njerëzit nga ilaçet e tij.

Amerikan-amerikan, por i pagdhendur dhe i rrezikshëm për jetë.
Merre me mend çka t’kovat ty që s’je amerikan ky me ju tekë.