Vetëm në 24 orët e fundit në Kosovë u regjistruan 79 raste të reja të infektuarish me Corona duke e ngritur numrin në gjithsej 362. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kërkuar ndihmë financiare nga diaspora kosovare.

Personeli mjekësor para një ambuance për të infektuarit me Corona në Prishtinë

Rritja e rasteve me virusin Corona në Kosovë nuk ka të ndalur. Vetëm në 24 orët e fundit u regjistruan 79 raste të reja të infektuar me Covid-19, duke e ngritur numrin në gjithsej 362 raste, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë. “35 prej tyre janë nga komuna e Ferizajt, 16 nga komuna e Prizrenit, 6 raste në Han të Elezit, 6 raste nga komuna e Vitisë, 3 nga komuna e Gjilanit, 2 nga komuna e Malishevës, 2 nga komuna e Vushtrrisë dhe nga 1 rast në Skënderaj, Klinë, Rahovec, Fushë Kosovë, Istog, Mitrovicë e veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Kamenicë”, thuhet në njoftim.

Masa më të rrepta

Që nga paraqitja e rasteve të para me virusin Corona në Kosovë në fillim të marsit, 7 persona kanë humbur jetën ndërsa, 59 janë shëruar. Rritja e numrit të rasteve bëri që disa nga komunat e mëdha të Kosovës përfshirë edhe Prishtinën të futen në karantinë të plotë. Qeveria në detyrë paralajmëroi shtrëngimin e masave të reja në luftën kundër virusit Corona. Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, tha se nga sot datë (13.04) të gjitha përgjegjësitë për vendimet që lidhen me përballjen e situatës me virusin Corona do të merren nga ministria e Shëndetësisë. Kjo për faktin që sot hyn në fuqi një vendim i Gjykatës Kushtetuese, që ia ka kufizuar mundësitë qeverisë së Kosovës që të marr vendime të kufizimit të lirisë së lëvizjes në nivel vendi, por, kjo mund të bëhët nëpër komuna veç e veç.

Kosovo | Pristina (DW/V. Cerkini)

“Vendimet do të merren për komuna të caktuara varësisht nga nevojat që vijnë si rezultat i rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. COVID-19 është një armik i padukshëm e i heshtur që edhe vret, prandaj parandalimi është zgjidhja e mjaftueshme por edhe e nevojshme kur sistemi publik shëndetësor nuk është në nivel të kënaqshëm”, tha në një konferencë për media kryeministri Kurti.

Sipas ministrit në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia, në javët në vijim virusi Corona do të hyjë në fazën kulmore, prandaj ai kërkoi nga qytetarët që të respektojnë masat kufizuese. “Tani jemi në situatën kur nuk duhet, nuk mundemi ta tolerojmë neglizhencën karshi këtij virusi të rrezikshëm, por duhet patjetër bashkëpunimi dhe bashkërendimi i masave bashkë me ju qytetarë në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e mëtutjeshme. Marrë parasysh këtë, prej sonte në mesnatë hyjmë në fazën kur për secilën hyjnë në fuqi vendimet në lidhje me masat që ndalojnë qarkullimin”, tha ministri Arben Vitija.

Vështirësi për qarkullimin e mallrave

Vetëm në 24 orët e fundit Policia e Kosovës ka ndaluar 102 persona, për shkak të mosrespektimit të masave të kufizimit, me qëllim të luftimit të virusit të ri.

Futja në karantinë e shumicës së komunave të mëdha të Kosovës, ka kufizuar edhe lëvizjen e mallrave dhe kjo bëri që të reagojë Oda Ekonomike e Kosovës, duke u kërkuar organeve qendrore që të nxjerrin me urgjencë një udhëzim për të eliminuar paqartësitë që ekzistojnë në mesin e ndërmarrjeve dhe për lëvizjen e mallrave dhe punëtorëve. “Informatat nga terreni flasin për paralajmërime nga ana e organeve të zbatimit të rendit për kufizime absolute të hyrjeve dhe daljeve në dhe nga qyteti i Prishtinës, prandaj nxjerrja e një udhëzimi përkatës do të garantonte trajtim uniform për të gjitha ndërmarrjet”, thuhet në një njoftim të Odës Ekonomike të Kosovës.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, “një kufizim i tillë do të ishte goditje e madhe për aktivitetin ekonomik të një pjese dërmuese të ndërmarrjeve private, prandaj është e nevojshme që të përcaktohen modalitetet e lejimit të lëvizjes së punonjësve dhe mallrave, me qëllim të shmangies së vështirësive në furnizim me produkte esenciale për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Masat e ndërmarra për të parandaluar përhapjen e virusit që vë në rrezik jetën e njerëzve, dhe kufizimi në masë të madhe i zhvillimit ekonomik, bëri që qeveria e Kosovës të përballet me mungesa financiare për të ndihmuar ekonominë. Një plan emergjent në ndihmë prej 170 milionë eurosh është premtuar ndërkohë nga qeveria e Kosovës, por kjo shumë sipas Odës Ekonomike të Kosovës ështe e pamjaftueshme për të shpëtuar ndërmarrjet nga falimentimi.

Prandaj kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, përmes një video u kërkoi ndihmë diasporës kosovare që të ndihmojnë me të holla Kosovën, përmes një xhirollogarie të posaçme të hapur për këtë çështje. “Të dashur bashkatdhetarë, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet vendi ynë, ju bëj thirrje që edhe këtë herë të bëheni pjesë e solidaritetit, ndoshta më shumë se kurdoherë më parë, dhe të na ndihmoni në luftën kundër COVID-19. E kemi parasysh që pandemia ju ka prekur edhe juve në mërgatë, e edhe të afërmit tuaj në Kosovë. Mirëpo, si gjithnjë, kur kemi qëndruar së bashku, edhe këtë herë do t’ia dalim së bashku”, theksoi në video postim kryeministri Kurti. /D.W./ Bekim Shehu /.