– Në Portin e Barit përcillen arkivolet e shqiptarëve të vdekur nga Coronavirus-

Nga Ndue LAZRI – Itali

Sa herë tek ky port kishin trokitur gjithë mall,
gjatë tridhjetë viteve, larg vendit, në mërgim,
kalëronin tragetin mbi detin me valë,
portë e Atdheut i priste me sytë plot shkëlqim.

Por sot ky traget paska peshë shumë të rëndë,
nuk e dimë nëse dallgët do e mbajnë dot,
era përgjatë bregut ulërin si një gjëmë,
Adriatiku tkurret e bëhet një pikë lot.

Me një arkivol gjigand ngjan sonte ky traget,
ekuipazhi-kortezh funeral drejt bregut tjetër,
kapiteni në nderim, si statujë përmbi det,
orkestra që lot veç marrshe funebër.

Në bregun tjetër ka dalë dhimbja t’i presë,
kjo murtajë i ngujoi njerëzit në shtëpi,
dantellat e valëve marrin gjyrë të zezë,
flamurin në gjysmë shtizë ngre Nëna Shqipëri.