Kujtimi i heronjve si   Haki Taha tregon  shkallën  e lartësimit kulturor të shoqërisë, kujtimi i heronjëve është akti i parë i dashurisë ndaj atdheut dhe ndjenja e detyrës  për të lartësuar atdheun.

Kujtimi i heronjëve është muri që i vihet akteve armiqësore  dhe veprave anti kombëtare, është betimi  për të punuar për atdheun, për të ecur në udhën e heronjëve, është ndalesa e ideve komuniste.

*

Vrasësi i vërtëtë i Miladin Popoviçit ishte populli shqiptar

 

Nga Enver LEPENICA – historian

A t e n t a t o r ë t

Për atentatorët ka pasur gjithnjë mendime të ndryshme dhe një debat kryesisht ideologjik.  Diskutimet i janë nënshtruar frymës socialpolitike të kohës dhe gjithmonë aktit i janë vënë bishta sipas interesave ose bindjeve. Mbi atentatorët është thurur lavdi, u janë kënduar këngë dhe janë ngritur në piedestale.

Pavarësisht nga kjo gjëndje unë i shikoj atentatorët që rendis më poshtë vetëm si atdhetarë, sepse në atë moment nuk kishte rrugë dhe mundësi tjetër për të zgjidhur çështjen  e atdheut, pra në kohën më të errët të vëndit të tyre këta atentatorë tregun moral të lartë dhe prandaj populli i përjetësoi në këngë.

Atentatorët e dinin që në fillim që aktin e tyre do ta paguanin me jetën e tyre, shumë persona nga rrethi i ngushtë do të arrestoheshin, gratë dhe fëmijët do të burgoseshin dhe do të deportoheshin në kampet e përqëndrimit dhe megjithatë ata shkuan drejt detyrës që u kishte caktuar atdheu dhe koha.

Vuajtja dhe vdekja e tyre dhe e njerëzve të tyre provojnë përpara botës vlerën e veprës dhe çështjes që ata zgjidhën. Nga historia jonë mund të përmëndim:

Atentati parë që njohim është ai i Millosh Kopiliqi i vitit 1389 kundër Sulltan Murati i Parë

( 1328 – 1389). Ishte Sulltani i tretë Otoman, djali i Orhan Gaziut – nipit të Osman Beut, themeluesit të Perandorisë Otomane. Është pikërisht ky sulltan,  ai që mundi në Luftën e Kosovës – më 1389 – forcat e bashkuara ballkanike. Është i vetmi nga sulltanët që është vrarë në fushën e betejës, në moshën 61 vjeçare.

Sipas studiuesëve turq ndërsa Sulltan Murati po insektonte fushën e luftës pas fitores, atentatori që rrinte si i vdekur, i ka kërcyer vetëtimthi mbi kal sulltanit të rrethuar nga shpura e  tij.

Sipas studiuesëve serbë,  Millosh Kopiliqi shkoi t’i puthte dorën sulltanit, atje vetëtimthi e ka therur me thikën e mbajtur në gji sulltanin e shkujdesur nga fitorja.

Studiuesit shqiptarë, i pranojën që të dy këta variante, por një pjese prej tyre u duket më pranë së vërtetës, një sulm i rrufeshëm, natën. Komandoja e drejtuar nga Millosh Kopiliqi ka depertuar mes turqve të dehur nga fitorja dhe, kryetari i tyre ka kryer ekzekutimin me saktësi.

 Ka edhe një variant tjetër, sipas të cilit Sulltan Murati është qëlluar me heshtë që larg nga Kopilqi por këtë variant e besojnë për ditë e më pak njerëz.

Sulmohet një Sulltan tjetër i Turqisë. Damjan Himarioti, fshatar nga Dhërmiu, më 1537, sa mori vesh se në tokat e Labërisë futi këmbët sulltan Sulejman Kanuniu, vrau një oficer madhor, i mori rrobat dhe armët u vesh me to dhe hyri në në çadrën e Sulltanit ku bëhej aheng. U përkul para tij sikur donte ta nderonte dhe pastaj nxorri kamën dhe ja drejtoi në zëmër… Dhjetra thika u ngulën mbi trupin e tij nga rojet e Sulltanit…[1]

            Një tjetër shqiptar arbresh Axhisilao Milani (1830 – 1856), shtiu kundër perandorit të egër dhe të pa shpirt Ferdinandit të Napolit, pa munduar ta vriste sepse ai ishte veshur me prazmore. Ushtarë dhe oficerë u hodhën mbi trupin e tij dhe e arrestuan. Axhiselaon e varën në litar.[2]

Zenel Gjolekë Kuçi (1806 – 1852) i shkoi në zyrë kaftanazit dhe mori hakën e bababit të Ismail Qemalit… Familja Vlora në shenjë vlerësimi i lidhi atij pension. Më 1852 Gjoleka në krye të trupave labe shkoi në mbrojtje të kufijve të Perandorisë Osmane. U vra afër Podgoricës, ku edhe u varros, afër kullës së Oso Kukës.

Mësuesi nga Libohova, Avni Rustemi, më 1920, duke parë se pavarësia e Shqipërisë ishte në rrezik, qëlloi në mes të Parizit Esta Pashë Toptanin dhe e la të vdekur në vënd… Avni Rustemi për hakmarrje u qëllua pas krahëve në prill të vitit 1924, në Tiranë, dhe vdiq në spital.

            Vasil Laçi (1922 – 1942), fshatar nga Piqerasi i Sarandës, në vitin 1942, çau mes turmës në bulevard dhe qëlloi pa ju dridhur dora mbi Viktore Emanuelin Perandorin e Italisë Fashiste… Ai u var në litar prej fashistëve italianë.

Në gusht të vitit 1942, Zaho Koka, fshatar nga Vunoi, ja numuroi komandantit fashist të Himarës toger Virxhile Moretit, i cili mbeti i vdekur në Vishë të Himarës. Ishte oficeri i parë fashist që vritej në Shqipëri. Eleminimi i Virgjile Moretit u bë në dijeni dhe bashkëpunim të ish n/prefektit të Himarës, Hysni Lepenicës.

 

Vrasja e Miladin Popoviçit

Haki Taha mësues  nga Gjakova i vajti brënda në zyrë sekretarit krahinor të Partisë Komuniste Kosovës e Metohisë, Miladin Popoviçit, dhe në emër të popullit shqiptar e vrau.

Miladin Popoviçi, (1910 – 1945), ishte komunist malazes. Ishte i internur nga fashistët italianë në Peqin nga ku  u lirua prej komunistëve shqiptarë në vitin 1941 dhe qëndroi në Shqipëri  deri në shtator të vitit 1944. Miladini, kontribuoi të themelohej Partia Komuniste Shqiptare për interesat e vëndit të tij, kundështoi marrëveshjen e Mukjes për shkak se në këtë marrëveshje flitej për vetvendosje të popullit të Kosovës, dhe dënoi me vdekje Mustafa Gjinishin të cilin e vranë pas shpine dhe Ymer Dishnicën. Me politikën e tyre, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi, emisarët e Titos e futën vëndin tonë në një luftë civile dhe në kohë paqje në luftë klasash më të ashpër se kudo nga vendet komuniste.

Në vuajtjet dhe mjerimet që kaloi populli shqiptar dhe kosovar, në ndarjen e Kosovës nga Shqipëria dhe në përgatitjen e planit që Shqipëria të shndërrohej në një republikë të shtatë të Jugosllavisë është dora dhe mëndja e Miladin Popoviçit. Për këto arsye, ai ishte bërë armiku i shqiptarëve dhe kosovarëve të cilët vendosën ta eleminonin.

Sipas autorve serbë: “Seperatistët  Kosovë e Metohi, në bashkëpunim të plotë me ballistët si kryengritës  luftonin të  detyronin trupën udhëheqëse të Jugosllavisë së Re që të bjerë vendimin për bashkimin e Kosovës dhe Metohisë me Shqipërinë… Miladin Popoviçi ishte bërë pengesë e komplotistëve, prandaj lindi mendimi që ai të likujdohej… 

Komploti kundër Miladin Popoviçit u gatua në Prishtinë, u hartua në Pejë e Gjakovë dhe u realizua në Prishtinë. Në zyrën e kapiten Ibrahim Banush Sedllarit, zv/komandant i regjimentit të Pejës, u preçizua dhe u hartua atentati deri në detaje, nën udhëheqien personale të tij. Është thënë se me anë të shortit do të përcaktohej atentatori. Shorti i ra Ibrahim Banush Sedllarit, i cili nuk hezitoi…  Megjithatë për ta vrarë, doli vullnetar Haki Taha me arsyetimin se ishte i sëmurë nga turbekulozi  dhe nuk do të jetonte gjatë…

Ishin marrë vesh që vrasësi me vete ta ketë edhe flamurin shqiptar, i cili do të gjendej tek ai në rast se vritej apo kapej. Në flamur ishte shkruar me shkronja të praruara në ar: “Për Kosovën e Lirë  të bashkuar me Shqipërinë”…

Komplotistët dispononin të gjitha faktet. E dinin që edhe Miladin Popoviçi ishte i sëmurë me turbekuloz dhe para lufte kishte qënë shtruar në sanatoriume në Ozren, dhe në Gollnik ku ishte njohur edhe me Haki Tahën i shtruar edhe ai atje. Miladini i përcolli Haki Tahës përvojën e tij  për ta shëruar dhe me shumë kujdes sillej ndaj tij sikur të ishin shokë lufte dhe të njohur para luftës. Hetimet treguan se Haki Taha disa herë kishte ardhur te Miladini dhe ai i kishte thënë njeriut të sigurimit: “Kur ky njeri dëshëron të vij tek unë mos e vono”.

Haki Taha e vrau Miladinin më datën 13 mars 1945, rreth mesditës, në zyrën e Komitetit Krahinor në Prishtinë. Janë të ruajtura telegramet dërguar Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për vrasjen e Miladin Popoviçit”.[3]

Afërsisht të njëjten gjë ka deklaruar, përpara hetuesve komunistë në Tiranë edhe Qazim Vula, anëtar i njësitit atentator: “Haki Taha e vrau Miladinin në emër të organizatës sonë sepse kishte qëllim të ndante Kosovën nga Shqipëria dhe shton “me vete Hakiu kishte marrë një flamur me shkronja ari: “Kosovës liri – bashkim me Shqipërinë”.

Pas atentatit, Haki Taha për të mos binte në dorë të shkjaut vrau veten i mbështjellë me flamurin shqiptar. I qoft mbi vorr e lehtë lëndina.

Në relacionin që Sigurimi i Shtetit bën për  Qazim Vulën thuhet se:” Në gjoksin e Haki Tahës u gjet një flamur shqiptar me mbishkrimin: “Kosova e shqiptarëve- Vdekje tradhëtarëve” dhe në flamur ishte shkruar edhe një copë letër: “Unë e vrava Miladinin, pasi ai i shiti Kosovën, Jugosllavisë” [4]

Haki Taha, vinte prej prapavijës nacionaliste, kishte kryer normalen e Elbasanit dhe ishte diplomuar mësues, por ai u bë edhe mësues i atdhetarisë. Ai, krahas shumë patriotëve të njohur, ka qënë i angazhur vazhdimisht në luftën dhe përpjekjet për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e sajë me Shqipërinë.

Në vitin 1934, ai mori pjesë në një organizatë gjakovarësh që do të luftonte për çlirimin e Kosovës nëpërmjet luftës guerile.

“Në të gjitha takimet me majorin Piter Kemp e veprimtarë të njohur të Kosovës si Ejup Binaku, Selman Riza, Sokol Dobrusha, Halim Spahia, Shefqet Shkupi, Rifat Krasniqi, Haki Taha etj. u treguan të gatshëm të luftonin kundër pushtuesit. Në njerin nga këto takime, më 17 dhjetor 1943, krahas veprimtarëve të tjerë edhe Ejup Binaku u zotua në emër të LAI, që një kompani me 200 veta, nën udhëheqien e tij do të luftonte kundër pushtuesit. Këtë zotim majori Piter Kemp e mori edhe nga prof. Selman Riza në takimin që patën më 7 janar 1944”, shkruan Muhamet Shatri.[5] 

Në korrik të vitit 1944 Haki Taha u aktivizua përsëri në një organizata tjetër me në krye Selman Rizën, me qëllim çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e sajë me Shqipërinë.

Pas vrasjes së Miladinit, nga Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, që vepronte në Kosovë u gjykuan disa grupe, një ndër ta është edhe grupi në të cilin bënte pjesë Kol Parubi që sipas aktakuzës të prokurorisë serbe: “Shtylla ma e fort e këtij komiteti dhe anëtari më aktiv i tij ka qenë Kol Parubi, i cili ka lanë pozitën e tij priftnore, për me mujtë para kësaj lufte me qënë në shërbimin e jashtëm dhe me këtë qëllim më 1939 ka kalue prej Shkodrës në Jugosllavi…  Simbas direktivave të tija, në Prizëren u formue komiteti ilegal në mbarim të vitit 1945, simbas fjalës së tij  hyni si anëtar i komitetit central Enver Sudi, e për të vetmen arsye se Enveri ka qënë nji nga tre anëtarët që ka krye vrasjen mbi shokun Miladin Popoviqin, udhëheqësin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosmetit, dhe të cilën vrasje e ka krye anëtari kësaj bande Haki Taha” [6]

 

Komunistët falsifikojnë atentatin atdhetar të Haki Tahës

Në këtë mënyrë dhe për këto arsye u eleminua Miladin Popoviçi, por  historianët komunistë shqiptarë e kanë falsifikuar dhe mohuar aktin heroik të Haki Tahës. Komunistët shqiptarë thonë se vrasja e Miladin Popoviçit u krye nga UDB-ja jugosllave pa dhënë arsyet se përse UDB-ja e kreu këtë akt.

Kështu, udhëheqia komuniste e Shqipërisë kultivojë harresën kombëtare edhe në rastin e heroit të këtij shkrimi Haki Tahës, ata mbuluan krimet e Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

Edhe në botimet e vitit 2007 dhe 2009, heroi jonë Haki Taha nuk figuron, në një kohë që figurojnë shumë figura të zeza komunistësh shqiptarë që njohin për hero Miladin Popoviçin.[7]

Në shtator të vitit 1948, Enver Hoxha e qan me lot, armikun e kombit shqiptar Miladin Popoviçin, duke thënë se:

“Miladini vuri të gjitha forcat për të ndihmuar partinë dhe popullin tonë dhe ky u rrit me luftën e partisë sonë dhe popullit tonë… Miladin Popoviçi u vra tradhëtisht  dhe në mënyrë misterioze … nga dora e një shovinisti shqiptar kosovar…” [8]

Në vitin 1981, pasi e kishte shpallur Titon armik e tradhëtar, Enver Hoxha ja veshi vrasjen e Miladinit, UDB-së: “Pas çlirimit të Kosovës Miladin Popoviçin e vranë prapa krahëve njerzit e UDB-së …” [9]

Afërsisht kështu shkruhet edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar: “Miladin Popoviç u vra në Prishtinë më 13 mars 1945, në një atentat të organizuar nga shërbimi i fsheht jugosllav, sepse ishte shprehur për të drejtat e popullit të Kosovës për vetvendosje” [10]

Mirpo janë vetë Sërbët që  hedhin poshtë mashtrimet dhe falsifikimet e Enver Hoxhës, duke deklaruar se: “Heroin e Popullit, Miladin Popoviç e vrau në Prishtinë më 1945, mësuesi i Tiranës Haki Taha, anëtar i një grupi terrorist antikomunist, i cili vepronte në Kosovë më 1944 dhe më 1945” [11]

Banda terroriste e Enver Hoxhës nuk u mjaftu me falsifikimet e të vërtetës historike. Banda brugosi dhe internoi gati të gjith kosovarët që për të shpëtuar nga ndëshkimi serb, kalonin kufirin dhe vinin te gjenin shërim te mëma Shqipëri.

*   *   *

Emrit të heroit tonë Haki Taha, ju bashkangjit edhe emri një heroi dhe patrioti tjetër Xheladin Hana dhe ja se si: “Atentatori i vërtetë i “Druzhe Miladinit” ishte Haki Taha, por personi që i bëri të njohur botës këtë akt heroik për kohën duke sakrifikuar edhe jetën, ishte pikërisht Xheladin Hana, në atë kohë drejtor i Radio Prishtinës.

Dhe ja se si ka ndodhur: “Në mars të vitit 1946, me rastin e një vjetorit të vrasjes së Miladinit  pushtuesi sërb  dha urdhër që Radio Prishtina  të jepte një emision për këtë përvjetor ku të flitej për bëmat e Miladinit.

Xheladin Hana  Drejtori i Radio Prishtinës e mori përsipër këtë mision duke folur vetë përpara mikrofonit. Ai në vënd që të fliste për famën e Miladin Popoviçit, të  urdhëruar prej pushtuesit sërb, foli për  Haki Tahën, atentatorin  e vërtetë, duke i treguar mbarë botës kush ishte Haki Taha.

Ai tregoi se kur serbët zbërthyen rrobat e atentatorit, gjetën një këmishë të kuqe me shqiponjën e zezë  dy krenare, poshtë sajë gjetën një kanatiere po të kuqe me shqiponjë dhe në trup kishte vizatuar një shqiponjë të madhe duke u treguar serbëve se vrasësi i vërtetë i Miladinit ishte Populli Shqiptar…

Serbët të befasuar nga akti i Xheladin Hanës, nuk e zgjatën shumë, e vranë ndërsa ishte duke folur gjatë emisionit.

Ja para përse mund të themi  se ka qënë pikërisht Xheladin Hana ai që vrau Miladin Popoviçin”[12]

 

Hakmarrja e OZNA-as sërbe dhe e Sigurimit të Shtetit Shqiptar

Kosova nuk mund të vritej, asaj i duhej marrë fryma. “Pas vrasjes së Miladin Popoviçit, më 13 mars 1945, OZNA,  haptazi justifikoi terrorin dhe likujdimin e intelektualëve shqiptarë. Në Prishtinë hyri në histori edhe Haki Taha, ai bir i denj i epokës sonë plot sakrifica e padrejtsina…

Mirush Lipoveci, më diftoi për qëndresën heroike të këtij krahit dhe për sjelljen shnjerzore të brigadave shqiptare kur në muejt e fundit të vjetit 1944, me mashtrime, i kanë çarmatos burrat e kësaj krahine  dhe ua kanë dorzue brigadave serbe.

Më kallzoi për vdekjen heroike të shokut tonë, Haki Tahës, dhe për poshtërsina aq të mëdha të Elami Nimanit me vëllazën. Nuk i kanë kursye me mija shqiptarë veç për t`u hy në qejf dhe në besim sërbo- malazesëve”, shkruan Prenk Gruda.[13]

Ditën e atentatit ndaj Miladin Popoviçit, OZNA-a arrestoi mbi 27 vetë. Të gjithë ata që ishin anëtarë të organizatës që luftonte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, u vranë ose u burgosën.

Profesor, doktor Muhamet Pirraku, na tregon një rast të dhimbshëm që flet për urrejtjen dhe sjelljen  çnjerëzorë të  sërbëve ndaj Haki Tahës dhe luftëtarëve shqiptarë nëpërgjithësi:

“ Më 22 prill 1947, në sallën e gjimnazit të Prishtinës, u hap gjykimi kundër udhëheqësve kryesore të Organizatës “Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare”, shquhej Ajet Gurguri, Ukë Sadiku, Gjon Sereqi, Osman Bunjeku, Zhuk Haxhia etj, gjithësej 15 vetë.

Aktakuza theksonte se “dora e tyre kriminale ka vra shokun Miladin Popoviç, Sekretar i Këshillit Krahinor të Frontit Popullor…”

Pas 7 ditë gjykimi për 15 vetë gjykata dënoi me vdekje me pushkatim 5 veta: Ukë Sadiku, Ajet Gurguri, Gjon Sereqi, Hilmi Zariqi dhe Osman Bunjeku…

Sabit Haliti (1920 – 1993), në maj të vitit 1944, theri xhaxhanë me thikë, doli partizan dhe u bë komunist. Komunistët i çmojnë ata që therin babanë dhe xhaxhanë  dhe prandaj Sabitin e bënë officer të OZN –as…

Ditën e parë të punës, shefi i Sabit Halitit, Çedo Topalloviç, e ftoi në zyrë, ja hapi sirtarin e tavolinës, ku kishte me dhjetra orë dorë e të xhepit, të grabitura patriotve shqiptarë të pushkatuar  e të burgosur.

I tha: “Zgjidhe nji…!”

Sabiti zgjodhi nji të xhepit, marka “Lontin” me kapak dhe zinxhirë të bukur. Porsa e lidhi për dykme të jelekut, Çeda i tha:

“Kjo orë ishte e Haki Tahës…!”  

Kjo informtatë për Sabit Halitin nga Llashtica, jehoi si fishkëllimë plumbi: “Ti, prej sot je në rrugën e tradhëtisë kombëtare…!”
Pas disa ditësh e hoqi atë, duke e ndërruar me një orë dore me qytetarin prishtinas Hysen Prishtina, i cili shkoi në Amerikë në vjeshtë të vitit 1945. Ai nuk e di që ora që mori nga Sabit Llashtica ishte e dëshmorit Haki Taha, të vrarë nga OZNA-a…

Edhe komunistin Sabit Halitin e arrestuan në zyrë më 1 nëntor 1946…Vuajti gjithësej 15 vjet e 6 muaj në burgjet komunistë sërbe. Vdiq si njeri i respektuar…”[14]

 

Sigurimi i Shtetit Shqiptar u tregua më i egër se OZNA-a sërbe ndaj kosovarëve.

Sigurimi  vrau në Sauk, më 27 mars 1946, Qemalin, vëllanë e Haki Tahës ndërsa e shoqëronin për ta deportuar në Kosovë.

Më 12 mars 1945, një natë para se të kryente atentatin, Haki Taha kishte fletur  në Gjakovë, në shtëpinë e Qazim Vulës, një nga anëtarët e organizatës që eleminoi Miladin Popoviçin,

Qazimin e dënuan me burg, por ai mundi të  arratisej nga burgu i Nishit  dhe erdhi në shtetin amë. U arrestua më 15 dhjetor 1949, sepse kishte marrë pjesë në vrasjen e “luftëtarit internacionalist Miladin Popoviç”. Më 7 shtator 1950, ai u dënua me 10 vjet burg dhe vuajti  deri në vitin 1957. Pas daljes nga burgu, jetoi e punoi  në Tiranë, Kavaj, Bulqizë, Fush Krujë dhe më 5 prill 1962 u internua në Shtyllas të Fierit. 

            Atje  gjeti dy kosovarë patriotë: Qazim Bllacën dhe Hazir Halimin. Së bashku ndërtuan një varkë me lëkurë kecash dhe tentuan të arratiseshin në Itali. U kapën nga rojet e kufirit më 8 tetor 1962. Qazimi u dënua për herë të dytë me 12 vjet e 6 muaj  dhe doli nga burgu më 6 dhjetor 1974, pa përfitur asnjë ditë ulje. Jetoi në Shkodër deri sa mbylli sytë përgjithmonë, në azilin e pleqëve. Pas vitit 1990, djali tij i gjeti eshtarat dhe i bëri një varrim madhështor dhe të merituar në Gjakovë, në vëndlindjen e tij.

            Sigurimi i Shtetit, këtij burri i bëri shumë premtime që të deklaronte se Miladin Popoviçi ishte vrarë nga OZNA-a sërbe, por ai është përgjegjur:” Për asnjë përfitim nuk do të shkelë mbi gjakun dhe sakrificën e Haki Tahës dhe shokëve të tjerë që e organizuan dhe kryen këtë atentat”.

Këta tre shqiptarë përfaqësojnë fatin e dhimbshëm të vëllezërve kosovarë në Shqipërinë burg të Enver Hoxhës dhe Hysni Kapos. 

Në vitin 1945, Sigurimi i Shtetit arrestoi Selman Rizën, kryetarin e organizatës të vitit 1944, ku bënte pjesë edhe Haki Taha dhe ia dorzoi UDB-së.[15]

 

Heronjtë rrisin madhështinë e kombit.

Sot, Haki Taha, Qazim Vula, Xheladin Hana, etj.  janë mbyllur, jo në qelitë e errëta sërbo- komuniste, por në qelitë e zeza të harresës komuniste, më mizore më antikombëtare se qelitë sërbe  dhe qelitë shpitare të veshura sërbçe.

Asnjë kujtesë dhe homazh, çdo 13 mars,  veçanërisjt mbi tre emra të pa harruar: Haki Tahën, Qemal Vulën, Xheladin Hanën etj…

Heshtja për heronjtë po zgjat shumë. Nëse para ‘90 –tës kishte arsye, nga mungesa absolute e lirisë së fjalës, sot çfarë arsye mund të gjejmë për të heshtur para madhështisë së veprave të heronjve tanë, që rrezatojnë dritë në udhën e kombit?

Kujtimi heronjve është drita që do të largojë errësirën komuniste që na mbajti të lidhur prej duarsh dhe prej mëndjes.

Gazetat komuniste çdo ditë kujtojnë dhe lartësojnë heronjt e tyre gjakatarë, heronj te dhunës dhe terrorit, heronj që kanë lyer duart me gjakun e popullit.

Kujtimi i heronjve si Haki Taha tregon shkallën e lartësimit kulturor të shoqërisë, kujtimi i heronjëve është akti i parë i dashurisë ndaj atdheut dhe ndjenja e detyrës  për të lartësuar atdheun.

Kujtimi i heronjëve është muri që i vihet akteve armiqësore  dhe veprave anti kombëtare, është betimi  për të punuar për atdheun, për të ecur në udhën e heronjëve, është ndalesa e ideve komuniste.

Heronjtë nuk janë vetëm qëndrestarë por trupa që digjn për t`i bërë dritë popullit tyre. Po të mos digjeshin heronjtë thotë një shkrimtar ku do të gjente dritë populli për të parë e për të ecur përpara?

 

Haki Taha ishte një lis i lartë i heroizmit shqiptar, që u pre nga dora sërbe, por atje ku priten lisat dalin sythat dhe sythat u bënë lisa më 1999 dhe i dhanë lirinë popullit të Kosovës.   Ata, lisat kosovarë të vitit 1999, shëmbën piramidën komuniste të ngritur me gjak dhe eshtra  shqiptarësh.

Ata sulmuan terrin e heshtjes për të shkuar drejt vlerave të vërteta kombëtare

Madhështia e atdheut dhe vlera e tij qëndron në aktet heroike të bijëve të tij.

Ka ardhur koha që të njohim dhe të zbuloimë heronjtë e vërtetë

 

KRIJIMTARIA POETIKE E HAKI TAHËS

Emrin e Haki Tahës, për herë të parë  e dëgjova në moshën 13 – 14 vjeçare prej folkloristit të shquar të ditëve tona Fotos Mero Rrapaj edhe ky i burgosur për lirinë e Kosovës dhe sot i harruar. Prej asaj dite nuk e harrova më, dhe në atë moshë çuditesha  se përse emri i Haki Tahës i friksonte njerëzit.  Fatosi  më fliste gjithnjë me pasion dhe me lot në sy për heroin tonë Haki Taha dhe ishte i bindur se do të vinte dita që ne të krenoheshim me emra si Haki Taha, Shote dhe Azem Galica, deri atëhere të pa njohur nga shqiptarët. Nisur nga kjo dashuri dhe detyrim mblodha poezitë e Haki Tahës  dhe i dhashë për botim.

Heroi jonë, veç të tjerave,  dallohet për  shpirtin e tij poetik, ai ishte poet. Pra në se duam të njihemi me Haki Tahën le të lexojmë poezinë e tij, sepse biografinë e tij e ka shkruar me krijimtarinë e tij. Nëpërmjet poezisë mësojmë  qëllimin e jetës së heroit të ardhshëm: Çlirimi i Kosovës dhe bashkimi sajë me Shqipërinë. Nuk e njohim gjith krijimtarinë e tij por edhe me kaq sa botojmë del i qartë profili i një luftëtari, atdhetari dhe poeti të talentuar.

Shumica e poezive janë botuar në Tiranë gjatë kohës që Shqipëria dhe Kosova ishin nën pushtimin fashist italian. Italia Fashiste, për shkak të inetresave të sajë politike, më 10 korrik 1941,  bashkoi tokat shqiptare që kishin mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë në vitin 1913, pra  bëri realitet ëndërrën e shqiptarëve duke krijuar Shqipërinë Etnike.

Më 12 gusht 1941, Vitorio Emanuele nënshkroi dekretin për kufijtë e rinj të Shqipërisë, shoqëruar me hartën përkatëse, i cili hyri në fuqi me botimin në fletoren zyrtare datë 28.8.1941. Mbi 200 mësues u dërguan në Kosovë të cilët hapën shkolla shqipe dhe dhanë mësim atje, po kështu u dërguan në tokat e lirueme nga sundimi serb shumë nëpunës shqiptarë, oficerë dhe policë.

Kosovarët që kishin qënë nën sundimin çnjerzor serb e quajtën se tashmë kishin fituar lirinë.

Në këtë situatë të re historike, Komitetit Kosovës filloi botimin e  gazetës “Kosova”, numuri i parë i së cilës doli më 27 prill 1941 dhe numuri i fundit në nëntor 1943. Gazeta kishte si devizë vargjet e Vaso Pashë Shkodranit:                              Prej Tivarit në Prevezë,

                                                                    Gjithku lëshon dielli vapë e rrezë,

                                                                    Asht toka e jonë,

                                                                    T`parët na kanë lanë,

                                                                    Kush mos t`na e preki,

                                                                    Se vdesin të tanë.

Kështu pra, ne zbulojmë  anën e panjohur të  Haki Tahës, heroit të këtij shkrimi, shpirtin e tij poetik, nëpërmjet  poezive që ka botuar me temë atdhetare, poezi që burojnë nga shpirti një djaloshi gjakovar që kërkon lirinë me çdo çmim. Në poezinë e tij ne shohim gjithashtu betimin e tij për të vdekur për lirinë e Kosovës për bashkimin e sajë me Shqipërinë dhe nëpërmjet poezisë ne kuptojmë, vetmohimin e tij,  aktin e tij heroik për lirinë e Kosovës. Poezia e tij është thirrje për luftë për liri, është marsh, është hymn për lirinë e Kosovës, është amanet.

Poezia botohet me ortografinë e kohës, pa bërë asnjë ndryshim.

 

                                    ZANI I KUSHTRIMIT

                               I.

Mjaftë lotë, përcllime, përvëlim malli,

Psuem der tash n`t` padurueshëmen robni,

Lanë n`mjerim e tue vujtë shka asht ma zi,

Përsi n`errsinë të varrit ndry prej s`gjalli.

                             II.

Çdo shpresë për shptim, në pushkën sod ka mbetë,

Se n`tokë, që me gjak s`laget, s`binë lirija,

Pra nuk ka ç`prêt  ma gjatë tash djelmënija,

Për t`ia këthye nderin  vendit t`vetë.

                            III.

Buria sod gjithkah t`leshojë za kushtrimi,

Qe shka asht kosovar me turr duhije,

Kah vendi i të parvet  çdo djalë trimi,

E n`të e për të t`vdesë si i ka hija.

                            IV.

Nga na vllazën t`njimendjet të gjithë s`bashku,

Se çdo nji nesh detyrë e ka të vuej,

E n`fund të derdhë  edhe ma të mbramen pikë gjaku,

Por kurrë Kosovën t`onë mos t`a lam n`zgjedh` t`huej!

                            V.

Bajonetë m`bajonetë, fyt n`fyt, luftë burra,

Edhe pse n` mes të tymit e n`mes t`flakve,

Nëpër vringllim shpat`sh, n`zhurmë topa e t`pushkëve,

Para, liri se s`ka, m`të, hurra hurra!

Gazeta “Kosova”, Tiranë, Viti I, dt. 1.6.1941, f.3               

 

 

                                VAJ` I  ZEMRËS

                                                    Të ndjerit Zeki Shehi

                             I.

Dallgët e vjetëve shembin edhe shkrepin,

E n`hov t`tyne ndrrojmë pamje t`rruzullimit,

Veç zemra eme ngulë ka për ty grepin,                         

                                       Në varrë t`kujtimit.

                           II.

Myshku harresës zhdukë, mbulon shum halle,

Teksa plaga e eme pajada,

Rritet e hapet, bahet ma e madhe:

                                          N` shpirt tue të qa! 

                          III.

N`rruza t`gjakut, n`loçkët t`zemrës je vizatue,

O shok i shpirtit, vuejtjesh e mjerimesh,

Kob të mnershëm na solle që m`at Natë,

                                         Kur n`jetë qe nda nesh!  

                           IV.

Krejt rrejshëm më përgdhelin mue mashtrimet,

Që më përtrijnë kujtimet e kalueme,

Se hijet e kanë Hijen nder vegimet,

                                           Me zi t`mbulueme!

                           V.

N`tokë t`ritueme e n`shtratin e dhandrisë,

Shkrihesh në tretje, kthehesh n`amë t`burimit,

Porsi zemra e eme n`hov t`dashnisë,

                                             N`afsh të vajtimit!

Gazeta “Kosova”, Tiranë,  Nr. 42-43, Fruer 1943, f. 8  

 

                        BAJRAM CURRI

Fëtyrë e gjallë, Dritë virtyti,

Shembëll i rrallë i Burnisë,

Vlon se vlon caku i yti,

Në zemra t`flakta t`Djelmnisë.

            Babë i të vorfnit, shpirtë-shkretë,

            Simbol i shejtë atdhetari,

            Skalitë në mendje ke mbetë

            Te çdo pinjuell n`gjak shqiptari.

Prej gjithkuj kurdo i dashtun,

Udhërrëfyes i trimnisë,

Nga anmiqt hije e drashtun,

Në pika t`arta t`Kombsisë.

            Kudo, përherë  Flamurtar,

            N`shtigje t`vërteta t`Shqipnisë,

            E vetë si Prijs, si luftar,

            Qindrove curr i lirisë.

Pa asnji dhimtë e pada,

Mbi këtë Tokë djersë e mallë derdhe,

Pa kërkue kurrë nam e za,

N`ndihmë pshtuese Shqipes i erdhe.

            N`Alltar t`Atdheut si peng Bese

            Shembull nxitje i rrallë,

            Me të pavdirë rreze shprese,

            Eshtnat tu t`shkrihen të gjallë. 

 Gazeta “Kosova”, Tiranë,  Nr. 45. 46. 47, qershor 1943, f.11

 

                        BAJRAM CURRI

N`at Stamboll gazetat kndojnë,

Ket ushtri n`Gjakovë ç`e çojnë,

Kush e çoi mos gjet xhenetin,

Bajram Curri e Riza begu,

Dërgut Pashën ç`e kërkon dovleti,

Kërkon dovleti q`at Dërgutin,

Sa taborre don për Shqipni?

–        Pak po m`duken tetëdhet mijë,

Me shkel Rekën e Malci

M`at Prizrend për me hi.-

Ke po vinte q`ai Pasha,

Dikush thonte qenka Dërguti.

Qenkan mbushun malet me borë,

Hiqu Dërgut se i thonë Gjakovë,

Se t`i zanë topat gjallë me dorë.

Gazeta “Kosova”, Tiranë, Viti I, Nr. 45,  46,  47,  qershor 1943, f.11

 

TUNGJATJETA  KOSOVË

Kosovë o toka bujare,

Ndjenjave t`flakta shqiptare,

N`t`rruzullit rravë sa t`jetë jeta,

Do t`thuesh përherë: Tungjatjeta!

            Kosovë, o Nana e vuajtjeve,

            E papërulunn`shesh t`muejtjeve,

            N`t`rruzullit rravë sa t`jetë jeta,

            Do t`thuesh përherë: Tungjatjeta !

Kosovë, o nderë e lavdisë,

O shpirt n`tansi t`Shqipnisë,

N`t`rruzullit rravë sa t`jetë jeta,

Do t`thuesh përherë: Tungjatjeta!

            Kosovë, o votër burrnore,

Ngjye me gjak n`punët trimnore,

N`t`rruzullit rravë sa t`jetë jeta,

Do t`thuesh përherë: Tungjatjeta!

Kosovë, o lulja e dashtun,

Nga t`huejt lakmuesa e drashtun,

N`t`rruzullit rravë sa t`jetë jeta,

Do t`thuesh përherë: Tungjatjeta!

            Kosovë, pathyeshmja e motit,

Për gjak t`kulluet t`Kastrijotit,

N`t`rruzullit rravë sa t`jetë jeta,

Do t`thuesh përherë: Tungjatjeta!

Kosovë, o çerdhe shqiptarësh,

Që n`jehe t`ambla kangtarësh,

N`t`rruzullit rravë sa t`jetë jeta,

Do t`thuesh përherë: Tungjatjeta!

Gazeta “Kosova”, Tiranë, Nr. 48, 49, 50, shtator  1943, f. 8

 

TUNGJATJETA KOSOVA SHQIPTARE

 

Kur qe midis`i Mbretnis Ilire,

Pate sa deshe nam dhe za,

N`ngadhnjime lufte, qetije hire,

Ndërsa kojshitë strokull s`kishin ba.

            Dardanë e vjetër, Kosovë e Re,

            Ke qënë shqipatre, shqiptare je,

            Dimën e verë e se të jetë jeta,

            Ke me përshëndetun me “Tungjatjeta”.

Qatje t`thuesh vonë, njer`z t`pa plang e shpi,

Palë, palë, gjithfarësh, soll barbari,

U dyndën n`ty, si breshni n`duhi,

Me t`qitun faret e krejt me t`zhbi.

            Dardanë e vjetër, Kosovë e Re,

            Ke qënë shqiptare, shqiptare je.

            Dimën e verë e se të jetë jeta,

            Ke me përshëndetun me “Tungjatjeta”.

Shum popuj t`huej u përshkuen mbi ty,

Por gjak e gjuhë e shpirtëe ndjeja,

Nuk muejtën kurrnjiherë me t`i shkrry,

Se n`gjok`s burrnuer i ruajte te deja.

            Dardanë e vjetër, Kosovë e Re,

            Ke qënë shqiptare, shqiptare je.

            Dimën e verë e se të jetë jeta,

            Ke me përshëndetun me “Tungjatjeta”.

Pushtuesë t`pamshirë gjithshka t`kanë mohue,

Gjakun tue t`thithë, zemrën tue të therrë,

Mallin tue t`marrë, shpirtin tue t`përvlue,

Pa pas kënd lotin t`and me t`a terë.

            Dardanë e vjetër, Kosovë e Re,

            Ke qënë shqiptare, shqiptare je.

            Dimën e verë e se të jetë jeta,

            Ke me përshëndetun me “Tungjatjeta”.

Por n`tallaz t`jetës me shpirt nën dhambë,

Fisnike mbete, e fortë qindrove,

E nën të dhunëshmen t`huejën kambë,

N`tokë t`ande n`vuejtje nuk u ligështove.

            Dardanë e vjetër, Kosovë e Re,

            Ke qënë shqiptare, shqiptare je.

            Dimën e verë e se të jetë jeta,

            Ke me përshëndetun me “Tungjatjeta”.

Gazeta “Kosova”, Tiranë,  Nr. 48, 49, 50, shtator  1943, f. 8

 

Shënim.

 Poezitë “Tungjatjeta Kosovë” dhe “Tungjatjeta Kosova shqiptare”, janë përgjigje ndaj shovenëve lakmuesa serbë, që pëshpërisin andej këtij:

 

Proxhe zima, doxhe leto,                                         Shkoi dimri, erdhi vera,

Nema vishe tungjatjeto,                                           Nuk ka më tungjatjeta,

Nebomjo braç albaneza,                                          Vllazën, s`u tutem shqiptarve,

Dok imamo mitroleza.                                              Deri sa të kemi mitroloza.

 

 

 

VUEJTJE, OH! PËR NE KOSOVARËT

                                      Shokut Zeki Shehi

                               I  

Rrejshëm n`jeshje mashtrimi u lshuem t`dejun,

Tue lodrue ndër livadhe, sheshe, ara,

Me plot gëzim, për t`cilin sod shtang ndejun,

                                                    S`i gjindet fara!

                              II.

Në të këthyem të rrez` s`mektë u çel shtegu,

Kah të pashlyeshmet  plagë të zemrës s`djegun,

Drejt n`përplasjen shkumbuese të çdo bregu,

                                              Të valës s`zdjergun.

                             III

Pada po na vjen hija ditve t`mjera,

E plaga hapet, bahet ma e madhe,

Sa fjalë e shpirtit t`and  dhe unë i nxjerra:

                                           “Jetë, mjaftë na talle”!

                             IV.

N`ngatrrim t`lamshit, po, fija na ka tretë,

Tue u shkri në mallë, n`lotë kur shpesh kalojmë,

E hallet e këtyne vjetëve t`shkretë,

                                             Kurr s`po mbarojnë!

                              V.

Shpesh pandeha, se caku i lumnisë,

S`do t`delte sikur thojshe: “Gjithnji luejte”!

Ndërsa s`kthei, veç jehonë e pragut t`zisë:

                                             Oh! Vetëm vuejtje!

Tiranë, 20. X. 939

  Gazeta “Kosova”, Tiranë,  Nr. 51, 52, 53, tetor  1943, f. 4

 

               KOSOVË O SHPIRT` I  JONË

 

Tepër fjete, zgjon moj Orë,

Bijt tu thirrin n`flakë t`dashnisë,

Me za t`thekshëm, me pushkë n`dorë,

Pjesë t`pandashme të Shqipnisë!

            Shqiptarë ke, shqiptare je,

            Shpirt` nga trupi, kurr s`mund t`ndahet,

            N`Ty jetojmë, n`Ty kem le,

            Gjaku ujë kurr s`mund të bahet!

Eshtna t`vjetër dhe të rijë,

Janë grumbullue për Ty përherë,

Lul` Lirije duhet t`mbijë,

Shqip kah  bza n`at tokë kaherë!

            N`mund  e djersë, Kosovë moj trime

            Mbru ndër shekuj n`hov t`burrnisë,

            Ndër llogore me fijime

            Gufon gjaku I lirisë.

Gjak e zemër, drit` Arbnisë,

Na ke bijë e t`kemi Nanë,

Kosovë, shpirt i Shqipnisë,

Pa Ty vdekë ma mirë të tanë!

Gazeta “Kosova”, Tiranë,  Nr. 54,  55,  56, nanduer  1943, f. 4

Shënim: Kjo poezi është botuar edhe në “Kalendari Enciklopedik”, Tiranë 1944, botim i Vasil Xhaxhkës.

 

                         ORA E KOSOVËS

                                I.

E mekun në plogti në nji shpellë t`errshme,

Ku s`deperton ndoj rreze drit`e dobët,

Përvajshëm në kllapi t`randë e t`vazhdueshme,

                                   Kjo orë pson t`gjitha kobet.

                               I I

Gjum` i dek`s ma i randë `kishte me qenë,

Se kjo  jermi e Or` e hy n`at vorr s`gjalli,

Gadi mejtë n`hije deket n`lotë rinë dhenë,

                                    Fëtyr`s rrshitë prej ktij halli.

                                III

Kur mendon mrizin  n`krue, vallet n`lendinë,

Zemër – plasta pesh çohet në pshertimë,

Shkrehet n`dënesje t`shfryjë brengun q`e grinë,

                                    Tue lshue aht1 e rrenkime.

                                 IV

N`at fije zani kputshëm tue ligjrue,

Qet fjalë t`dhimbshme, që shpirtin me t`pelsitë,

“Deri kur e mjerueme kam me shkue?”

                                     E shtueka: „Mjerë të rijtë!“

                                 V

Mbasandej vazhdon pijtas tue terellue,

“Mjerim i kobshëm mue t`shkret`n m`ka zatetë,

Në ketë t`mnershme thanë, n`vaj, ku jam gjykue,

                                      Me çue nji të tillë jetë.

                                VI

Shkoi çdo gja! Za gjallnije nga Kosova,

S`ndihet nën t`padurueshëmen robin,

E unë fatmjera krejtsisht u përvlova,

                                     Tue vujtë çka asht ma zi.

                               VII

Edhe ma tepër zemra po m`coptohet,

Tue pa këtë truell mbetë gadi i shkretë,

Që pafarë mshiret n`vujtje perdhunohet,

                                     Se t`vet kanë ikë e tretë.

                            VIII

Nuk paska dhimbsuni aspak për t`mjerët,

Drejtsija humbi bashkë me beës e mshirë,

Mbasi der n`votra t`tyne, Kosovarët,

                                  T`mos jenë ma as të lirë!

                              IX

As s`ka burrni n`Kosovë, si dikur motit,

Që muroje me gjok`s  t`bahet për ketë tokë,

E për vendin e vet humbë në ditë t`sodit,

                                 Nuk vueka kush gisht n`kokë?!

                                X

A thue se gjatë amshimit s`do të shkrepë,

Ndonji rreze ngushllimit  n`tru  t`mij  t`brishtë,

Që kohet si n`brincë  trupin m`a  kanë rjepë,

                                  Lënuershmas tue m`gërvishtë?

                                XI

Njimend se kjo futë zije kurr s`do  t`m`hiqet,

Prej shtatit  t`em  shpërla  n`lotë  t`fatkeqsisë,

E se, askush për mue nuk do t`përpiqet,

                              T`m`shpëtojë prej kurth`s s`robnisë?

                                XII

Kur mllefi e dalldisi për së teprit,

U briti kosovarvet, gjamë ushtuese,

U kapen deri  n`maje  t`naltë të Sharrit

                              Me plot jehe tinglluese.

                              XIII.

“Kot mallengjehi e fshani, si gra të kqija,

Pse t`tanë shpresa  n`fuqit  t`krahut ka mbetë,

Mbasi me fjalë, lot s`shporret kurr robnija,

                                Jet`n  n`dekë, shndrroni mor t`shkretë!“

Gazeta “Kosova”, Tiranë, Viti I, Nr. 12, dt. 1.8. 1941, f. 3

 

MALL PËR VENDLINDJEN

                                       I.

Mall` i madh  për Gjakovë asht tue m`përvlue,

E mendja e shkretë kurr s`më rri n`heshti,

Po turravrap atje ka me shkue,

Si dalndysha prej m`rgimit n`vetën shpi.

                                    II.

Njitun për palc të shpirtit qe sa kohë,

Më shkatrroi shëndenë, tue m`shndrrue n`ftyrë  t`dekunve,

Ky përmallim shkatrrues, njinji me t`tretunve,

N`vende t`shkreta, ku gjurmë njerzsh kush s`mund t`shohë.

                                   III.

Këto rrugë që me lotë perditë i lava,

S`më joshën asnjiherë si t`mijat krejtë t`gzuem,

Se ata,  n`t`cilat n`lojna t`ritë kalova,

Janë ma t`kandshme se kto n`asfalt e n`pllakë shtruem. 

                                    IV.

Robnija e Kosov`s  s`dashun  m`dau s`gjalli,

Tue m`qitë  n`rrugë  t`madhe  n`ftyrë  t`dhimbshme t`jetimit,

Për m`u dergjë, m`u përcllue e  m`u djegë shqimit,

Pa provue asnjiherë si shuhet malli.

                                    V.

Perherë ngushllim kam vaj`n  n`ketë jetë idhnimi,

Në nji shfrim të pashtershëm me të tillë lot,

Nga vujtjet që nuk ka  ç`t`u  bajë durimi,

E thom, se kështu s`mundem të qindroj dot.

Tiranë, 24.VII.936

Gazeta “Kosova”, Tiranë, Viti I, Nr. 15, dt. 27. 9. 1941, f. 6

 

HYMNI I DJELMËNISË  GJAKOVARE

                                 I.

Na djemë t`Burrave t`onë të përmendun,

E pathyeshmja mburoj`e Atdheut,

Gjatë Kufinit  t`onë  t`drejtë n`eshtna t`endun,

Vrullshëm t`hudhem si jehe t` Orfeut.

            N`gjak Shqipnija na vlon prore,

            N`tinguj fl`jimi, n`lavd  t`amshojmë,

            N`eshtna  t`onë si përmendore,

            N`nji Kunorë Shqipninë  t`gatojmë.

                                 II.

Turr përpara si flak` e rrufesë,

Me ra n`shtigje t`Shqipnisë së Vërtetë,

Ku si herët e vonë me nji Besë,

U ngul caku i Shqipes me fletë.

            N`gjak Shqipnija na vlon prore,

            N`tinguj fl`jimi, n`lavd  t`amshojmë,

            N`eshtna  t`onë si përmendore,

            N`nji Kunorë Shqipninë  t`gatojmë.

                                 III.

Me flakë n`zemër e pushken  në dorë,

Çonju vllazën, se Dita shejtë mbrrini,

Për Atdhe t`dashun, bini dëshmorë,

Përballë  t`huejit që dhunën përtrini.

            N`gjak Shqipnija na vlon prore,

            N`tinguj fl`jimi, n`lavd  t`amshojmë,

            N`eshtna  t`onë si përmendore,

            N`nji Kunorë Shqipninë  t`gatojmë.

                                   IV.

Mall` e zemër të tokës Shqiptare,

Gjak e shpirtë të bashkueme unji,

Hurra, hurra, Djelmni flamurtare,

O nën dhe, o vlaznitë t`onë n`Liri

            N`gjak Shqipnija na vlon prore,

            N`tinguj fl`jimi, n`lavd  t`amshojmë,

            N`eshtna  t`onë si përmendore,

            N`nji Kunorë Shqipninë  t`gatojmë.

Gazeta “Kosova”, Tiranë, Nr. 41, dt.  12.12.1942,  f. 4

 

Në gazetën “Besa” që botohej në Turqi, shkurt – mars 1958, f. 4, Haki Taha ka botur poezinë “Prizrenit”

Botuar së pari në gazetën “Nacional”, Tiranë, dt. 10-17.7.2011; 17-24.7.2011;  24-31.7.2011, f. 20-21

 

F U N D

 



[1] Sulltan Sulejmani i Madhërishëm, prijës i perandorisë më të madhe të kohës, pasi pushtoi Hungarinë, arriti në portat e Vjenës dhe detyroi Arqidukën Ferdinand të Habsburgëve të pranonte vasalitetin.

Me njëzet mijë trupa të zgjedhur zbarkoi në Vlorë, kundruall Otrantos. Fushimi u ngrit në Fushë-Dukat, buzë detit. Flota u strehua në Pasha Liman. Para nisjes për zbarkim në tokën e tëpafeve, për të siguruar shpinën dhe prapavijën, Sulltani ngarkoi Ajaz Pashën që të spastronte krahinën e Himarës nga luftëtarët e mallkuar arnautë. Në këtë moment ndodhi atentati i tij nga Damjan Himarioti.

[2] Axhisilao Milani ishte arbresh i Italisë. Lindi në vitin 1830. Në vitin 1856 shkoi ushtar në vend të vëllait të tij, ku edhe u gradua për aftësi dhe trimëri. Pas atentatit e torturuan por ai deklaroi me guxim: “Desh ta vrisja Mbretin sepse ai është tradhëtar i popullit të tij, se mori nëpër këmbë të drejtat e popullit, se ropi popullin, dhe se vrau babanë tim pa asnjë faj, dhe turpëroi familjen”.

Më 13 dhjetor 1856 Anxhelo shkonte këmbëzbathur drejt litarit. Në çastin e varjes ai thirri “Rroftë liria e popujve, rroftë Italia” Ishte vetëm 26 vjeç kur u var në litar.

[3] Kujtime të një udhëheqësi të lartë të PK Jugosllave shok dhe bashkëpunëtor i Miladin Popoviçit, cituar   

   nga Albert Kotini në gazetën “Republika”, dt. 15. 2. 201, f. 15.

[4] Shih: Kastriot Dervishi “Vrasja e Miladin Popoviçit më 13 mars 1945”, gazeta “55”, dt. 24, 25, 26, 27 shtator 2009, f. 16-17

[5] Muhamet Shatri “Kosova në Luftën e Dytë Botërore, 1941 – 1945”, Tiranë 1977, f. 240, 247

[6] Akatakuza: Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, Prizëren, më 13 korrik 1946, në bazë të vendimit   

   të AVNOJ –it datë 3.2.1945

   Cituar nga Et`hem Çeku “Struktura politike e ilegales së Kosovës”, Argeta – LMG, Tiranë 2006. f. 56

[7] Shih: “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” Tiranë 2009

[8] “P P SH  Dokumenta kryesore”, Tiranë 1971, f. 510

[9] Enver Hoxha “Kur lindi Partia”, Kujtime, Tiranë 1981, f. 394

[10] “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë 1985, f. 857

[11] Grup autorësh “Shqipëria e Enver Hoxhës”, Rilindja, Prishtinë, 1981, f. 48

[12] Gazeta  “Balli i Kombit”, Tiranë, dt. 1. 2. 1996

[13] Prenk Gruda “Ditari i një zemre të lëndueme”, Tiranë 1997, f. 595, 597.

[14] Dr. Muhamet Pirraku “Mulla Idris Gjilani dhe mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore  1941 – 1951”,   Prishtinë 1995, f. 470 – 471

[15] OZNA = Drejtoria e Mbrojtjes Popullore, akronimi OZNA shërbim informative i RSF të Jugosllavisë, i themeluar më 13 maj 1944, nën udhëheqjen e Aleksandar Rankoviqit, antarit të lartë të Politbirosë politike dhe bashkëpuntorit të afërt të Josip Broz Titos. Në mars të viti 1946 është riorganizuar në UDB dhe KOS Shërbim i kundërzbulimit të armatës Jugosllave.

Ky formacion shfarosës për shqiptarët, në Kosovë u themelua më 1 shtator 1944. Të gjitha dokumentet e kohës flasin se OZN-a për Kosovë është formuar me kërkesën e “Komitetit Krahinor të Kosmetit” dhe të Komitetit Qëndror të PKJ-së. Për formimin e saj, përgjegjës ishte Aleksandër Rankoviqi, i cili atë ditë i kishte ftuar në një takim – në ishujt Vis të Kroacisë: Miladin Popoviqin (i cili udhëton nga Shqipëria për në Vis), Dushan Mugoshën dhe Spasoje Gjakoviqin. Në këtë takim u vendos që shef i OZN-ës për Kosovë të emrohej Spasoje Gjakoviqi. Me rastin e promovimit të OZN-ës në Kosovë, në radhët e saj ishin edhe tre anëtarë të “Komitetit Krahinor të Kosmetit”: Ali ShukriaÇedo Mijoviqi dhe Sahit Bakalli.