-Fjala përshëndetëse në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani” në shënimin e 17 vjetorit të Betejës së Koshares, nga njeri prej ushtarakeve te saj,  Rakip SADIKAJ – “Bresheri i Zi”, te cilen e sjellim e percjellim si nje dokument arkivor, qe i duhet historise sepse nuk ka Histori te Kosoves ne Luften e saj te Fundit 1997-1999 pa Betejen e Koshares.-

I nderuar komandant i Brigadës 138. “Agim Ramadani”, zotëri Rrustem Berisha,

Më lejoni që në emrin tuaj dhe në emër të të gjithë bashkëluftëtarëve tanë, si dhe në praninë e familjarëve të dëshmorëve të Brigadës 138. “Agim Ramadani”, t’i përshëndes të pranishmit, të cilët janë me ne sot këtu, për të kujtuar luftën e shenjtë të UÇK-së, në bjeshkët e Malësisë së Gjakovës, Betejën e Kosharës.

I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa,
Ministra,Deputet të Parlamentit te Kosovës
Përfaqesues të Pushtetit Lokal nga Kosova dhe Shqipëria
Përfaqësues të Trupit Diplomatik
Drejtues nga Policia e Kosoves
Gjeneral,Oficera dhe ushtar te FSK
Përfaqesues të Komunitetit Fetar
Ish Komandanti i Zonës II Operative Gjeneral Ramush Harajdinaj

Në veçanti të nderuar familjarë të deshmorëvë, bashkëluftetarë dhe veteranë të luftes

Të nderuar të pranishëm.
Ju falemnderit të gjithëve për praninë tuaj dhe respektin që i bëni kësaj ngjarje historike të kombit shqiptar, këtij vendi, tashë e 17 vite me radhë, duke mos hequr dorë as atëherë, kur nuk ishte e lehtë për të arritur deri këtu.
Së bashku me ju, edhe ne luftëtarët, në rrugëtimin tonë, vit-pas-viti jemi përballuar me sfida dhe vështirësi.
Por, unë jam i bindur se të gjithë do të pajtoheni se të gjitha këto vështirësi ia kanë vlejtë. Ia kanë vlejtë, sepse Beteja e Kosharës nuk ishte një shkreptimë rasti, apo veprim i momentit, por, ishte një projekt madhor, i ideuar dhe planifikuar deri në detalet më të imta nga ata (njerëz), të cilët në mendje dhe në vepra, kishin ÇLIRIMIN e Kosovës, forcimin e Kombit Shqiptar.

Të nderuar,
Çdo njeri e ka një rast, e ka një çast, të cilin e mban në mend për tërë jetën. Për shumicën prej jush, çast i tillë, me siguri, është dita kur filluan bombardimet e NATO-s, ngase aeroplanët sollën shpresë të re për shqipëtarët. Por, për mua, ky rast, ky çast, është mëngjesi i datës 09. Prill 1999. fillimi i veprimeve lutarake në rajonin e Kosharës.

Unë falënderoj Zotin, që kishte caktuar këtë fat për mua – që më kishte dhënë mundësinë për të qenë pjesë e historisë. Unë, atë mëngjes do të vihesha jo në mbrojtje të shtetit shqipëtar, për çka isha përgatitur thuajse tërë jetën, por, do të isha pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e trojeve Shqiptare.
Sado që këtë e prisja tashmë për një kohë të gjatë, madhështinë dhe thellësinë e asaj ndjenje, nuk mundë t’a përshkruaj as sot.

Të nderuar të pranishëm,
Ajo ditë, do të kujtohet në historinë e kombit shqipëtar, ngase u bë gurë i fortë në themelet e çlirimit të Kosovës.
Sikurse do të kujtohet dita 09.Prillit – tetë vite më parë – dita kur të zgjedhurit e qytetarëve të Kosovës, me votën e tyre, vulosën Kushtetuën e Republikës së Kosovës, dokumentin më të rëndësishëm juridik të këtij vendi, me të cilin konfirmohet liria për të gjithë qytetarët e Kosovës. Liria për të cilën kishin luftuar e kishin rënë qindra patriotë që nga vendosja e kufirit ogurzi, më 1912. Gjaku i tyre ishte derdhur në Kosovë, në Shqipëri, nëpër ish-Jugosllavi, e gjetiu nëpër Evropë.

17 vite më parë, në këtë ditë, kjo liri mori udhë pikërisht nga këto shkrepa e këto bjeshkë, për t’i dhënë zemër dhe kthyer shpresën gjithë vendit.
Këto shkrepa e këto bjeshkë, ishin zona e parë, e cila në aspektin ushtarak, do të quhej “Zonë e çliruar”.

Të nderuar të pranishëm
Të gjithë pa dyshim do të pajtoheni se përgatitja është parakushti themelor i suksesit. Këtë e mësojmë të gjithë, që nga shkolla fillore. Prandaj, është e qartë se për një ndërmarrje luftarake në shkallë të gjerë, siç do të ishte Beteja e Kosharës, do të nevojitej shumë kohë, energji dhe mjete.
Vërtetë se, më 09. Prill 1999 u bashkuan krismat e armëve të bijëve e bijave të shqipes nga të gjitha trojet, por, Beteja e Kosharës, në fakt, kishte nisur shumë më herët.

Pjesë e Betejës së Kosharës janë edhe përmbi 40 vëzhgime që janë kryer përgjatë kufirit nga Qafa e Ali Çelës në kufi me malin e Zi e deri në majën e zezë matanë Qafës Prushit në Has.
Pjesë e Betejës së Kosharës është edhe puna e Komandës së Përparuar, që kishte përmbledhur të dhënat nga këto vëzhgime, në përgatitje të fushëluftimit e që kishte hartuar planin për sulm.
Pjesë e Betejës së Kosharës është edhe puna e palodhshme e eprorëve dhe luftëtarëve për më shumë se gjashtë muaj, në stërvitje intentensive. Pa shprehur asnjëherë, asnjë ankesë, për çdo natë, nëpër dhiaret e Padeshit, e mbi dëborë të trashë ata bartën mbi shpindë armatim e municion, deri në afërsi të vijës së kufirit. Zelli i tyre në ndërtimin e pozicioneve të zjarrit të artilerisë do të dëshmohej thelbësor në suksesin e mëvonshëm, kur do të ndizej zjarri i topave e mortajave.

Fjalët “Ne nuk u themi të shkoni, por ju ftojmë që të vini pas nesh” i kishin dëgjuar shumë kosovar, nëpër tubimet e Agimit e Salihut, me refugjatë nga Durrësi deri në Shkodër.
Por, nuk ishin fjalët që përbënë besëlidhjen në Koshare. Ishte qëndrimi, ishte bindja që rrezatonte nga ato fjalë.
“Vetëm ata që janë me një mendje, do të qëndrojnë. Të tjerët janë të lirë të gjejnë mënyrën e vet për të ndihmuar atdheun”. Pikërisht ky qëndrim që nuk imponohej, por as nuk lejonte kompromis në rrugëtimin tonë, as mëdyshje në qëllimin që na priste, ishte ajo që kishte krijuar vetëdijen kolektive, që do të bëhej faktori i pathyeshmërisë në Betejën e Kosharës.

I gjithë ky organizim, të gjitha këto përgatitje, nuk do të kishin qenë të mundura pa një vizion të qartë, pa ditur mirë misionin dhe qëllimin e këtij operacioni ushtarak.
Vizioni i këtij operacioni ishte: Nuk do të bëhej më luftë vetëm për t’i shkaktuar armikut dëme. Tani e tutje, do të luftohej për çlirimin e territorit.
Misioni i tijë ishte: Të krijohej një zonë e lirë nga e cila do të futeshin në brendi të Dukagjinit dhe në thellësi të Kosovës, luftëtarë, armatim e municion, si dhe, nga kjo zonë, do t’i ofrohej mbështetja me zjarr të artilerisë, njësive tjera që vepronin në Dukagjin, me qëllim të zgjerimit të frontit të luftës.
Qëllimi kryesor ishte: Me një sulm të rrufeshëm dhe të koordinuar nga të gjitha grykat e zjarrit të armëve në dispozicion, të kapen dhe zotërohen të gjitha pikat e larta në zonën e Kosharës, të merret karakolli dhe të krijohet një vijë e frontit, e cila pastaj do të zgjerohej.
Veprimet e menjëherëshme, si një trup i vetëm, e gjithë strukturave që nga drejtimi e deri tek ushtari i fundit në front, mbëshetur me zjarrin e fuqishëm të artilerise, në kordinim me policinë ushtarake, grupet zbuluese diversioniste dhe njësitë e tjera mbeshtetese, me marrjen e urdhërit për hedhjen në sulm, mëngjesin e 9 Prillit, i shkaktuan çoroditje dhe humbje të mëdha forcave të armikut përball.

Qëllimi të cilin komanda e Grupit Operativ III e kishte paracaktuar në vendimin për sulm, u arrit brenda pak ditëve. Deri më 11.Prill, luftëtarët tanë ishin në të gjitha pikat e larta në rajonin e Kosharës, kurse në karakollin e Kosharës valonte flamuri kuq e zi.
Të nderuar, ju lutem të ndaloni për një çast, e të mendoni rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje.
Një veprim i thjeshtë, i cili ngërthen në vete një shekull tragjedi, heroizëm, e atdhedashuri.
Ishte hequr njëherë e përgjithmonë kufiri në mes të shqiptarëve, ishte thyer integriteti teritorial i ish jugosllavisë, duke ja bërë të qartë forcave ushtarake,policore e paramilitare serbe, së koha e qendrimit të tyre në tokën e Kosovës kishte përfunduar.

Beteja e Koshares do të mbetet gjithmonë vulë e trimërisë, sinonim i bashkimit kombëtar për një qëllim, nën një flamur, atë të simbolit të lirisë dhe pavarsisë, pikë referimi e gjitha veprimeve luftarake të UÇK-së, simbol i krenarisë për brezat e ardhshëm për luften e drejtë çlirimtare të UÇK-së, si dhe objekt studimi për studiuesit.

U deshën shumë përpjekje, sakrifica dhe flijime për të ardhur deri tek liria e Kosovës. Por pa sakrificën e të gjithë luftëtarëve, flijimin e deshmorëve dhe ndihmen e nderkombetarëve, as ne nuk do të ishim të lirë dhe KOSOVA E PAVARUR.

Beteja e Kosharës për vetë rëndësinë e sajë historike, meriton të pasqyrohet ashtu siç është quajtur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës – ZONË E INTERESIT TË VEÇANTË KOMBËTAR, …qoftë edhe nëse duhet pritur për 20 vite…
Unë jam i bindur për këtë sidomos tani, duke qëndruar përballë jush, e duke parë këtë log të mbushur me emra burrash e trimash nga mbarë trojet shqiptare, që projekti ka filluar të gjejë zbatim dhe memoriali do të marrë formën që i takon.
E përshtatshme për këtë rast, është një fjalë të urtë popullore: “Gjërat e mira, vijnë dal-ngadal!”

Të nderuar,
Secili njeri ka një afat në këtë botë, dhe të gjithë do të shijojmë vdekjen. Është me rëndësi çështja se SI dhe PËR ÇKA do të vdesim.
Dhe asgjë nuk mundë të na e pasqyrojë këtë rëndësi më mirë se sa varrezat e dëshmorëve.
E ne gjendemi sot në këtë log burrnie, në këtë fushë beteje, një pjesë të së cilës e kemi përkushtuar si vend prehjeje për ata që dhanë jetën e tyre, që ky vend të jetë i lirë.

Dhe ndërkohë që, koha, do të na harrojë ne të gjallëve, edhe kur nuk do të mbetet asnjë prej bashkëluftëtarëve të tyre, ky vend dhe këta emra, të shkruar në faqen e artë të kujtesës kombëtare, do të jenë deshmi e gjallë e jetës dhe vepres se tyre, do të kujtohen dhe do të lexohen, brez pas brezi.
Ky vend, e këto bjeshkë, njomur me gjakun e bijëve dhe dhe bijave të Kosoves dhe mbarë trojeve etnike Shqiptare, do të jenë dëshmi nëpër breza, se kufiri nuk i NDANE njerëzit, nëse ata nuk duan të jenë të ndarë.
Edhe pse të shpërndarë thuajse në çdo cep të botës, gjatë një shekulli, ata, përsëri u kthyen këtu, për të dëshmuar se Kosova është vend i shqipëtarëve, vend i atyre që i thonë bukës bukë, e ujit ujë. Asnjëri prej tyre, as atëherë, as sot e asnjëherë, nuk e ndjenë e as nuk e quajtën veten kosovar, as maqedonas apo malazez, amerikan apo gjerman, në saje të regjionit prej nga vinin.
Sot, e përgjithëmonë, këtë vend, në kufi të vjetër, e ruajnë emrat e burrave SHQIPËTARË.

Agim Ramadani, Sali Çekaj, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaqi, tani heronj të Kosovës, së bashku me 110 dëshmorët e tjerë të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, mbesin vllezër pushke dhe gjaku, për ne të gjallët.

Të nderuar të pranishëm.
Beteja e Kosharës, është fryt i ndjenjës së dashurisë për kombin dhe atdheun, të cilën e ruajtën dhe e përcollën brez pas brezi nënat nëpër djepa, baballarët duke vuajtur nëpër burgje ANDEJ E KËNDEJ KUFIRIT, bujqit nëpër ara, mësuesit e profesorët nëpër bodrume të shndërruara në mësonjëtore e katedra, minatorët nëpër zgafella, e mërgimtarët nëpër protesta anekënd botës.
Kjo ndjenjë, padyshim se nuk është unike vetëm për Betejën e Kosharës. Kjo ndjenjë, ishte strumbullari mbi të cilin ishte sendërtuar e tërë UÇK-es, pjesë e së cilës ishim edhe ne.
Kjo ndjenjë, padyshim se kishte brumosur shpirtin e emblemave të UÇK-së: Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Adem e Hamzë Jashari, Ilir Konushevci, Fehmi Lladrovci, Mujë Krasniqi, e shumë të tjerë, deri sa njëri pas tjetrit, u flijuan për tokën e Kosovës, për lirinë e sajë.
Vepra e të tyre, ishte pishtar për kombin dhe udhërrëfyes për luftëtarët e UÇK-së.

Prandaj, as sot, e as kurrë, këtë ndjenjë, nuk mundë ta zbehin, as ta shlyejnë asnjë gjykatë, sado speciale – qoftë ajo e Prishtinës, e Nishit, apo e Hagës.

As këtë ndjenjë, e as veprën e UÇK-së, nuk mundë ta njollos e shuaj askush. Aq më pak mundë ta arrijë këtë Serbia përmes arrestimeve që bënë duke keqpërdorur sistemin e INTERPOL-it.
Sado i brishtë shteti i Kosovës, sado ende i papranuar në këto organizma ndërkombëtare, ne vazhdojmë të jemi të gatshëm ta ndihmojmë atë, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, drejtë ngadhënjimit përfundimtar të së mirës ndaj të keqes.
Pavarësisht vendit, zyrës, apo funksionit, ky premtim, do të vazhdojë të vlejë për të gjithë ne.

Por, edhe kur ne të mos jemi më, ky vend dhe këta emra, do të jenë këtu, për t’u kujtuar fëmijëve të cilët 17 vite më parë, kishin mbetur në shiun e baltën e Bllacës e të Stankovecit, e nëpër përrojet e Bjeshkëve të Malësisë së Gjakovës, e të cilët tani më janë bërë burra e burrnesha, se si duhet të kujdesen për veten e tyre, për njëri-tjetrin, për vendin dhe të ardhmen e tyre,
Unë besojë se ne shqipëtarët, tashmë kemi mjaftë shembuj nga historia, për të kuptuar se, askush nuk do të na mbrojë, përderisa vëllau të mos mbrojë vëllaun. Bota do të rreshtohet me ne, vetëm kur ne të jemi të bashkuar. Vetëm të bashkuar, ne do të jemi të gatshëm të parandalojmë përsëritjen e historisë.

E sot, nuk kemi kohë të presim. Skënderbeu nuk do të vijë në mesin tonë, as nga Stambolli, as nga Washingtoni, as nga Brukseli, për të krijuar një besëlidhje të re, sikur ajo në Lezhë. Nuk janë me ne as kokat më të ndritura të kombit, të cilët 108 vite më parë u mblodhën në Manastir dhe miratuan shkronjat të cilat u derdhën në Deklaratat e Pavarësisë në Vlorë dhe në Prishtinë.
Por, në kujtesën tonë duhet të rëndojnë ata që prej njërës deklaratë deri tek tjetra, falën dijen, djersën, gjakun dhe jetën, për të qenë ne sot këtu.

Të nderuar,
Me krenari perulemi përpara gjithë atyre që sakrifikuan dhe u flijuan për lirinë e Kosoves.
Si kudo që të rënët e të gjallët bëhen tok, edhe në këtë vend, falënderimi është fjala që më së miri tingëllon, por që, fatkeqesisht, ne keto 17 vite nuk e kemi degjuar mjaftueshem.
Falënderimi për Zotin, që na ka mundësuar të vazhdojmë edhe më tutje, të jemi në shërbim të kombit.

Falënderimi për familjet e dëshmorëve, për të plagosurit, për të gjithë bashkëluftëtarët, të cilët me urtësi presin ditën kur do të inaugurohet Kompleksi Memorial i Betejës së Kosharës, duke vazhduar kujdesin e palodhshëm për rrugën e për varrezat e dëshmorëve.

Ju falemnderit edhe të gjithë juve për vëmendjen.