Nuk e kam zakon të merrem me emra të përveçëm. Se një emër i përveçëm është ky i Bushatit. Unë i lexoj analizat e tij sa herë më jepet mundësia, pasi vlerësoj se gjej tek ato mendim ndryshe. Tjetër gjë është pastaj gjykimi mbi objektivitetin e mendimeve të tij. Psh kur shkruan për Kryeministrin Rama, nuk e kam aspak të vështirë, ta konstatoj mllefin kundër tij, duke e vënë në shënjestër Kryeministrin si një armik personal dhe jo si Kryeministri i vendit që, sidomos nga kritikët e tij, duhet vlerësuar kryesisht në gabime, për ti ndërgjegjësuar votuesit në dëmin që shkaktojnë këto gabime apo, pse jo, edhe për ta ftilluar atë në kuturisje prepotence e arrogance të cilat, edhe unë bie dakord, i ka me tepricë Edi Rama. Mu ashtu, me të njëjtën qasje si Bushati, aktivitetin e Kryeministrit Rama e analizojnë edhe kritikë të tjerë të tij, ku veçoj Lubonjën, Bejten, Zhejin, Rakipin etj. Natyrisht kjo është zgjedhja e tyre dhe unë, përveç mospëlqimit, nuk kam mënyrë tjetër vlerësimi për analizat e tyre të cilat, po e përsëris, i lexoj. Ani pse më duket se çdo “Plaç!” që i thonë këta Edi Ramës, atij i bëhet “Shëndet”.
Dhe në vesin tim të leximit, gjeta dhe analizën “Solidaritet, jo lojë me mjekët”. E kisha të qartë që mllefi kundër Ramës do të ishte refren i analizës, por për mua kjo kishte dhe ka pak rëndësi. Ajo që më bëri të reagoj është mënyra se si Bushati e vlerësonte personalitetin e mjekëve që bëjnë pjesë në “Komitetin teknik të eksperteve” të ngritur për të përcaktuar masat anticovid 19. Bushati nuk heziton aspak që këtë komitet ta shohë si një “tufë” që nuk është asfare në misionin e tij, por që përdoret si të ishin “berra pa kokë” nga Kryeministri. Në këtë dalje, sipas Bushatit, ata ishin ftuar “për të mbështetur politikën qeveritare të kryerjes me kursim të testimit”. Dhe kjo nuk duhej të ndodhte. Ky është mendimi i Bushatit, pra që testimi të mos kryhet me kursim. Mirë Bushat, po pse specialistët duhet të kenë mendimin tënd? Ti e di shumë mirë, që në rekomandimet e saj për luftën kundër coronës edhe OBSH-ja nuk ka qenë e qartë, prandaj shumë e shumë vende, ndër to edhe vendi ynë kanë zhvilluar strategjitë e tyre shtetërore. Një fjalë e urtë e popullit thotë që “shtrij këmbët sa ke jorganin”. Dhe specialistët e dinë këtë. E gjithë bota pranon së kjo pandemi na gjeti të papërgaditur. Kjo vlen për të gjitha shtetet. Edhe për ato që Bushati i citon si të suksesshme. Kështu vetë Gjermanisë ashtu si dhe SHBA-së po i vjen “festja vërdallë” për maskat mbrojtëse, respiratorët e plot mangësi të tjera. E si do ta gjente Shqipërinë pa probleme, që të bëjnë me dhimbje të madhe koke, ky sulm virusian?! Ndaj ekspertet, me përgjegjësinë e ekspertëve, rekomandojnë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Unë e kuptoj kështu mungesën e propozimit për të përdorur standardin gjerman apo atë korean: këta ekspertë i kanë rekomanduar Qeverisë këtë mënyrë testimi dhe, atje në takim, ata nuk mund t’a kundërshtonin kryeministrin për atë çfarë i kishin rekomanduar vetë.
Tjetër problem që ngre Bushati. Citoj: “askush nga të pranishmit, nuk parashtroi qoftë edhe një kërkesë të vetme, nuk raportoi as edhe një mangësi, nuk guxoi të bënte qoftë edhe një sugjerim se si qeveria mund ti ndihmonte materialisht për mbarëvajtjen e gjendjes. Pra konkluzuoni, i kësaj “mbledhjeje pune” ishte se asgjë nuk mungon dhe se ekzekutivi i ka krijuar të gjitha kushtet”, duke lënë të kuptohet që këta ekspertë nuk janë burra. Atyre u mungon guximi për t’ju kundërvënë Kryeministrit, pikërisht ai guxim që e ka vetëm Bushati e ca sivëllezër të tij. Unë shtroj pyetjen: vërtet ata, pra specialistët, janë aq të frikësuar sa nuk guxojnë të thonë asgjë nga ato që mendojnë si ekspertë?! Kaq imponues qënka ky Kryeministr ynë, apo kaq pa personalitet janë ata, që dijet dhe personalitetin nuk e kanë dhuratë nga askush përveç vetes së tyre! Atyre, që guxojnë të ndeshen me koronavirusin me po aq dinjitet sa kolegët e tyre kudo në botë, u munguaka guximi për t’i kërkuar Kreministrit ato gjëra që sipas gjykimit të tyre u duhen patjetër?!
Po të ishte kështu, strategjia e zgjedhur prej tyre në këtë betejë do të ishte krejt e dështuar çfarë, sidoqë të vejë puna, nuk do të ndodhë. Unë nuk po i besoj deklaratat e Kryeministrit se e gjithë strategjia që ndiqet për fitimin e kësaj beteje është hartuar nga ekspertët më të mirë, por kam bindjen se ajo nuk mund të jetë assesi strategji e Edi Ramës. E kaq më mjafton për t’i respektuar ata si në profesionalizmin e tyre ashtu edhe në angazhimin dhe dinjitetin e tyre. Ata vërtet nuk janë trima si Bushati, por janë trima veprash që do na çojnë në fitoren e betejës. Ata nuk mund t’i fusë në “lojë” as Edi Rama as Andi Bushati &CO.