Kemi nevojë të qeshim
nevojë të qeshim
të qeshim,
qeshim
im…

Ndjellazinjtë na e nxinë,
Ndjellakëqinjtë
…këqinjtë
………qinjtë
……………..ë

Kemi nevojë të qeshim,
Qeshni të gjallë,
Edhe ju vdeksa ,qeshni
Vdekja s’ju pranon të paqeshur !

E nëse nuk ju qeshet
Vraponi klinikave estetike ,
Çaraveshni buzët me qeshje silikoni
Në cullakhane lini tirqit,fustanellat,xhinset,minifundet
E dilni rrugëve pa gjethen e fikut të Adamit,poture e këmisha ,jo se jo
Se vetëm dragonjtë
Zoti i ka lindur me këmishë,
Po gjindja duhet të qeshin !

Perënditë janë të mrrolura, zymtane të mëdha janë
Po ato duhet të qeshin që të bëhen të buta me ju,
E qeshja e tyre jeni ju
Edhe po ju ranë dhëmbët duke qeshur prej zorit , edhe
Po dhatë njërën nga shtatë lëkurat tuaja
Për ta bërë tupan e ju të kërceni
Të qeshur, nën ritmet e tupanit me lëkurën tuaj

Derisa qeshja të bëhet virus planetar
E të qeshin edhe varret !

Se Perëndia e Qeshjes mungon :
E vranë perënditë e Hiçit që i ngritët vetë !