Frika, droja, humbja e durimit dhe mjegullnaja e propagandës që përhapet në lidhje me pandeminë e koronavirusit aktual, i kanë shqetësuar tepër qytetarët, saqë me padurim presin ndonjë lajm të mirë se kur mund të dalin nga kjo gjendje, e cila i ka goditur befasisht, pa paramenduar se kjo mund t’u ndodhë, pas gjithë fatkeqësive të tjera, nga situata e rënduar politike dhe gjendja e rëndë ekonomike e sociale në nivelin më të ulët të mundshëm.

Njerëzit me të drejtë janë të shqetësuar dhe e kanë humbur durimin, jo vetëm nga frika prej infektimit, por nga gjendja tejet e rëndë ekonomike, si dhe nga fakti që gati të gjithë e kanë një pjesë të familjes së tyre në botën e jashtme.

Sikurse gëzimet familjare, edhe fatkeqësitë përballohen më lehtë kur njerëzit janë së bashku, e ndajnë të mirën dhe të keqen me të afërmit e tyre. Gjendja aktuale e jashtëzakonshme, mbyllja e kufijve nga shumica e shteteve të botës, sigurisht që ndikojnë në gjendjen shpirtërore të njerëzve.

Me durim, organizim dhe kujdes të shtuar, sigurisht do të tejkalohet kjo gjendje së shpejti, me sa më pak pasoja, siç kanë kaluar edhe fatkeqësi të tjera përpara kësaj.

Megjithatë, që ta tejkalojmë sa më shpejt këtë gjendje duhet të kontribuojmë të gjithë, me organizim të mirë, solidaritet, respektim të rekomandimeve të institucioneve, specialistëve të mjekësisë dhe autoritete të tjera të besueshme.

Ky armik që na ka goditur tinëzisht, nuk duhet të gjejë asnjë derë hapur, asnjë njeri të pakujdesshëm dhe përgjumur, asnjë dorë për ta përshëndetur, që i afrohet për ta pranuar miqësinë me këtë armik tinëzar.

Sa më pak dyer të hapura dhe duar të zgjatura, mund ta befasojnë dhe vrasin më lehtë këtë armik, që sa më shpejt të shporret nga viset tona.

Ky nuk është si armiqtë tjerë, që i përdor njerëzit si vegël për t’i dëmtuar personat e tretë, por e dëmton të parin atë që ia zgjat dorën.

Rrini në shtëpi, mos lëvizni pa nevojë, mos e humbni durimin dhe shpresën, kujdesuni për pastërtinë dhe shëndetin fizik e mendor, tuajin dhe të afërmve tuaj!

Edhe pak ditë kanë mbetur deri në shuarjen e fuqisë dhe tërheqjen pa kthim të këtij armiku të paftuar.

Qoftë sprova jonë e fundit, nga e cila do të marrim mësimin e duhur për jetën dhe vlerat e njerëzimit!

Durim dhe kurajë!

(6 prill 2020)