(Liber Poetik i Hapur)

DRITARJA PA TY..

( Mikës së rinisë…)

E mbyllën atë dritare a mua mē lanē sytë
Ç’u bëre moj…m’i plase të dytë..

Këta lotë e kjo mjegull
Kjo terrinë në sy
Tabut po më dukët dritarja pa ty

N’a paçin në qafë
Mori bukuri…

KALORËSI I MJEGULLËS…

Nga Kali i Trojës thonë se ka zbritur
Ka shaluar këngët… legjendave u ka hipur

Ka shkelur të vdekurit …gropë i ka bërë varret
Era dhe i vjen e prej dheu nuk është
E dinë për të vdekur po ende rron me t’gjallët…

. ..E DERGJET MBI RRESHTA

Sa mirë është pjekur rrushi
Tani nëpēr vreshta
Ftohtësinë dritareve po e shprish tash vjeshta

Sa shumë vargje shkruajmë
E sa pak vjersha…

Thua ka rënë dergja
Dhe dergjet përmbi rreshta

Një erē e eger
Fishkëllin ndër vreshta ..

PENGU…

Retë u shkopsitën si këmisha
Krejt çudëtrisht
Merdhezur si gji vashe edhe dielli doli
Krejt rastësisht

M’u kujtove moj…sa shumë të pata ndjekur
Si këtë diell vjeshte tash…
E kurrë s’të pata prekur

Prapa diellit dikund
Jam djegur…jam djegur….

LE TË MË VRASË ERA…

Unë nuk e kthej gëzofin
Andej kah fryen era
Kur hyn e del ti
Unë mbes me kokë kah dera

Le të më vrasë era dimri apo diejt
Vdeksha aty …ku ti më puth meit…

DIÇKA E PA THËNË PËR NËNËN…

Kur i fola njëherë për dashuri
Thashë e ndezi botën
E vetë desh u bë hi…

Mesnata më duket se u bë mëngjes
Kur foli për veten
E për një macë në thes

Më puthi në faqe
E sytë iu bënë diell
Dy herë në vit
Kam parë aty pranverë…

Ah sytë e saj
Sa një det të thellë…

PËRMBI NJË KALA…

Sa e hoqi dielli mjegullën nga sytë
I ra përmbi shpinë.. mallkimi i natës
Nuk isha vetëm nëpër atë terrinë
Një vajë seç dilte prej mureve të Rozafës

Një jetim e pashë kur e kaloi Bunën
E natën vinte tinëz tek ai mur
Nga lëmashku i mureve nuk di çka pikonte
S’di çka pinte ai. .tambel a vajgur

Vetë i prishëm muret vetë murosëm gra
Vaji i një jetimi tash e sjell hatanë
I kemi vra këngēt mitet e legjendat
Për një trohë marrëzi…rrënuam kalanë

I MBLODHA CA GËSHTËNJA…

I mblodha sot ca gështënja
Si vargjet për një vjershë
Po m’u bë secila
E madhe sa një bjeshkë

U përmallova pak aty poshtë tek rrënja
Se pas çdo trungu disi mē thërriste nëna

Në këtë dhe të huaj
Sa shumë që vret dhembja…

Si me përbi boça
Ashtu më therte zemra..

PËR SYTË E NJË PËLLUMBI…

Pupla pëllumbi pashë përballë pallatit
Si diamante të bardha seç m’i morën sytë
Dhe sytë e pëllumbit në sy më shikuan
Sikur mallkonin…m’i vërbuat të dytë…

” A vriten pëllumbat bre ” do pyeste Podrimja
Kur ata lartësohën e lēshohën mbi qytet
As dielli e hëna andej s’do të dukën
Ku nuk ka pëllumba… këngë edhe poetë…

VARRI I HAPUR…

Mes varresh dikund
Tek një bli i madh
Si një gojë mali
I hapur rri një varr…

Një nënë aty e varrosi dhembjën
Meit e bëri dashurinë
E shtriu edhe këngën…

Aty
Nē dhe e futi lirinë..

Lirinë dhe të zezën jetë
Dhe pret e pret e pret
Dy eshtra nga djali

Tash e njëzet vjet….

AH … KJO STINË E VUAJTJËS

Ah…kjo stinë e vuajtjës… keq n’a ka murosur
Veç me kokë nën sqetull
As gjallë…as varrosur…

Herë si ujk në kurthë…herë qen i plagosur

Një shekull kjo stinë
Dhe nuk ka të sosur…

IM ATÊ…

Drithin e fshehte prej shkive
Si kajsitë prej thive

Larg shpije në tokë e fshehte
N’hambar të Perendive

Pas darke
Unat e zjarrit i shprushte në votër
E fliste per trima
Për Shkup e për Shkodër…

Dimrin me këngë e priste
Si pëllumbat e egër mbi kodër…

SI URTI…

Gjithë jetën e lume u endëm si hije
Njëmijë krimba mrizojnē ndër ije

Tash ditën e fundit nuk n’a do as varri
Sa e çoriditur
Kjo vdekja për së gjalli….

QENÇE PËR QENTË…

Kur lehnin qentë
Zgjohëshin pulat e ngrata
Degëve të pemëve u shkonte gjithë nata

U kulturuan qentë
Nuk hanë tash as qebapa…

As ujkun s’e ndjekin
Po ujkut i shkojnë mbrapa…

Nëpër të njejtit hapa….

TASH E S’DI SA SHEKUJ…

S’më duhët mallkimi as flaka e ferrit
Tash e s’di sa shekuj
Eca tehut të tmerrit…

Bashkë me Zotërat
Krijova qiellin … tokën
Herë m’a vodhën zërin
Herë m’a morën kokën…

Në njēqind gjuhē
Ma kanë sha nënēlokēn

Kafkën time përmbi qafë e mbajnë
E m’ flasin për Evropën…

Në ura e kala e murosën nënën
Jetim jam rritur…përmallova hënën

Tash e s’di sa shekuj ua fala Homerin
Me një shoshë të ndryshkur
Duan t’ma zënë diellin…

NJË FLUTUR NË ËNDËRR…

Pranëvera prore që të vij e mbarë
Duhet t’a shohësh një flutur të bardhë

Unë e pashë të mirën
Më preku në thember

Po ditë nuk pashë kurrë
Se ishte veç një ëndërr…

RAPSODI MBI VARRE…

Me të vdekurit sonte do te hedhim valle
Do kërcejmë e do të lodhemi mbi varre
E do t’u tregojmë
Se i falem fushë e male

Ndoshta na e falin
Tradhtinë e madhe

E zjarrtë zbret nata përmbi këto varre
Ah nata e marrë…me njëmijë marre

Rapsodi e çmendur kjo
Për te gjallēt hapen varre…

PEIZAZH I VDEKUR..

Zgjohën të vdekurit e vdesin të gjallët
Shahën mes veti nuk dëgjojnë as malet
Ikin të rinjët po zbrazën mahallēt…

A liria ime
T’i hangër qeni fjalët…

MIKËS SË RINISË…

Edhe në më vrafshin bash si Sali Sylën
A si Zekë Hajdinin…
Pushkët më bëfshin shoshë
Kam me t’a zënë rrugën diku kësaj vere
E me ta puthë atë faqe
E tymi i daltë si në Loxhë…

PRANËVERA NË KOSOVË…

Tinëz zbret ngadalë
E ndalet përmbi varre
Aty ku të gjallët e kullojnë
Genjeshtrën e madhe…

Pērbirohet maleve
Po e gjuajnë me plumba
Se dimer e donë
Ca hije me gunga…

Pranëvera në Kosovë
Nuk zbret për së mbari

E rëndë sikur hekuri
E ftohtë sikur varri…

VERË ËSHTË..

Nuk është verë nēse u rritën kecat
As kur malet e mira tremben nga protestat

Nuk është verê kur dielli i trishton vjeshtat
Kur shahën poetët a kur digjën vjershat

Verë ështē
Kur ka gëzim e kush nuk pyet për festa
Verë është
Kur dehemi në vreshtë
E nuk kerkojmē eshtra…

AZIL KËRKOJNË DHE VARRET…

Hijën time
Pas lufte e ke vrarë
Po unë kam shpetuar
S’e di
Të ika nëpër duar..

Tash e njëzet vjet
Veç vdekja atje thërret

Tek çdo gurë varri
Zbritën edhe malet

Sa shumë rrena
Që bluan dhëmballēt

Vonë e morëm vesh
Se meit i do të gjallët..

Ec e ndali tash
Azil kërkojnë dhe varret…

IKJA…..

Ditën e re e presin nëpër male
Si zogj të hershëm e shprishin vesën
Gjethe e bar se si i lajnë me lotë
Kur i ndjek atdheu …e shalojnë sall shpresën…

KLITHMË MUZGU..

Muzgu po bie e unë në një park
Lexoj lajme shqip
Ithati më plasi në bark…

Nxora një klithmë
E u trembën pëllumbat

Tituj e nëntituj:
Tre të vdekur në ndeshje
Dy tjerë nga plumbat…

STRELLCIANI IM I LUFTËS..

Qefinin edhe ai e mbante rreth kokës
Kur dilte kah kufiri
Zot kur i dilte tokës…

Gurët e përgjakur i lidhte me pëlhurë
Vetë vdiste në këmbë
Dhe dukej sikur gur…

( Piktura….Demush R.Avdimetaj )

NJË JETË NËPËR MJEGULL…

Mes varresh pa emer
Mes eshtrave pērmbi dhe

Kam klithur e kënduar
Edhe kam bërë be

Mëmë e atë
E kam quajtur atë dhe

Sa shumë kam hjekur
Kur miza brente hekur
E dinte
Delli im i djegur

Herë në gojë të ujkut
E herë në gojë të qenit

Një jetë nëpër mjegull…

NJË PEIZAZH I ZI..

Në një kontenier bërllogu
Një qen e një fëmijë
Fëmija kerkon bukē
E qeni hante sy…

Mbi gjakun e trashur
Dielli dukej i zi…

AH BACË O BACË …

Janë endur korbat me sytë tanë nē sqep
Me sytë tanë si gacë
Herë përmbi Kukës e herë përmbi Bllacë…

Janë trashur qentë
Dhe krimbat janë trashë
Edhe zonja macë…

Herë në gojë të ujkut
Herë në gojë te qenit

E sa shpejt harruam
Ah bacë …o bacë…

SI ËNDËRR DISI…

U thave ëndërra ime
Edhe të vranë
Mbi vetull kur n’a ranë

Kur na i morën sytê
Na vranë për herë të dytë

Kurrë më nuk pamë dritë.

Rrugëve të botës unë
Kerkoj mentë e kresë
Plotë ëndërra tjerët erdhën
Kërkojnë një trohë shpresë..

Na rrou dreqi krejt
E u bëmë pikë e pesë…

Ah liria lme
Shumë e i preve në besē…

DOSJA PA NUMËR..

Binin zogj si breshër nga qielli
Me breshëri plumbash të çarë në mes
Mjegulla solli vdekjën e burrat ranë te lumi
Aty e mbrapa…kush s’ka pa mëngjes…

Vajin e fëmijëve e kanë përkundur lisat
Gjak e tambël kur pinin nëpër terr
Për gra e vasha as Zoti nuk dinte
Se ishte terrinë…tymnajë si nëpër ferr..

Prej fshati në fshat
Me zorrrë nëpër kēmbē
Dhe t’vdekurit vinin pas
Me shpirt ndër dhëmb

Mallkonin plakat …
Breg rruge sy si gaca
Do të çelet qiella thoshin…
Po larg ishte Bllaca….

KOT MUROSĒM GRA…

Kot murosëm gra …ndër ura e kala
Dhe rritëm jetimë me tambël prej guri
Dhe Kënga për Rexhën sa bjeshka u ba
Dhe ende dalin dreqër
Nga ai bark prej druri…

RINGJALLËSH PREJ HIRIT…

Ta gozhduan relievin tash
Për një kryq të madh
Si një lëkurë dhie
Si lëkurë për tupan

E kripën e regjën e tkurrën
E bam e bum e bam
Bri ngjitur s’të lanë

Lumi përtej i bante gjymtyrēt
Dhe gurët e kufirit

Duke kapërcye ylberin dëshmorët
U plasi bebëza e sytit

Mes varresh njē foshnje
Kerkon tambël të gjirit…

Moj Kosova ime…
Ringjallesh prej hirit.

DITË PROTESTE…

Ende nuk janë ndarë dita dhe nata
Një acar i egër djeg sikur flaka
Kot ca hije të zeza brigjeve kanë zënë pritë
E bardhë e bukur .. ngadalë zbret kjo ditë

Zbardhet horizonti sheshet mbushen jetë
Zhurmojnë edhe zemrat si koshere me bletë
Zbret kjo ditë proteste si për teh të shpatēs
Ua verbon sytë … lugatëve të natës

MOJ KOSOVA IME…

Zemrën nuk e kam të madhe sa ti
Po një gjysmëshekulli
Të strehova aty. . .

E të kam mbuluar
Me shumë dashuri

Po sonte .. u përmallova për ty

Edhe vjella
Vjella e vjella
Pasha këta sy

Sa qeni po përjargët mbi ty
E me nderë me thënë
Krejt kuq e zi…

Ohoooo……oiiiiiiii………

NUK IMITOHET BILBILI…

Nuk ka faj pranëvera që veron në bjeshkë
As rrufetë s’kanë faj që dogjēn trëndafilin
Sa korbi i zi ka zbritur përmbi degë
Po me krrokamë…nuk imitohet bilbili…

EPITAFI PËR MIKUN TIM POET…

Yni ishte ai
Nuk ishte i huaj
Si ky epitaf që s’desha t’a shkruaj

Është lagur shumë nga pështyma juaj

Herë për një këngë
E herë për një vjershë
Strehave nēpēr vjeshtë

Poeti i madh me zemër sa një bjeshkë…

Nuk erdhi me ju dhe pëshurrej mbi pushtet
Vdiq fukara
Po vdiq poet

Se ishte sa një det…

OH…

Krejt zhele zhele i kam bërë ca fjalë
Disa fjalë dhimbje që i grija me dhëmballë
Për ju o miq që nuk jeni gjallë…

Shtrydhej një fjalë e loti ndalej në mjekërr
Për ju që vdiqët të ri
Miqtê e mi të vjetër…

POEZI PATRIOTIKE…

Krejt atdheun…e morën kraheqafe
Se ishin të zotët …se kishin qafë gjirafe
Dhe populli prapa u shkonte si krushk
Prisnin diamante …gjirafa dhjente dushk….

LOTOJ PËR LOTIN TIM…

Nuk e ngriu dimri…nuk e lau as vjeshta
Lotin tim të valë që pikonte ndër vjersha

Pak gëzime kisha
Nuk pata shumë festa

Pikonte lehtë si akulli… lente gjurmē për faqe
Si gjollë gjaku dukej
Dikund ndēr një magje…

BOHEMI

( Mikut tim të rinisë )

Edhe loti im …lëng rrushi tu bëftë
N’atë cep banaku …raki e lotë ku pishe

E dogje …e të dogji këndej
Po edhe për m’atanë…more mik
Edhe gurët e varrit i ëndërroje si shishe

AH…PRANËVERA JOTE…

( Kosovës … pesë vargje )

Sa dhimbje ke…dro me të lënë ment
Rreth e rrotull hijenat… çakallët e qentë

Lëngon mes lehjesh…mes jargëve
Mes pordhëve…
Ah pranëvera jote…mes zagarëve të zorrëve…

STINËT NË NJË KALENDAR…

Vjeshta vjen e nuk e lanë as gjakun
Pranëvera e mirë… s’e gëzon as plakun

Tinēz endet vera …si të ishte jetime
Gjollave të gjakut janari përplasët
Se e vramë pas shpine….

REKUIEM PËR LIRINË….

A mund të thuhet… diçka me një strofë
A mund të thuhet …diçka me njē varg

Shtatëzënē më erdhe ti liria ime
Me njëmijë dreqër në bark…

Me thupra thane të thata
Më thure…
Sikur thiun në thark

NDARJA E ZEZË…

Varreve të vjetra …kur u thashë lamtumirë
Brenda toke e qielli…
Qe ndarja më e vështirë…

Po kur i lash njerëzit më keq se sa varret
Mes varresh u ula i vajtova të gjallët…

DIELL ME DASHURI….

( Për migjën tim Haxhi Fetaj )

Kam harruar.. kur më ka lënë babai
Se vëlla e babë e nënë …m’u bëre ti
Në kurbet të zi…

Migja im i mirë
Diell me dashuri
Lum ai i lumi …që të njohu ty

Sa shumē vend ke atje rreth diellit
Po s’po u rrika pa ty

Edhe zogjtë e malit për f”tyre të ranë sot
E Lugun e Lulës krejt e paskan nxi….

Oiiiiiiii……oiiiiiiii….

EDHE TË VDEKURIT DO TË DALIN NË PROTESTË…

Mbi varre
Veç kuajt e lodhur rrinë
E të marrët hedhin valle
Kur ndahën dita e nata

U hidhëruan edhe të vdekurit
Me ne
Sa shpesh i dogji flaka

Ata nuk kanë festë

Mbi gjakun e tyre
Ky dushk që po bie..
Edhe te vdekurit do të dalin n’protestë….

PRANË NJË VARRI….

Nuk palohet dhimbja
Si një pulë nën sqetull

Se kur dalldisen dënesjët e dridhin edhe malin

Varri merr veç trupin buzëqeshjën edhe zërin
Nuk ka varr që merr…dashurinë dhe mallin

As njëmijë vargje këtu nuk zënë vend dot
Sa krejt një libër peshon veç një lot

Pasha një Zot…..

KULLA E JETËS….

( Për Kullën e Jasharaj )

Themelet i ka në gjak
E kulmin në legjendë

Çdo guri aty është këngë
Çdo guri aty ka jetë

Është si e Oso Kukës
Si e Kamer Loshit ēshtë
Kullë si e Tahir Mehēs
Që gjoksin ia qet vdekjes…

Ajo është Kulla e Jetës

E BANI ME VAJ DHE QIELLIN…

( Për të madhen Fatmira Breçani )

Tek Liqeni i Zanave vashat ndalën vallën
E prapa Gurit të Shpuem Halili pyet legjendat

Kalave sot pse u lëkundën bedenat

Kroje e currila pse shtyhen mes veti
Ku të mbytën diku në Valbonē a n’gjeti

As dallgët me turr pse s’po i gjuan deti

Edhe zogjtë e malit tek erdhen prej Deçani
Kur e nisi kēngën Fatmaira Breçani…

Dita e nata thonë nuk donin me u nda
Pëllumbat u kurthuan atje pēr hava
Valbona shtyente valēt
E valēt s’rrinin brenda
Valēt e Valbonën i ka shitue kënga…

Zhdirgjet historia malit edhe fushës
Me atë zë tiskë bash si krismë e pushkës

As syzeza më nuk kjante mbi dērrasē veku
Pas shtatë bjeshke thonë qenka shkri orteku

U hutuan lisat u rrënqeth krejt mali
E bani me vaj qiellin…Fatmira Breçani…

NGA DITARI YNË…

Kur vinte e hëna
Ne i thoshim i të martës
Prit edhe pak… se flasim pas darkës

Pastaj vinte e premtja
Ikte edhe e diela.
Kështu na ikte jeta
Me bythë nëpër mnela

Veç bythën na e panë
Të gjithë rend me rend
Se fytyrë s’e patëm pikën
E n’bythë veç një trohë mend…

PLEQTË E LAGJËS SË LËNĒ…

Tri ditë të mira në jetë s’i patën
Tri herë në ditje mallkojnē
Që nuk vdiqen të ri e perse u plakën

Bukë e lotë .. herë lotë e bukē
Natën e ditën vetem

U lodhën
Duke pritur vdekjën…

SI KËNGË… SI E ZOGJËVE TË MALIT..

Tinëz kufirin e zbritëm në Kuqishtë
Po zogjtë e shkretë s’kënduan serbisht

Veç hija e vdekjës ra përmbi ahishtë

Ikën të mirēt e ranë mbi Ujman
Qielli as toka as atje s’po i mbanë

Edhe zogjtë e mirë po ikin prej nesh
Të mjerët ne të mjerët…
Edhe zogjtë e malit i kemi pre në besë…

VJERSHA E VJERRUR MBI V….

Vajin e vrarë të vashave…sērish e vranë
Vranë vreshtën e vjelur .. vjeshtën e verbuar
Vargjet i vranë dhe vjershat
Vajtorët e vjetra …duke vajtuar

Të vdekurit ndër varre i vranë
Edhe vëllanë
Vranë vitin e vonuar…

Vrafshin veten vrafshin
Vrasësit e vërbuar…

O POET….

Mos i mbledh vargjet si gështënjat e krimbura
Sa për të thēnē…e mbusha një thes
Se duhet pastaj të hapēsh edhe të pamën
Në mbrëmje dikur…kur vjersha jote vdes…

SHELGU….

I ka lëshuar degët përmbi ujē
Tunēz si një nuse

Tinëz e lanë flokun …buzët nuk i bën të kuqe

Mëngjesi shkrinë vesën me hukamë nga bregu
Pikojnë mbi ujë degët… thua vajton shelgu

Degët nëpër erë…se si bëjnë kryengritje
Trungu i thyer në rruzë
Kthehet në pikëpyetje….

KËNGA PËR NJË KËNGË…

Tash e njëqind vjet
Krushqit rrethit malit

Edhe Rexha i Lokës
Tek vithet e kalit

Herë ndërrohën këngëtarët
E re shkruhet kënga..

Po gjithëmonë e njejtë
Tradhtia edhe dhembja…

LUGATI

Shkallëve të ferrit zbret… veshur me të zeza
Veç lagështi e myk kerkojnë sytë e tij

…Dhe nuk ndalet thonë…as tek Kau i Zi

Gjëmën e e lë pas… dhembje e kob mbi kry
Na e dogji flakë…këtë trohë dashuri

FLUTURAT…

Rrojnë për hava e rrojnë përmbi lule
E kur dashuron
Futën edhe në bark…

Dimrin ku e bëjnë s’e di

Po ku rrojnë athua
Aty ku rmashtrohen se ka liri

Kur i vras unë
I vret dhe ti

E dita adresë nuk ka
Nata vjen pa sy

Po a vdiset n’atë stinë
Që kundërmon stërvinë…

SI BALADË PËR KORBIN…

Kur dolëm nga lufta u përlotë një botë
Po një korb i zi na rrinte mbi kokë

Gjuhën na e ruante trurin edhe sytē
Ato që nuk na i morēn as vetë perënditē

Rreth kokës n’a rri e ne me shpirt ndër dhëmb
As nuk ecim dot… s’di si rrimë në kēmbē

Ditë e natē mbi kokē krrokamë e tij
Gjëmë të keqe ndjell
Kujē dhe vetem zi…

JETA NË VARGJE…

Po iku një orë pa shkruar një varg
Si të kishte ikur një ditë
Po iku dita pa shkruar një vjershë
Them iku një vit
Një vit pa bërë njē libër
Më duket iku jeta…
Nëpër vargje vjersha e libra
Sa shumë shkurtohet e shkreta…

MES DËSHMORËSH…

( Me rastin e ri-varrimit të Kolonel Ahmet Krasniqit. )

Kur flini ju të qetë
Natën shihen zjarre

Kur gjakun tuaj e fshinë
Ne u kthyem në varre

Si Zezonë të re e sollen hatanë

Juve u prenë në besë
Ne krahet na i thanë

As vend pēr varr…s’na lanë

Askund një copë diell
Për ne
Asnjë ditë e mirë…

( Hala hekur hanë me dhemb ata
Se janë të shtirë..)

Veç sillet e sillet dhembja
” Për krushqit e ngrirë …”

DERGJEN VJESHTË E VERË…

Edhe ne,një ditë do të shtrihemi sikur gjethet
Edhe në vorrim do të vijnë disa tjerë

Ndër borë gjethet kalben e n’verë dalin me lulet
Poshtë ne na hanë krimbat
Se ishim të mjerë…

Ku kundërmon njeriu
Dergjen vjeshtë e verë….

E LUMJA DASHURI…

Sikur të burgosurit që ndajnē qelinë
Ashtu disa e ndajnë dashurinë

Në radhë princat prisnin Penelopēn
E për Helenēn zotrat kanē lënë edhe kokēn.

Sa e sa helmin pēr ty e kanë pi
E sa te kanë mbajtur me gjarpër në gji

Janë rrënuar qytete ushtri e mbretëri

E lum e lum për ty e lumja dashuri
Fjalën e fundit.. kush s’e tha për ty…

E ëmbëla …e mira ..e dashura
E jona tragjedi…

FURTUNË NËPËR KOSOVË…

Pas shiut të madh
Tjera re të zeza
Më mbyllën në shtëpi

Sa keq kur nga dritarja
Shikon vetem zi

S’i kam frikë rrufetë
As nuk më trembin retë

Të zezën e urrej
Kur kotet mbi këtë jetē

As verē nuk bëj me gojë

Derisa të del ylberi
Ne myku na mbuloi…

BILBILI. ..

U trishtua i gjori se iku kjo verë
Tash vajin edhe këngën e marrin ca tjerë

Sorrëshkina e korba e kukuvajka
Që ndjellin sall kob e këngës i bëjnë lajka

Na la gojëhapur në sqep e mori verën
Bebëzat e qiellit i shprishte sikur erën

Do të gjej ai vend do t’a gëzojë këngën
Si furtunë si shi neve na e la dhëmbjën

Kokën e la pas…mbrapa i mbetën sytē
Kush i këndon kobit…. i plaçin të dytë…

PËR VJERSHAT E MIA…

Si kalit të egër …në qafë i rrija vjeshtēs
Bukurinë e vodha…. krejt ia fala vjershēs

Netëve të zeza kur më dilnin në pritë
Vetë rrija në terr …ato i qita në dritē

(Sa shumë kam kënduar
Kur ishte e ndaluar…)

Ngapak i shkreti kam vdekur çdo ditë
Atyre u kam dhënë shpirt..

Një jetë të tërë me shpirt nēpër dhëmb
Mes dimërash jam ngujuar atyre u dhashë këmbë

I qita mbi mua …i qita përmbi re
Si pēllumba të egër tash
Shprushin stinë e re…

QENKA ZHDJERGUR BJESHKA…

Kur i morëm këmbët ishte ende tym
Kam ecur si hije mbi skeletin tim

Tè kam lënē në varr . vallëzova përmbi ty
Po m’i kanē pështyrë fytyrën me gjithë sy

Krejt stinët tash dergjën përmbi mua
Gjak pikon çdo gurrë e çdo krua…

Qielli pikon gjak vjeshta edhe vreshta
E ku nuk pikon gjak…
Ec e gjej dy rrjeshta…

E ti më thua
Qenka zhdjergur bjeshka

As një zog për be
Nuk do ta sheh vjeshta…

KUR IKIN ZOGJTË…

Kur ikin zogjtë e rrallohën poetët
Mjerë ajo stinē që pa këngë mbetët

Dielli e hëna e kanë lidhur kokën
Të përgjakur kështu kur e shohin botën

Lotët e qiellit do t’a zhbirojnë tokën…

KUR E VIZATUAN EVROPËN…

Nëna na la herët e u rritëm jetimë
Për babën s’dinim shumē
Por thonē se ishte trim..

Njëmijë herë pēr Trojën na ka djegur malli
Kopil tek dera . ka mbetur vetem kali

Edhe plakave thonë ua kanë vu flakën
Prej Odiseut e fshehnin Itakēn…

E ne me ninulla e kënduam gjithë botën
Mbi hirin tonē kur vizatuan Evropën…..

PËR LOTËT E NJË NĒNE…

( Zonjës së nderuar H.P. )

Edhe dielli e hëna laheshin aty
Nēpēr ata lot…nëpēr ata sy
Sikur nëpēr dri…

Edhe stina e moti
Janë dergjur aty…

Shkëmbit fytyrë e saj
Ia shtonte nurin
Po loti i saj.. e shponte edhe gurin…

Qante pēr vajzën …lotonte çdo mot
Dënesë tash për djalin atë ditë e sot
Loton e mjera …me dy palë lot…

SI VAJTIM I RI…

Sërish rrokullisën gurët
Nëpër kufi…

E të rënët gjithandej
As rrasa s’kanë mbi kry…

E kë të mallkojmë tash
Kongrese e Mbretëri..

A ty.. .a ty…o i zi
Me oohhhoooo….e oooooiiiiiii

Ai gur gjaku i madh
Rëndë peshon aty…

…DHE NDOSHTA S’NA KA HIJE

Shtatë palë qiej i shprisha
E të rashë në fije

Ty ylli i jetēs sime
Me nur Perendije

Të gjeta e të putha e të lash ndër yje
Se jemi plakur thash
E ndoshta s’na ka hije…

Edhe hëna disi
Shpinën na e kish kthye

THONË SE VDIQ NË KËMBË…

( Për Xhemajl Fetahaj )

Rrugën thonë ia lëshonte
Shkëmbi edhe ahu
Ku e hidhte hapin. .Xhemajl Fetahu

E krejt Kosharja i rrinte te krahu…

Nuk ka gurë këtu as piramida
Në Shqipëri po vdes se këtu u linda

Këngën tash ia endin …zogjtë e mirë në rremb
Nëpēr atë ahishtë… ku thonë se vdiq në këmbë

KUR VDISET PËR SË GJALLI…

Ndoshta vjen dita e flasin të vdekurit
E na marrin ngryk me atë fytyrë të hekurt

Zgjohën të mirët. ..se i ka marrē malli
Të vdekur ka edhe pērmbi varre
Se vdiqēn për së gjalli….

E THONË EDHE RRUGËT E LARA ME GJAK…(Per Saim Tahiraj…)

Dimrat i çante e ua lidhte gojën
Trup e trup mes borēs
Truponte dhe Tropojën
Edhe Guri i Shpuem thonë e mbyllte syrin
Me natën e zezë kur kalonin kufirin

Nuk duhet shkruar shumë
Për këtë trim Belegu
Se shumë i ka thënē edhe Sali Çeku

I thonë edhe rrugët e lara me gjak
Tropojë Beleg e deri në Karadak…

TË KAM PERKUNDUR NË KËNGË…

( Për nënën time )

Buzët edhe dhembjen i kam gri me dhemb
Sikur krejt ninullat …atäbotë nē prehrin tënd

Edhe nëpër ëndērra të kam pritur ty
Qatje bile deshta të mbetem fēmijë…

Po ikin vitet nëno …sikur uji ndër ura
Edhe sytë kanë shterrur si në bjeshkē do gurra

Njëmbëdhjetë vjet pa ty …një jetë e rēndē
Gjallë tē mbajta në vargje ..
Të pērkunda në këngē

NË KATËR VARGJE
( Profesorit Njazi Ferizi )

Me dy a tre plumba nuk vritet historia
As pēr dy tre burra nuk farohej fisi
Krejt zemat tona …ēshtë dashur t’i therin
Se aty e mbajmë profesor Ferizi..

SKICĒ PĒR BIOGRAFI…

Një herë në jetë… thashē se u bëra zog
Po në çerdhēn time …më s’u ktheva dot

Kalova dhe ylberin po mē doli ndryshe
Rrugëve të botē