“Këto janë gjethet e një prej pemëve me t’bukura mbi dhe! Gingo Biloba! Prej tyre bëhen barna për trurin! Kam një kujtim të trishtë me të, megjithëse e dua shumë! Në provimin e Farmacognosis, në Universitetin e Gjenevës, më ra si pyetje të flisja për Panax Ginseng, një tjetër drogë bimore e rëndësishme. Unë i fiksuar pas pemës sime, fola për bukuri për Gingon! Nuk mora notë kaluese: profesori më tha: ti po flet për gjethe, Panax Ginseng eshte rrënjë! Fluturoj nganjëherë unë…, si shpesh!”
Kështu shkroi miku im Arbër Ahmetaj dje në faqen e tij në Facebook nga Sioni në Zvicër! Dhe mua m’u kujtua menjëherë një profesor i Gjeologji Minierave që më kish njohur me ketë pemë magjike!Ai ishte mik i Faruk Myrtaj dhe u bë dhe miku ynë por emri për qamet se më vinte mend!
I shkrova Farukut në Ontario,Kanada dhe ai m’u përgjigj fill:”Eft’him Dodona, deri së fundi më thonë se mbahet për bukuri: mbase pikërisht se ishte siç thua ti: plot etje për të ditur… Nëse të kujtohet, I ati kishte qënë me Bandën muzikore “Vatra” dhe i Biri, kur doli në pension, shkoi në Amerikë, jo të habitej me gratacielat por të hynte arkivave dhe …shkroi/botoi një liber të veçante për Nolin! Ka pasur, dhe ka, pedagogë të jashtëzakonshëm Fakulteti i Gjeologji Minierave! Me fat të ishe student i tyre!”
Mua,prej fjalëve të Farukut,më ndriti më shumë në kujtesë figura e profesor Eft’him Dodonas që si zog mbi një degë të lulëzuar bajame kërcente nga pasioni kur fliste për dije.Dhe i shkrova mikut tim shkrimtar:”Faruk Myrtaj!Po, e kujtoj me shumë respekt!Ai më ka treguar historinë e Gingo Biloba! Kur ishte student në Rusi, pedagogia,ndërsa mësoi që ish shqiptar, i kish thënë nëse e dinte që në Shqipëri kishte pemë të Gingo Biloba (25 milion vjeçare!!!)Eft’himi nuk e dinte por pavarësisht kësaj pedagogia ruse,me emër, ja ngriti vlerat para studentëve të tjerë.Pastaj më tha se Zogu kish patur një kopshtar shumë të pasionuar që e kish sjellë nga Japonia dhe mbjellë në Tiranë pranë Kuvendit të sotëm!Për fat unë vajta dhe gjeta një farë të rënë përtokë dhe e mbolla në shtëpi.Mbiu e u rrit ndonjë pëllëmbë por më pas ju kalb qafa e rrënjës!Pema atje është akoma!”
Faruk Myrtaj më shkroi fill prap:”Ilir Kadia!Sapo ia ngrite një Memorie të bukur prej fjale!
Njerëz të ditur, padyshim mëmëdhetarë të devotshëm dhe ja sa bukur, Ilir, provove fare kollajshëm se Ata e çelnin auditorin kudo ku ndodheshin…!”
Si bajame të lulëzuara…! Pa dale! Profesor Eft’him Dodona sikur më kish thënë se në japonisht Gingo Biloba i thonë “Bajamja e lulëzuar”?! Apo mpleksen në trurin tim vegimet e kohës së fillimit të jetës në tokë dhe të luleve që çeli kajsia e kopshtit tim dje edhe në shtetrrethim.
Arbër Ahmetaj,miku im shkrimtar,më shkroi se kur pas bombës atomike, që e ktheu Hiroshimën në gërmadhë, në pranverën më pas Gingo Biloba çeli e para dhe e mbushi vendin me gjelbërimin e ri të shpresës!